Shtegtimet e Valbona Zherkës
Mysafire e podkastit tonë ishte Vesa Sahatçiu, kuratore arti që ka jetuar dhe punuar në Kosovë, Zelandë, Angli dhe Amerikë. Ky është një tekst i saj kuratorial.
Vepra e Valbona Zherkës mund të përshkruhet si një zhvillim artistik i dyfishtë; në njërën anë tematike, e njëkohësisht, në tjetrën formale e stilistike. Formimi tematik i veprës së Zherkës buron nga historitë, ngjarjet dhe dukuritë që kanë rrethuar jetën e saj e të shoqërisë ku ajo ka jetuar. Arti i saj është i lidhur pashmangshmërisht me ngjarjet e komunitetit si një pasqyrim aktiv i asaj që ka ndodhur rreth e rrotull autores në aspektin kulturor, shoqëror dhe politik.
Kjo ekspozitë mbledh një përzgjedhje të veprave të Zherkës marrë nga cikle të ndryshme: “Kullat” (1978 e në vazhdim), "Ato" (prej 1980 e në vazhdim), dhe "Rrugëtim" (1999-2023), që zhbirojnë zhvillimin e saj stilistik ndër vite, duke u fokusuar posaçërisht në punën e saj si një proces; një praktikë që në shumë mënyra përcakton veprën e saj (si pikturë, ashtu edhe tapiceri), dhe e bën këtë vepër meditative dhe ritualistike. Është e rëndësishme të theksohet këtu, se disa nga skicat dhe tapiceritë e Zherkës, dhe vepra të tjera që ajo krijoi gjatë periudhës së hershme të punës së saj, humbën në rrethana të paqarta, çka deri diku pamundëson pasjen e një vështrimi të plotë mbi veprën e saj.
Zherka përfundoi studimet për pikturë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977, për të vazhduar studimet pasuniversitare në Beograd, në klasën e Millosh Bajiq, të cilat i kreu në vitet 1980. Ishte pikërisht shkollimi akademik ai që përcaktoi gjuhën e saj artistike dhe zgjedhjen e tapicerisë si medium artistik (edhe pse ajo kurrë nuk e braktisi pikturën).
Gjuha pamore në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë, e cila pjesërisht ndikoi në formimin e saj artistik, u përcaktua kryesisht nga profesorët e saj, të cilët edhe vetë kishin studiuar në qytetet e ish-Jugosllavisë. Asokohe, nuk ishte e pazakontë për komunitetin artistik kosovar – qoftë në artet pamore, muzikë apo letërsi – që temat e përzgjedhura t’i merrnin nga ikonografia kombëtare dhe folklorike[1]. Temat me imazhe rreth historisë dhe kulturës shqiptare u përdorën nga ky komunitet artistik . Për më tepër, parë nga këndvështrimi i sotëm, ngjan se një gjuhë e tillë pamore e ardhur nga Prishtina, u pranua edhe nga qendrat e tjera ish-jugosllave. Se në çmasë u pranua, kjo është temë e hulumtimeve të mëtejme.
Për këtë arsye, është e kuptueshme që veprat e hershme të Zherkës, si tapiceria dy-pjesëshe “Kullat e Qëndresës” (1978) që është pjesë e koleksionit “Lidhja e Prizrenit”, karakterizohen nga tema dhe imazhe të tilla.
Për më tepër, zgjedhja e mediumit duket të jetë edhe një lloj rizgjimi i tradicionales dhe folklorit brenda “artit të bukur” [2]. Endja dhe punimi i leshit ishin praktika të zakonshme për bashkësitë shqiptare fshatare dhe para-industriale, me synim kryesor veshjet dhe zbukurimin e shtëpisë, dhe kryesisht të bëra nga gratë. Aktivitete të tilla ekzistonin ende në atë kohë (1970) dhe pjesërisht praktikoheshin nga komunitetet lokale. Përdorimi i tapicerive si mjet për krijimin e veprave artistike unike, si vepra ekspozitash dhe jo artizanale, dhe në përputhje me kanunet e artit bashkëkohor, përbënte një risi, edhe pse të deshifrueshme brenda kontekstit të eko-sistemi artistik në Kosovën e atëhershme. Megjithatë, ardhur si një ndryshim tejet joshës, ajo çka duket të ketë qenë rikthim i një forme tradicionale të të shprehurit, sot, nga këndvështrimi ynë, shpërfaqet si një gjest i freskët dhe novator në zhvillimin e artistes.
Vepra e Zherkës është, si të thuash, e thurur në cikle tematike. Siç shprehet ajo në një intervistë: "Për shkak të natyrës sime prej tregimtareje, veprat i punoj në cikle." [3] Temat që e preokupojnë shtrihen në periudha (ajo nuk i daton punët e saj), dhe duket se përsëriten në aktivitetin e saj artistik. Temat përbëhen nga cikli i parë "Shpresa", që përfshin ‘Kullat” dhe "Kullat e Qëndresës" (1978 -1980), cikli i dytë "Ato" (prej1980 e në vazhdim) dhe cikli i tretë i quajtur "Rrugëtim" (1999 - 2023), ose siç e quan ajo ndonjëherë "Shtegtim". Për më tepër, tema të tilla në shumë aspekte janë pikënisje për procesin e saj thuajse ritualistik të art-krijimit, ku vetë procesi i krijimit të veprës ka rëndësi parësore.
Në të vërtetë, puna e Zherkës është e orientuar drejt procesit. Ajo ka të bëjë kryesisht me aktin fizik të thurjes së tapicerisë, me mundin e madh të krijimit të secilës pjesë nga fillimi në fund. Ka të bëjë me ritualin e përgatitjes së materialit dhe bërjes së veprës. Çdo pjesë është një proces që përfshin përgatitjen e leshit, ngjyrosjen e tij, e pastaj aktin e thurjes. Veç kësaj, ajo e trajton procesin gati-gati si një “gjurmim arkeologjik”, siç shprehet ajo, proces në të cilin ajo kërkon çkado që dëshiron të nxjerrë krye, çkado që vazhdimisht e detyron të krijojë, të sendërtojë, dhe të rifillojë këtë proces nga e para.
Tek "Rrugëtim", një cikël veprash me prani dominuese në ekspozitë, vepra e Zherkës shkon krejtësisht deri në abstraksion, ndryshe nga rasti i "Ato" dhe "Kullat e Qëndresës". Ky cikël veprash nuk përmban aspak konture figurash. Përkundrazi, këtu shohim një seri vijash, shiritash, dhe sajesash vertikale apo horizontale. Vija me ngjyra të ndryshme dhe sajesa që ngjajnë si vija që fillojnë e pastaj ndërpriten. Kur flet me artisten ajo ta konfirmon se procesi i saj përbëhet ngaherë nga fillim i veprës, ndalimi për t'u kujdesur për gjëra të tjera - si punët e përditshme të shtëpisë - më pas rikthimi tek vepra, vazhdimi, fillimi, ndalimi. Janë këto fillime dhe ndalesa që njëherazi janë jehonë e shtegut të saj krijues në shumë aspekte - fillime, pengesa, ndalesa dhe vazhdime. Gjithashtu, janë një lloj dëshmie e të qenit një grua artiste, e cila duhet të këmbëngulë në hapësirën e saj, në legjitimitetin e punës dhe rëndësinë e mundit të saj, si dhe në procesin e mundimshëm të art-krijimit.
Shqipëroi: Dhimitri Bibolli
Teksti nga: Vesa Sahatçiu / Fotot: Majlinda Hoxha / Përkrahur nga MKRS të Kosovës.
[1] Shkëlzen Maliqi, Arti në Rezistencë, Shkrimet e Fundshekullit 20, Botime Koliqi, 2022, fq. 111.
[2] Në një tekst për Simon Shirokën, Shkëlzen Maliqi shtjellon më tej dallimin mes arteve të aplikuara dhe artit të bukur në atë kohë. Ideja moderniste e një vepre arti të veçantë dhe unike, në kontrast nga funksionaliteti i artizanales, tek Arti në Rezistencë, Shkrimet e Fundshekullit 20, Botime Koliqi, 2022, fq. 128-129.
[3] Nga Secondary Archive, një platformë në internet.