Taulanti kthehet në jazz festival
Këtë javë po rifillon Prishtina Jazz Festival, me super performues përgjatë katër ditëve, e na folëm pak me Taulant Mehmetin për rrugëtimin e tij dhe "bileten kthyese" nga Prishtina në Nju Jork.
Prishtina Jazz Festival po kthehet në shehër! Ndërsa në Prishtinë po kthehet edhe Taulant Mehmeti, një nga jazz performuesit ma t’mirë shqiptarë në botë. Për albumin e fundit të Taulantit kemi shkru gjatë verës, por një anekdotë e bukur është që ky jazz kitarist prishtinali para 13 viteve bash në një edicion të kahmotshëm të Prishtina Jazz Festivalit ka bo hapat e parë të mdhej para publikut. Në nderkohë shkon në Nju Jork, epiqendrën e jazzit botnor, performon në vende të mëdha e të vogla, boton albume me muzikë të bukur, dhe ja - një dekadë e ma shumë ma vonë, kthehet në “vendin e krimit”, apo në edicionin e sivjemë të Prishtina Jazz Festival.
Sivjet PJF ka mu mbajt përgjatë 4 ditëve nga 14 deri 18 nëntor, në Teatrin ODA ku osht mbajt tradionalisht. Ka jazz me inspirim metalin, folklorin, kosjazz, nga performues vendorë dhe ndërkombëtare - bile edhe emna të mëdhej të jazzit botnor, kështu që bleni biletat dhe kënaquni me PJF. Taulanti me quartetin e vet të Big Apple, performon natën e dytë me 15 nëntor.
Si ndiheni që po performoni në Festivalin e Jazz-it në Prishtinë? Çfarë domethënie ka organizimi i një festivali të mirëfilltë të jazz-it në Prishtinë dhe për skenën e jazz-it në Kosovë?
Jam shumë i emocionuar të performoj në Festivalin e Jazz-it në Prishtinë; ky është vërtet një ëndërr e bërë realitet për mua. Në këtë festival po marrin pjesë disa nga muzikantët më të mëdhenj që kemi, së bashku me disa nga artistët e mi të preferuar të jazz-it në botë, si dhe grupe të jashtëzakonshme ndërkombëtare nga Nju Jorku dhe nga vende të ndryshme të Evropës. Organizimi i një festivali të tillë në Prishtinë është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për muzikën jazz në Kosovë sepse krijon një hapësirë të re për muzikantët, kompozitorët dhe artdashësit. Një festival i mirëfilltë jazz-i u mundëson artistëve tanë jo vetëm të performojnë, por edhe të marrin frymëzim nga muzikantë ndërkombëtarë, të ndërtojnë kontakte dhe të nxisin një ndjesi të përbashkët për jazz-in si një gjuhë universale.
A mund të na tregoni pak për inspirimin tuaj muzikor? Çfarë ndikimi ka Kosova e çfarë Nju Jorku në krijimtarinë tuaj?
Inspirimi im vjen nga një ndërthurje e pasur e përvojave që kam nga të dyja vendet. Kosova është rrënja ime, dhe Festivali i Jazz-it në Prishtinë ka qenë vendi ku fillova të formohem si muzikant. Ishte aty ku dëgjova për herë të parë një grup jazz-i duke luajtur, ku mora pjesë në një jam session dhe më pas pata mundësinë të performoj me bendin tim në vitin 2011. Njerëzit këtu më kanë dhënë një sens të thellë të emocionit dhe intimitetit në muzikën time.
Nga ana tjetër, Nju Jorku më ka dhënë lirinë për të eksperimentuar dhe për të eksploruar jazz-in në thellësinë e tij. Me energjinë dhe kreativitetin që e përshkon, NYC më ka dhënë një hapësirë të re për të zgjeruar vizionin tim muzikor dhe për t’u përballur me shumë stile të reja. Në krijimtarinë time, përpiqem t’i ndërthur këto dy botë: ndjeshmërinë dhe ngrohtësinë e Kosovës me dinamizmin dhe eksperimentimin që më ka dhuruar Nju Jorku.
A keni një mesazh të veçantë për adhuruesit e jazz-it në Kosovë? Edhe a ka publik?
Përmes muzikës, dëshiroj të përcjell ndjenjën se jazz-i është një gjuhë e hapur, e cila i bashkon njerëzit pavarësisht prejardhjes, kulturës apo ideve. Mesazhi im për adhuruesit e jazz-it në Kosovë është që të mos ndalen së ndjekuri dhe mbështeturi këtë lloj muzike – sepse jazz-i ka fuqinë të sjellë gëzim dhe reflektim në një mënyrë që pak lloje të tjera të artit mund ta bëjnë. A ka publik? Besoj se po. Edhe nëse është ende një komunitet i vogël, unë mendoj se është një audiencë që ndjen shumë thellë muzikën, që është kurioze dhe e hapur për të dëgjuar diçka ndryshe. Kosova ka potencial për të pasur një skenë të veçantë jazz-i dhe çdo hap që bëjmë për ta kultivuar këtë skenë është një hap drejt një të ardhmeje më të pasur kulturore.