Monday Marks, 30 dhjetor
Viti i parë i podkastit Suzanne, viti i parë i Monday Marks, ku kemi mbuluar mbi 300 evente kulturore në Kosovë e Shqipëri. Kanë mbetur edhe ca ditë, por mjaftueshëm edhe për do rekomandime për 2024!
Shkoi edhe 2024-ta. Një vit me plot festivale të vjetra e të reja, ngjarje të artit kontemporan e muzikës klasike, clubbing në fusha rurale dhe bodrume urbane, botime dhe revista të reja. Shumëkush po ankohet që Prishtinës i ka vdekë pak spirit, që politika mbisundon kulturën, që portalet shkruajnë veç për skandalet në estradë dhe Big Brother, por gjithandej ka edhe ishuj të kreativitetit, shprehjes artistike, rezistencës ndaj mejnstrimit dhe dashni ndaj komunitetit. Monday Marks me listën tonë të përjavshme osht mundu me ju sjell rekomandime, recenzione, propozime, që edhe lexuesit tanë me gjetë rrugë të shpejta drejt k’tyne ishujve.
Për këtë javë galeritë dhe muzetë janë mbyllur kështu që po fokusohemi tek një përzgjedhje e ngjarjeve kryesore festive për javën e ndërrimit të motmoteve, përfshi edhe ditëlindjen e Servisit; party në Zone, Posht’ dhe Menzë; sikurse edhe në Kino Tirana and Underground Agimi në Tiranë. Megjithatë, ju rekomandojmë edhe një ekspozitë fotografishë e Alban Bujarit në lokalin D9; veshje tē bukura nga një studio mode vendore YRS dhe për me imagjinu të ardhmen mas këtij viti, një revistë alternative të shkrimeve fantastiko-shkencore shqip KSCI-FI.
Urime Viti i Ri krejt lexuesve, bashkëpuntorve, komunitetit të artit e kulturës, e shihemi vitin e ardhshem! Përqafime…
Me festu: Katërvjetori i Servis Fantazia, Prishtinë
Në fillim ishte Servisi. Pastaj erdh Servis Fantazia, audio bari me zërimim ma t’mirë në qytet, DJat ma t’çart knej e anej kufinit, koktella lozonjarë dhe atmosferë që e vendos këtë qoshe të Prishtinës në mes Berlinit dhe Nju Jorkut. Patriku dhe Leo, dy themeluesit e kolektivit Servis të fokusum në evente muzikore elektronike, para rrumbullak katër vjetëve (khuu, shkun katër vjet a?) e themelun edhe një pikë fokale për muzikë, por edhe performanca artistike me emnin fantastik Fantazia. Të hanën, me 30 dhjetor e festojnë ditlindjen e Fantazisë, prej ora 21, me DJ Art Bejtullahu në deka. Konsiderojeni preparty për javën e Vitit të Ri. Shihemi te veni.
Me festu: NYE me Kadmon/Blanco/Altini, Zone Club, Prishtinë
Nata e parë në Zone Club premton diçka të veqantë: performues janë Kadmon, një grup muzikor live i një zhanri organic house-techno. Pritni elemente elektronike si sintetisajzera dhe muzikë ritmike me instrumente të ndryshme muzikore, për me kall dancefloorin. Blanco dhe super Altin Boshnjaku janë poashtu prezentë për natën ma të gjatë të vitit.
Me k’cy: NYE (ton ditën & natën), Lavjerr's dhe Posht’, Prishtinë
Mbrapa Muzeut Kombëtar tash e një kohë osht një qendër e vockël kulturore, hapësinë punuese për nomadët digjital dhe bar, në një hapësinë të integrume ku Lavjerr'si shërben ditën, e bari Post’ shërben natën. Me 31 dhjetor mundeni me përjetu një program hiç ma pak se 16 orë, prej orës 3 pasdite e deri në 6 të mëngjezit, me ushqime, shotsa, por ma me randësi, me një line-up prej Rojo, Trimi, La Baresha dhe Adriano Guglielmo me kombinimin e vet të veçantë të soul/funk/disco.
Me festu: NYE me Disco Grup, Menza Ramiz Sadiku, Prishtinë
Prishtina shumë dekada ma parë e ka pasë një lagje punëtorësh të ndërmarrjes të k’tynehershit Ramiz Sadiku dhe punëtorët e kanë pasë edhe menzën e vet. Tash e disa vite Menza osht shëndrru në restoran, hapësinë për ngjarje kulturore, koncerte, dhe mas mesnatës së ndrrimit të vitit edhe një pike urbane për një party t’mire të Vitit të Ri me titullin “100% Love”, organizum nga Disco Grupi, një kolektiv që herë pas here e gëzon Prishtinën me evente të hareshme. Genti, Adriani, Learti dhe Shendi premtojnë hyrje të gëzushme në Vitin e Ri.
Me festu: NYE, Kino Tirana, Tiranë
Po dalim kah Tirana pak se Jemi Një, edhe ka plot që lëvizin poshtë e naltë autostradës në kërkim të zbavitjes ma t’mirë. DJ Secret 47 përnime osht n’shpi si n’Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, edhe Kino Tirana osht vend i mirë në epiqendër të Tironës për me kalu Vitin e Ri. Me barin e famshëm inspirum prej kinemave, me kokteje t’mira dhe muzikë të Gentit, nuk besojmë që gaboni nëse bash në Kino Tiranë e kaloni festën e madhe të fundvitit.
Me festu: Nata e Tretë, Underground Agimi, Tiranë
Nëse vazhdoni pak ma gjatë në Tiranë, natën e tretë (me 2 janar) osht një party që feston ditlindjen e 16-të muzikore të dyshes Undo Redo, me super lineup të Besa M, Likatek, On Play dhe natyrisht Undo Redo. Party organizohet te Velvet Clubi i njoftun në Bllok, ku zakonisht ka muzikë latine, po kësaj radhe premton eksperiencë të plotë techno. Party ja nisë në ora 23:00 edhe vazhdon, dhe vazhdon, dhe vazhdon…
Me lexu: Zinat fantastiko-shkencor KSCI-FI
Çka na pret në të ardhmen? Jo veq me 2025 por edhe 2125 dhe 3125? Shtine imagjinatën në përdorim ose lexo pak literaturë fantastiko shkencore (sci-fi). Na jemi fansa të zhanrit, prandaj edhe po e rekomandojmë revistën alternative apo zinën KSCI-FI, projekt i nismës multi-disiplinare StoryLab. Krejt ideja ka lindë gjatë Manifestës, ama për fundvit keni kohë me lexu, shfletu, m’u inspiru edhe me materiale pak ma speciale, kështu që zinat që kanë dalë po na doken super rekomandim. Mundeni m’i porositë në faqen e tyne në Instagram.
Me pa: Ekspozitë fotografish të Alban Bujarit, D9, Prishtinë
S’ka shumë ekspozita këtë javë, por fotografi i njoftun Alban Bujari osht kujdesë që me përmbush këtë kategori për këto ditët e fundit të 2024 me një ekspozitë personale në lokalin D9 (te Fakuleti i Arteve). Albani ka njekë krejt ngjarjet kryesore për gati 3 dekada dhe kjo ekspozitë osht e dedikume evolucionit të ushtrisë kosovare, prej filleve të para të UCK, deri te TMK, FSK dhe tash formacionet e ushtrisë së Kosovës. Dokumentim i historisë nga një dokumentues i pashoq. Ekspozita hapet në ora 12, të hanen me 30 dhjetor.
Mu vesh: Teshat e Studio YRS, Prishtinë
Nëse shkoni në neje pak ma elegante, duheni mu vesh elegant valla, e dizajnera Rinesa Bajrami dhe Studio YRS bon bash qasi tesha mbresëlanëse, formëpërqafuese, zhveshjeinspiruese. Neve na la përshtypje fustani i gatë ngjyrë qielli, me dizajnin e tij minimal dhe do detaje pak ma dramatike të mangëve prej peliçes ngjyrë hini, që potencon siluetën elegante. Guximshëm, bukur, sexy…
Me këqyr: Serialet ma t’mira televizive të 2024
Nëse s’keni ndërmend me dalë, dy-tri ditet festive janë periudhë perfekte me hangër mbetjet ushqimore të natës së vitit të ri, para televizorit a laptopit - e 2024 nëse ka pasë plot probleme n’tona anët, së paku në prodhim televiziv ka qenë ndër ma t’mirët këto vitet e 2020-ave. Prej Shogun e The Penguin që fituan edhe shumë çmime e deri te Sunny, The Bear e The Disclaimer, i kemi këqyr krejt serialet kryesore dhe ju kemi sjellë një dialog recenzionesh (në dy pjesë) që mund ta lexoni në fasen tonë, që me ditë çka me këqyr ratë - nëse keni rrymë! Qe linku.