Truni dhe arkitektura
Para ca jave patëm mysafire Dea Lumën, një grua nga Kosova e cila pas studimeve në Japoni, u emërua atje asistent-profesore në neuro-arkitekturë. Por çka është kjo lëndë? I hynëm temës pak ma thellë.
Me Dean kena pasë një super episod të podkastit Suzanne (episodin e plotë mund ta shihni këtu). Kemi folë për mahallën e saj në Aktash, studimet e saja dhe përvojën jetësore dhe akademike. Ajo është asistent profesoreshë në Departamentin e Arkitekturës në Universitetin publik të Tokios, jo vetëm si shqiptarja e parë ligjeruese në këtë fushë dhe në këtë universitet por edhe si gruja e vetme jo-vendore në këtë institut, e specializuar në fushën e veçantë të neuro-arkitekturës.
Patëm plotë pyetje në rrjete sociale se çka është kjo fushë - dhe Dea na bani nderë me nda edhe pak kohë me neve, për një intervistë të shkurtë por pak ma të thellë për këtë temë. Shpresojmë se jeni intriguar pak.
Dea, ti ke jetu, punu dhe ke arrit me u ba edhe ligjeruese apo asistent profesoreshe, në Universitetin e Tokios në fushën e neuro-arkitekturës? A na spjegon pak për neve amaterave se çka saktë është fusha jote e studimeve?
Neuroarkitektura paraqet një fushë të re në studimin e arkitekturës që shtrihet midis fushës së Neuroshkencës dhe Arkitekturës. Kjo disiplinë synon të kombinojë përvojën njerëzore nga njëra anë dhe kërkimin shkencor të trurit të njeriut nga ana tjetër, në mënyrë që të grumbullojë njohuri faktike mbi ndikimin që dizajni arkitektonik ka në trurin e njeriut.
Qysh përkthehet në praktikë taman studimi dhe hulumtimet e tuja në situatën në qytetet tona?
Mjediset në të cilat kalojmë kohë ndikojnë në trurin tonë, dhe truri ynë ndikon në sjelljen tonë. Pra ka ndërlidhje direkte në mes të ndërtesave që na rrethojnë, habitatit tonë fizik dhe trurit, respektvisht sjelljeve tona. Në kontekstin urban këto hulumtime mund te aplikohen tutje ne analizat e dizajnit te hapësirave publike, ngarkesave sensorike (apo të shqisave), orientimit në hapësire, sigurisë, qëndrueshmërise, ergonomisë, e shumë të tjera. Në terma më laik, ne masim reaksionet e trunit me pajisje tona, me pjesëmarrës vullnetarë, ndaj imazheve, ndërtesave, konteksteve urbanistike. Truni reagon në stimuj të ndryshëm në mënyra të ndryshme dhe detyra jonë është t’i zbërthejmë, krahasojmë e interpretojmë ato me ardhë në disa konkluza empirikisht të bazuara.
A ke bo hulumtime edhe në Kosovë? Cilat janë disa prej gjetjeve preliminare prej hulumtimeve në Kosovë që mundesh me i nda me neve?
Muajin e kaluar kemi filluar eksperimentin e parë neuro-arkitekturor në Kosovë. Për mua posaqërisht ky ka qenë një moment shumë i veçantë, dhe jam e lumtur që pata kënaqësinë ta ndaj këtë eksperiencë me shumë vullnetarë. Ky është një hulumtim ndërkulturor midis popullatin të Kosovë dhe atij Japonezz, i cili si rezultat, është duke u administruar në formë identike në të dyja shtetet, që të kemi të dhëna të mjaftueshme krahasimore. Përmes të dhënave të mbledhura nga ky kërkim, synojmë të kuptojmë ndikimin e prapavijës kulturore dhe familjaritetit në perceptimin e arkitekturës e planifikimit urban, si dhe dallimet që mund të ekzistojnë në trurin tonë si rezultat i diferencave kulturore. Aktualisht, ky hulumtim tani po përpunohet në laboratorin tonë në Universitetin e Tokios.
Qysh ta merr mendja që ka impakt zhvillimi urban jo fort i planifikum mirë në Prishtinë në shëndetin mental të banorëve?
Hulumtimet e fundit shkencore zbulojnë të vërteta shumë të hidhura mbi planifikimet jo të suksesshme urbane, jo vetëm në Kosovë. Këto shkaktojnë një sërë problemesh duke përfshirë stresin kronik, mbingarkesën sensorike, reduktimin e plasticitetit të trurit, problemet me gjumin, izolimin social, e shumë të tjera. Prandaj, është e rëndësishme të zgjerojmë hulumtimet mbi ndikimin e qytetit, ndërtimeve, urbanizmit në trurin tonë ashtu që t’i perdorim këto informata si bazë për planifikime më të mira në të ardhmen, duke vendosur përdoruesin në qendër te tyre.
Kjo nuk është metodë që ndonjëherë është praktikuar tek ne, por me të dhëna shkencore së paku mund t’i jepim kah diskursit publik për ndikimin e arkitektures së mirë apo të keqe në shëndetin tonë mental. Resultatet nga Kosova ende nuk i kemi përpunuar por unë si kosovare por edhe eksperte e lamisë mezi pres t’i përfundojmë dhe të shikojmë çfarë projekte derivative mund t’i planifikojmë, natyrisht së bashku me komunitetin jo vetëm të arkitektëve dhe institucioneve, por edhe me komunitetin e neuro-shkencës.