Shpëtimi (megjithatë) ka shpresë
Një intervistë TenTen me Shpëtim Selmani për kujtimet, Houellebecqun dhe refuzimin (imagjinar) prej Janis Joplin...
Shpëtim Selmani osht poet, aktor dhe njeri që nuk i pëlqejnë fort idhujt. Osht prezencë kudo që lëviz nëpër shehër, me një qetësi që e mbështjellë me një aurë intriguse të dikujt që e din që n’këtë shoqni tonën ma mirë kalon mos me ditë shumë.
Një djalë i lindun në Prishtinë, që kujtimin ma të hershëm e ka nga koha kur me babën e tij ishte pjesë e një tubimi historik të Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve, dhe që ende sot e mban atë moment në gjoks—literalisht, në një bluzë. Rrëfimet e tij nga kjo intervistë kalojnë nga fminia e mbushun me humor e ngacmime nga gjyshja, në një natë kur, pas leximit të Houllebecq, iu ndryshu plotësisht mënyra e të mendumit për ekzistencën.
Një njeri që irritohet nga trafiku, propaganda dhe humori pa shije, por që në imagjinatën e tij kish pas qef me jetu në Hotel Chelsea të viteve '60, i rrefuzum dashnie nga Janis Joplin, apo si pastrus në librarinë e Ferlinghettit gjatë periudhës së Beat Generation. Mbi të gjitha, lumtuninë e gjen në t’qenurit babë, ndërsa shpresën e sheh si diçka personale dhe të komplikume—një e mirë që mund të mos jetë hiç kolektive, por mbetet e dëlirë dhe njerëzore.
Muhabeti me Shpëtimin, përndryshe edhe fitus i Çmimit europian për letërsi dhe pjesëmarrës në shumë rezidenca e panaire librash, osht një udhëtim i vogël dhe intensiv përmes kujtimeve, dëshirave dhe refuzimeve të tij personale—plot sinqeritet e humor që tepër na pëlqen, dhe jo pak melankoli.
Tung Shpëtim, cili osht kujtimi jot ma i hershëm i fminisë që e mban në mend qartë?
Bashkë me babin kam qenë pjesë e një tubimi të madh nga Anton Çeta përkitazi me pajtimin e gjaqeve. E mbaj mend se e kam imitu dhe i kam argëtu familjarët e mi. Poashtu mbaj mend se një vjershë që ishte për të nuk arrija kurrë ta incizoja në një kasetë radioje sepse më ngacmonte axha jem kur nuk arrij t’i shqiptoja mire ca fjalë.
Sot e mbaj një bluzë me foton e Anton Çetës, me shumë respekt. Natyrisht e mbaj mend edhe loken/gjyshen, e cila më ka ngacmuar gjatë tërë kohës. Pastaj rrëzohej duke qeshur me reagimet e mia.
Cili libër që e ke lexu ta ka ndrru opinionin krejt për diçka?
Më kujtohet shumë mirë. E kam përfundu librin në Tingle Tangle. Ka qenë mbrëmje. “Fusha e zgjerimit të luftës” nga Michel Houllebecq. Tash nuk dua ta ekzagjëroj por ndjeja se dridhesha. Isha i habitur edhe vetë. Dhe krijoja opinione krejtësisht të reja mbi ekzistencën, shoqërinë, seksin, humanizmin. Shumë vite më vonë ishte planifikuar një takim mes Houllebecq dhe disa shkrimtarëve pjesëmarrës të një festivali letërsie, ku bëja pjesë edhe unë. Por në momentin e fundit ishte zhdukur. Nuk kishte ardhur fare. Isha i dëshpëruar. Fjeta në dhomën e hotelit duke e sharë.
Kush jon heronjtë e tu?
Përgjithësisht nuk kam prirje të besoj në idhuj. Në modele apo në idol. Apo edhe në heronjë. Do të thoja ka shumë njerëz që i admiroj. Muzikantë. Shkrimtarë. Artistë të ndryshëm. Por edhe njerëz të thjeshtë. Jam i rrethuar nga ta. Politikanët nuk i duroj. I dua njerëzit që kanë integritet. Që kanë dinjitet. Që punojnë për të mirën e përbashkët. Që janë kundër luftës. Që luftojnë kundër paragjykimeve, shtypjes dhe ideologjive të sëmura shoqërore e politike, që sot po na shktaërrojnë. Ka shumë njerëz që nuk jetojnë më por që kanë lënë gjurmë dhe histori pas tyre. Në fund të fundit mjafton që secili prej nesh të jetë hero qoftë vetëm për një ditë siç aspironte Bowie. Përballë kompleksitetit dhe bukurisë së jetës.
Çka po të pengon apo iriton apo të bon nervoz në këto kohna të sotshme?
Trafiku. Agresioni dhe humbja e sensit njerëzor. Fashizmi në dije. Propaganda. Snobizmi. Tendenca për ta poshtëruar tjetrin. Humori pa shije. Gatishmëria e hamamtë për epërsi.
Me mujt me zgjedh me jetu në hapsinë dhe kohë tjetër prej kësaj ku je sot, ku dhe kur kishe jetu? Pse?
Kisha jetu përsëri këtu. Nuk jam i interesuar për Marsin. Le ta marrin robotët e shpifur. Por në një kohë tjetër. Kisha dashur të jetoja në Hotel Chelsea në vitet e 60- ta, si një burrë i refuzuar nga Janis Joplin. Kisha dashur të isha pastrues i librarisë së Ferlinghettit, në vitet e Beat Generation apo të isha një djalë i ri që i shkon pas Roberto Bolanos dhe miqve të tij, gjatë periudhës së Infrarealizmit në Meksikë.
Kur ke qenë ma i lumtuni ndonjëherë?
Kur jam bërë babë. Natyrisht lumturia ka një çmim të pashmangshëm. Përgjegjësinë. Por përgjithësisht jam tip që nuk pretendoj të jem peng i saj. Kam shumë arsye të jem i lumtur. Kam shumë arsye të mos jem. E rëndësishme është vetëdija mbi të qenit.
Mos t’ishe konë poet, çka kishe pas qef mu bo?
Unë kam studiuar aktrimin. Shpesh nuk më pëlqen të jem as poet e as aktor. Kam ëndërruar të jem këngëtar, futbollist, kopshtar. Do të doja të isha drejtor artistik i një teatri fshati dikund në tokat nordike.
Çka osht sherri ma i madh që munden me bo dikush dikujt?
Ta përqeshësh. Ta tallësh ekzistencën e dikujt. Për mua është e padurueshme. E neveritshme. Ta pengosh tjetrin vetëm pse mundesh. Ta synosh eliminimin ndaj tjetrit vetëm pse mendon ndryshe. Vetëm pse ke forcë. Vetëm pse është ndryshe brenda logjikës së konstruksioneve të krijuara.
A ki bllokadë trunore nëjherë që s’din çka e qysh me i qit mendimet në letër?
Shumë herë. Nuk di. Nuk më pëlqejnë. Bëhem përtacë. Them nuk ja vlen. Them po çka nëse kam të drejtë. Nuk e sforcoj veten. Pas pesë vitesh e kam gati edhe një libër në prozë. Gjithmonë kam shkruar kur kam ndjerë se nuk kam shteg tjetër.
A ka shpresë që bohet ma mirë?
Shpresa megjithatë ekziston :) Nuk e di a ka besim në të. Besimi ështe elementar. Unë çdo ditë e më shumë jam pa shpresë përballë një të mire kolektive. Një të mirë që na takon të gjithëve. Por shpresëplotë tek shpirti i dëlirë i njeriut. Më lejo në fund të të falenderoj Arli për këtë mundësi. Shumë kënaqësi.
Kejt n’fund qe edhe një poezi nga Shpëtimi
BABAI ISHTE NJË LUM I RRËMBYESHËM
Babai im ishte një lum i rrëmbyeshëm
Që derdhej në hënë. Por para
Se të gjithash ishte punëtor i madh.
Gjatë tërë jetës së tij kishte punuar me home phone,
Duke dashuruar paqebërësit, gjumin dhe
Lajmet e mbrëmjes në Tv.
Ai shpëtoi në luftë,
Kur bashkë me ushtarët serb kishin bërë një marrëveshje,
Që ta hapin një varr të madh. Me duar.
Si kafshë të çuditshme. Për të. Por.
Nganjëherë zogjtë janë cool dhe zoti i ngjan
Një njeriu që na ndihmon. Dhe për këtë arsye
Babai im ndonjëherë fliste me mjegullën, me shiun
Dhe me stuhitë dhe me vesën e mëngjesit,
Faleminderit, faleminderit, faleminderit,
Kur kthehej nga puna dukej si një gjigant i lodhur,
Hante, i bërtiste nënës time sepse ishte shumë nazeli,
Eh, jetë o jetë,
Tash që ka vdekur, shihja shtëpinë e vjetër në mënyrë
Që ta kujtoja ngase për mua është e shumë e vështirë
Të mendojë mbi diçka nëse nuk gjej një shkak,
Dhe po. Një kapelë e vjetër. Varur në mur.
Në dhomën e tij ku dikur ishte martuar.
Një kapelë e vjetër. Mbushur me myk.
Dhe me merimanga.
Kapelja e babait tim.
Vetë ai.
Dhe zoti që qesh.