Monday Marks, 2 shtator
Çka me pa, çka me përjetu, çka me dëgju, e ku me pi një gotë venë me muzikë të mirë? Plus një super lodër! Lista e përjavshme Monday Marks është këtu me rekomandime prej Rahovecit deri Dhërmi!
Shkollat po fillojnë, pushimet po përfundojnë, por ngjarjet vazhdojnë gjithandej. Po sjellin rekomandime me performanca nga Gipsy Kings legjendarë që po vijnë në Hardh Festin e Rahovecit e deri te festivali fantastik i muzikës elektronike ION në Dhërmi. Prishtina Queer Festival do ta feston diversitetin dhe komunitetin e veçantë, Zone ka mysafirë të veçantë, ndërsa po ju ftojmë ta nxeni edhe koncertin e këngetares Tringa Sadiku (Ylli muzikor që e këndon edhe coverin e këngës Suzanne në podkastin tonë!) në kino Lumbardhi me 4 shtator në Prizren ose 6 shtator në Galeria 17 në Prishtinë. Po e rekomandojmë edhe një talk në Paper dhe një lojë tavoline që sjell historinë e Prishtinës në formë lozonjare. Have a super week with this super Monday Marks!
Me përjetu (dhe me pi ka pak) Hardh Fest, Rahovec
Bamboléo! Festivali unik i venave dhe nejës së mirë (lexo: hedonizmit) ka hyrë në dekadën e tretë the sivjet duket më i pasur se kurrë me program të llojllojshëm. Performuesit kryesor janë Gipsy Kings (me gitaristin Diego Bailardo), pastaj Bumblefoot (rock band themeluar nga Ron "Bumblefoot" Thal kitaristi i trentë i Guns n’Roses), Dren Abazi, grupi Fisnikët e plot tjerë. Në Hardh Fest gjeni prodhuesit e ndryshëm të venës, rakisë e pijeve tjera lokale dhe botërore me programet dhe shtandet e tyne, ka edhe degustime, vizita vneshtave dhe ngjarje tjera, pa dyshim të inspirume prej vetë zotit ilir të venave Liberi (kusheri hyjnor i zotit grek Dionisit).
Me përjetu: Prishtina Queer Festival
Një festival i ri por me një edicion bombastik sa i përket programit është Prishtina Queer Festival. Eventi zgjatë tre ditë dhe i dedikohet komunitetit queer dhe është event që synon të sfidon paragjykimet shoqërore dhe stigmën rreth identitetit seksual dhe gjinor në Kosovë. Motoja e festivalit sivjet është “I now have: No Fear”. Performancat janë të shumta, nga Bozo Vreco që vjen prej Sarajevës e deri te DJ Kursiv prej Berlinit e Tuanës nga Prishtina, pastaj shfaqje të ndryshme, street party dhe flea market, punëtori rreth identitetit seksual, etj. Prishtina premton të jetë shumëngjyrëshe, shumëidentitare dhe shumë spektakulare këtë javë me PQF.
Me përjetu: ION Festival, Dhërmi
Festivali ION është një eksplorim 7-ditor i muzikës më të avancuar elektronike të të gjitha formave dhe madhësive, i vendosur në pllazhat e perlës jo aq të panjoftun mo, të Dhërmiut në Shqipni. Festivali ka organizatorë britanezë dhe publiku është koxha i limitum edhe kryesisht ndërkombëtar, që vijnë për atmosferën ishullore të një festivali që e “okupon” këtë fshat bregdetar shqiptar me skena të ndryshme, lineup tepër të gjanë e të gjatë dhe aktivitete pllazhore. Njana prej skenave është në Gjipe, tjerat janë të çkepta gjithandej. Prej dhjetëra performuesve që bojnë muzikë përgjatë 7 ditëve të festivalit (op! zgjatë 7 ditë!) mujm me veçu: Batu, Helena Hauff, Ali Güney e na e rekomandojmë edhe natën e kolektivit Servis me 10 shtator. Be there or be square.
Me dëgju: Koncert Tringa Sadiku, në Prishtinë dhe Prizren
Kur e kemi nisë podkastin tonë Suzanne, i kemi marrë të drejtat e kangës së famshme Suzanne për promo, Genc Salihu e ka prodhu atë me zanin magjepsës të kangëtarës dhe performueses Tringa Sadiku (e cila bash këtë të hane po e feston ditëlindjën - Urime Tringa!). Tringa ka diplomu muzikën në Prishtinë, por tash është t’u studiu në Graz të Austrisë ndërsa këtë javë ka dy recitale me Torin Williams, me 4 shtator në Prishtinë në Fondacionin 17 dhe pastaj me 6 shtator në Prizren tek Kino Lumbardhi. Gjithsesi ja vlen Tringën ta dëgjoni në ndonjerin nga lokacionet (mundeni edhe dyjat!) në këtë fundverë.
Me dëgju: DJ Craig Richards & co., Zone Club
Craig Richards është një DJ i muzikës tech house, i njoftun gjithashtu si pjesë e Tyrant së bashku me Lee Burridge dhe fillimisht, Sasha. Richards ka studju ilustrimin në shkollën e famshme të artit Saint Martins në Londër dhe është gjithashtu fotograf dhe piktor. Emën i madh që po vjen në Prishtinë, për partyn që e përmbyll sezonin veror të Zone Club. Richards me vite të tana e ka majt muzikën në Fabric-un e famshëm të Londrës ndërsa performansat e tij janë legjendare si vet, si bashkë me DJ-të ma të famshëm botnor. Me 7 shtator në Zonë janë edhe John Dimas, Dan Andrei, Memax dhe Almarin. Duket lineup i çartë, epik…
Me lujt: Zbulo Prishtinën, lojë tavoline
Kurrë më herët s’kemi rekomandu lojna, por qe tash doli një super interesant. Fjala është për lojën e tavolinës “Zbulo Prishtinën” nga autori dhe ilustruesi Arif Muharremi. Kutia ka këto elemente: vetë fushën e lojës me ilustrime që identifikojnë Prishtinën, figurat e vogla në formë të - natyrisht - ikonës arkeologjike Perëndeshës në fron - si dhe një kallabllak pyetje. Pak si në formë e lojës Jeopardy! Dy deri pesë lojarë lëvizin nëpër fushë dhe ndalen tek pyetjet që janë inspiruar nga sporti, kultura, politika dhe shoqnia prishtinase, dhe kush e qëllon vazhdon tutje. Duket thjeshtë, por pyetjet janë ato që i jepin sharm lojës. Kështu që nëse je prishtinali a don mu kanë prishtinali a veç ki qef me mësu për Prishtinën tu lujt, merreni këtë lojë te libraria Buzuku.
Me marrë pjesë: Ligjerata nga Fatoş Üstek, Paper Gallery
Fatoş Üstek është kuratore e njohur dhe vizionare e vërtetë e artit kontemporan, që po vjen në Prishtinë nga Britania, në Paper Gallery, pjesë e projektit Reporting House (kemi shkru për Reportin Housë ma herët). Në Paper vjen me i nda mendimet e saja rreth librit të saj të fundit “The Art Institution of Tomorrow: Reinventing the Model”. Sipas njoftimit për këtë talk: “Institucioni i Artit të Nesërm është një manifest unik për ngritjen e standardit të praktikave institucionale në mbarë botën.
Sipas këtij libri, institucionet ekzistuese të artit nuk janë të pajisuna me e përballu ndryshimin radikal social, ekonomik dhe mjedisor që po përjetojmë dhe për me u angazhu në përparimin në arte, dhe se përveç nëse ato përqëndrohen përsëri në qëllimin e tyre kryesor dhe transformojnë në mënyrë fundamentale strukturën e tyre organizative dhe modelet operacionale, ato do të fillojnë të humbasin rëndësinë dhe ndikimin e tyre.” Kështu që nëse jeni artist, kurator, galerist apo thjesht i intrigum nga arti - dhe nëse doni me ditë qysh modeli momental i artit po rrezikon relevancën, merrni pjesë këtu.
Me dëgju: Maremeum Festival - Kori i Filharmonisë së Kosovës, Vlorë
Po e përfundojmë me një festival të ri në Vlorë, Maremeum festival që e ka moton: “Një udhëtim në kohë përmes muzikës dhe natyrës! Nga lindja në perëndim duke ndjekur diellin!” Me 5 shtator, Kori i Filharmonisë së Kosovës ka performancë dedikume Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezes. Dirigjent është, kush tjetër, Rafet Rudi; Sihana Badivuku me violinë ndërsa programi i mbramjes përfshin vepra nga kompozitorë të njohur si Ēriks Ešenvalds, Jan Sandström, Baki Jashari, Vasil Sofokli Tole, Lorenc Antoni, Jake Runestad, Claudio Monteverdi, Aulon Naçi, dhe Rafet Rudi. Sounds serious and sounds super me dëgju korin tonë në perëndim të diellit mesdhetar, në perëndim të kësaj vere të gjatë dhe të nxehtë.
VENI RE! Nëse doni me shkru edhe ju për Suzanne, mund ta fitoni një libër falas nga ne dedikuar ekspozitës ikonike “Abetare” të Petrit Halilaj në Met Museum.
Për më shumë: