Monday Marks, 9 shtator
Dita e nantë e muajit të nantë dhe po ju sjellim listën e freskët javore se çka me pa, ku me shku, çka me dëgju e përjetu këtë javë? Prej PriFest-it të madh deri të një operë në rrota...
Kemi para neve një javë me plot ngjarje: PRIFEST po fillon, gjithmonë duke përkujtuar themeluesen e ndjerë Vjosa Berisha dhe gjithmonë duke festu miqësinë në botën filmike. PRIBEATS janë mbrëmjet muzikore të ndërlidhura me festival. Në Mitrovicë janë duke u zhvilluar “guitar days”. Art Lokaj dhe Elsa Mala kanë qit muzikë të re, ndërsa ka ngjarje edhe të reja edhe në operë, film, teatër dhe botime. Ja ku e keni listën e plotë të ngjarjeve javore, kuruara nga Suzanne:
Me përjetu: PRIFEST, Prishtina International Film Festival
PRIFEST është emri i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, një festival themeluar që në vitin 2008 dhe që këtë vit mban edicionin e 16-të. Së bashku me Dokufest në Prizren, PRIFEST është ndër ngjarjet më të rëndësishme të filmit që mbahet në Kosovë por edhe më gjërë. Dy emra janë të lidhur me festivalin: Vjosa Berisha e cila ishte motori prapa aktiviteteve për shumë vjet dhe Vanessa Redgrave që ishte prezente në shumë edicione dhe shërben si kryetare e Bordit të Nderit të Festivalit. Festivali tani udhëheqet nga aktori dhe regjisori Fatos Berisha. Programi sivjet është i zgjeruar dhe i pasuruar. Ka filma në kategorinë ballkanike, premiera të shumta, ekskurzione, punëtori të veçanta të ndërlidhura, talks me industrinë filmike, etj. Në PRIBEATS mysafirë vijnë DJ-të e njohur Alban Hi-dini, Lowris, Lekë në lokacionin e ri të “Edhe” si dhe koncerte nga Asgje Sikur Dielli, La Fazani e plot tjerë në sheshin Zahir Pajaziti.
Me dëgju: “Opera ne rrota”, në shumë qytete
Nga 15 shtatori e tutje mundeni me marrë pjesë në një nismë interesante “Opera në Rrota”—një iniciativë edukative-kulturore nga Fondacioni i Rame Lahaj. Ideja është për një operë mobile, qe sipas organizatorëve synon “të sjellë shkëlqimin e operës në zemrën e Kosovës si kurrë më parë." Programi udhëtues “në rrota” do të ndalet në: Istog, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Prishtinë. Që muzika klasike të jetë inspiruese për të gjithë, organizatorët premtojnë edhe aktivitete të veçanta për fëmijë kudo qe ndalen.
Me pa: Shfaqja “Nuancë”, Teatri ODA
“Nuancë” është një shfaqje me autore dhe regjisore Qendresa Spahiu, ku luajnë Agnes Nokshiqi dhe Donikë Ahmeti. Sipas shpalljes, shfaqja ofron një “eksplorim të thellë të pasigurisë artistike, shpirtërore dhe emocionale të një individi në kërkim të përsosmërisë dhe kuptimit. Kjo shfaqje paraqet luftën e brendshme të Anës, një artiste që përballet me frustrimin dhe obsesionin për të arritur një ngjyrë të kuqe të përsosur, e cila simbolizon shumë më tepër se vetëm një element vizual - është metaforë për vetë realitetin e saj, për kërkimin e një kuptimi të thellë dhe personal në art dhe jetë.” Locacioni:Teatri Oda
Premiera do të jetë sonte më 09.09.2024, në ora 20. Skenografia nga Besnik Spahiu, kostumografia nga Orgeta Brahimi, kompozitore është Fjolla Gashi, dizajner i dritave Yann Perregaux ndërsa dizajni grafik nga Arta Imeri. Asistente regjie është Kosovare Krasniqi, pra një ekip i fuqishëm i grave në krejt fushat e produksionit. Shihemi në ODA!
Me pa: Festiali i Teatrove Suharekë
Suhareka është koxha komunë interesante me vizitu dhe jo larg Prishtinës dhe po e rekomandojmë për herë të parë sepse tani po mbahet festivali i teatrove. Programi pesë-ditor sjell shfaqje nga teatrot e Prizrenit, Mitrovicës, Durrësit, Podujevës dhe teatri i AAB-së “Faruk Begolli” e shfaqje të njohura nga Dario Fo, Vaclav Haveli, etj.
Me dëgju: albumet e reja nga Elsa Mala dhe Art Lokaj
Dy albume nga dy këngëtarë të rinj po lansohen këtë javë, që të dyjat të përcjelluna me koncerte. Fillimisht Art Lokaj me 12 stator në Dit’ e Nat’ promovon albumin e tij “Under New Management” ndërsa pak ditë më vonë, Elsa Mala man koncert në teatrin ODA me 14 shtator për albumin e saj “So here I am waiting for you, sitting in a table for two”. Muzika e këtyre performuesve është diverse, por gjithsesi ja vlen të vizitohen të dytë, për një javë të pasur muzikore në lokacione alternative performuese të kryeqytetit.
Me pa: Premiera e filmit “Pikë uji”
Nuk kemi shpesh premiera të filmit thriller në gjuhën shqipe, prandaj jemi kurioz për filmin “Pikë uji” nga regjisori Robert Budina, me aktorë Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga. Ngjarja ka të bëjë me Aidën, që luhet nga aktorja jonë e famshme Gresa Pallaska e cila ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj. Para, influencë, karrierë — ajo i ka të gjitha. Por çfarë ndodh kur një krim i papritur kërcënon të shkatërrojë gjithçka?
Kur djali i saj Marku përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet. Sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin? Shumë pyetje, ndërsa përgjegjet i gjeni vetëm nëse shkoni me e pa filmin i cili ka premierë me 12 shtator në të gjitha kinematë.
Me dëgju: Mitrovica Gutar Days
Mitrovica Guitar Days (MGD) është një festival i përvjetshëm, që synon me “i bashku muzikantë të klasit botëror dhe dashamirët e muzikës për koncerte, masterklase dhe punëtori.” MGD e ka në epiqendër gitarën dhe tashmë ka filmar por i keni edhe tre ditë tjera për me nxanë ndonjerin nga aktivitetet e festivalit. Sonte (e hënë) keni performancën nga duo Xhulian Bytyqi dhe Elvis Bytyqi, nesër me 10 shtator performancë nga Aniello Desiderio dhe Zoran Dukic ndërsa me 11 shtator edhe koncertin përmbyllës në Muzeun e qytetit.
Me lexu dhe eksploru: Katalogu i artit të Valbona Zherka
Një fenomen i ri dhe i mirë qe është “cementuar” tashmë që nga vite më parë, kur Erzen Shkololli morri drejtimin e Galerisë Kombëtare, është që ekspozitat në galeritë tona gjithmonë të përcjellen edhe me një botim përkatës, mirë të bom, me tekste dhe imazhet relevante.
Edhe Galeria e MKRS në Qafë, po sjellë ekspozita dhe botime të bukura. Kohë më parë artistja Valbona Zherka pat një ekspozitë të karierës së saj të gjatë me tapiceri në Galerinë Kombëtare. Kemi botuar një tekst të veçante e të bukur nga kuratorja e ekspozitës Vesa Sahatçiu por tani mund ta eksploroni edhe katalogun e pasun të dizajnuar nga Nita Salihu, ku gjeni edhe shkrime të vjetra, recenzione, përfshi edhe nga gazetarët e rịnj të asaj kohe si Migjen Kelmendi, etj.
Nese dëshironi me shkrujt recenzione librash, filmash, ekspozitash apo veprave tjera artit, mund të fitoni një liber falas nga ne, botuar nga Met Museum i Nju Jorkut dedikuar artistit tonë të famshëm Petrit Halilaj. Per me shume: