Rrëfimi i ri i Runikut
Një fshat drenice ishtë një nga pikat kryesore të artit në Kosovë. Aty është gjetur instrumenti i parë muzikor në këtë kënd europian, okarina 8000-vjeçare. Tash arti dhe kultura do t'i kthehet Runikut
Gjithçka ja nisi me një instrument muzikor.
Okarinën shumëkush e njeh nga loja kompjuterike Zelda, por një okarinë e vërtetë frymore, okarina e Runikut, është zbuluar në fshatin Runik në Skenderaj dhe është e njohur si okarina ma e vjetër në Evropë. Ajo daton të paktën 8000 vjet ma parë dhe osht instrumenti muzikor ma i vjetër parahistorik në Kosovë dhe në krejt rajonin e Ballkanit. Sot ky artifakt i çmueshëm për krejt njerëzimin osht në Beograd, pasi që mijëra eksponate nga Muzeu Kombëtar i Kosovës u vodhën nga Serbia më 1998 dhe kurrë nuk u kthyen në Kosovë.
Shumë mija vjetë ma vonë, Runiku ishte fshat që përsëri u bo vatër e veprimit kulturor, falë një shpije të kulturës të ndërtuar më 1950 e cila në dekadat pasuese, deri sa u mbyll me dhunë nga regjimi i Milosevicit, u shëndrru në një epiqendër të kulturës dhe artit në Drenicë dhe ma gjanë.
Shpija e Kulturës së Runikut ishte e ngjashme me qindra sosh ndërtuar mas Luftës së Dytë Botnore, kur ish regjimi jugosllav ndërtonte konceptin e vet të ‘emancipimit’, ngushtë ndërlidhun me indoktrinim komunist. Shpija të tilla të kulturës të ndërtume përgjate dekadave mas L2B, e përcjellnin modelin e ‘maisons de la culture’, që u ndërtuan në Francë nga ministri i famshëm francez André Malraux.
Shpija e kulturës në Runik u bo një pikë e izolume e emancipimit të shqiptarëve dhe komuniteti arriti me kriju një qendër të vërtetë të kulturës, sidomos pas 1970-ave dhe përforcimit të autonomisë së Kosovës nën sistemin ish-jugosllav, kur u çel edhe universiteti shqip dhe filloi një rilindje e vogël e shprehjes artistike dhe kulturore shqiptare. Në Runik kishte librari me 8000 libra, shfaqje teatrale, performanca të valleeve folkloristike, bile një kohë botohej edhe një gazetë e titullume “Shkrepëtima”, falë një mësuese të re Sala Ahmetajt, e cila vinte nga Radisheva fqinje për ta edituar gazetën në një makinë shtypi të vjetër. Shpija e kulturës kishte edhe kooperative bujqësore pranë për një aktivitet modest ekonomik, tu prodhu çka sot kishin mu qujt perime të shëndosha organike.
1990-tat sollën degradimin dhe shkatërrimin.
Në Runik pllakosi heshtja. Pak vite më vonë mbretëroi tmerri i luftës, masakrave, shkatërrimit që solli Serbia sidomos në Runik, Drenicë - dhe ma vonë edhe në krejt Kosovën - ku ishte edhe vatra kryesore e rezistencës dhe themelimit të UÇK-së.
Sot në Kosovë, shumica e shpijave të vjetra të kulturës ose janë shkatërruar tërësisht, ose janë hije të atone të moçme, kryesisht tu u përdor për tubime partiake dhe me pak përmbajtje kulturore.
Por për Runik, fati i mirë erdh nga një djalosh runikas. Petrit Halilaj ishte refugjat në Shqipëri kur u zbulua si talent arti dhe filloi rrugëtimin e tij global artistik (për fillet e Petritit rekomandojmë ta lexoni këtë foto-esej të botum rishtaz në Substack).
Pak vjetë pas luftës, më 2009, Petriti ju rikthye fshatit me një instalacion arti kontemporan titullum 'They are Lucky to be Bourgeois Hens II' (“Janë të lumtuna mu kanë pula borxheze II”), një kotec të pulave në formë rakete fluturuese (pulat janë omniprezente në opusin e hershëm artistik të Halilajt, inspirum prej faqes së famshme të Abetares për shkronjën ‘P’, që e dijnë krejt kosovarët “Pulat e Petritit”).
Pak vite ma vonë, Petriti gjeti inspirim edhe në okarinën legjendare, për një punim tjetër arti që morri hovin në galeria ndërkombëtare. Punimi i 2014 e quati “Si okarina e Runikut”.
Petriti i Runikut në ndërkohë u bo yll në botën e artit kontemporan. Ishte përfaqësuesi i parë ndonjëherë i Kosovës së pamvarun në Bienalën e Venedikut dhe filloj të ekspozohet nëpër galeritë ma të famshme në botë.
Iu kthye Runikut përsëri me një shkrepëtime të vërtetë. Me 2019 e shfaqi performancën “Shkrepëtima (pa dyshim inspirume nga gazeta e moçme e kulturës botume në katund).
Performanca ishte një kombinim të copëzave të shfaqjeve teatrale që janë shfaqur k’tyne herë në Shpinë e kulturës (“Toka jonë” e Kolë Jakova, “Cuca e maleve” e Loni Papa, “Nita” e Josip Relës dhe “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendi, ishin dramat e përzgjedhuna të re-intepretume nën shkopin magjik të Petriti), kostume (që ndoshta janë eko të zakoneve të vjetëra të karnevaleve rurale ballkanike), videove dhe vizatimeve. Sipas kuratorit Leonardo Brigazzi, me “Shkrepëtima”, Petriti “ka zhvillu një reflektim të thellë mbi mekanizmat e ndërtimit të identitetit kulturor, mbi vlerën e kujtesës dhe mbi rolin e artit në formësimin e vetëdijes kolektive në shoqërinë bashkëkohore.”
Shkrepëtima e cyti Ministrinë e Kulturës ta shpall objektin e gjysmë-rrënuar si objekt të trashëgimisë kulturore. Petriti në ndërkohë e themelon fondacionin “Hajde” dhe shumë shpejt fillon procesin e konsultimeve se çka me bo me Shpinë e kulturës në Runik. Pas shumë diskutimesh, planifikimesh, projektimesh me një proces të përkrahun edhe nga Komuna e Skenderajit, organizatat si Cultural Heritage Without Borders, Ministria e Kultures, dhe fondet vetanake të fondacionit “Hajde”, Halilaj zbuloi se objekti do të restaurohet dhe do të jetë bazë për një qendër të re kulturore, me ndërtesë multifunksionale dhe program të pasun vjetor.
Tash së fundi u prezantua edhe projekti final, dizajnum nga arkitektët e “Ars Atelie” ku kanë me u përfshi edhe dy teatro të hapura, një prej tyre edhe me rol kinemaje verore, bibliotekë, sallë leximi, e muze për eksponate arkeologjike nga Runiku.




Runiku i imagjinatës së Petritit vazhdon rrugëtimin e vet, së fundi edhe në formë të ekspozitës së Petritit në Museo Tamayo të Meksikos, një ekspozitë e parë vetanake e ndonjë kosovari në Amerikë Latine.
Runiku gjeti vend edhe në në mega-ekspozitën e Petrit Halilaj “Abetare” në Metropolitan Museum of Arts, me vizatime fëmijësh të stërzmadhume, marrë nga bankat e vjetra të shkollës fillore.
Runiku i Petritit tash gjindet edhe në faqet e gazetave si New York Times, VOGUE, etj.
Ndërsa Runiku në Kosovë po fillon një rrugëtim të ri, po e hap një kapitull të ri të rrëfimit të artit e kulturës, që pa dyshim do të shkrepëton përtej kufijve të Kosovës.
E bonëm edhe një intervistë me Adrian Berishën, Drejtor ekzekutiv i fondacionit “Hajde” për këtë zhvillim shpresues.
Arlinda: Shpija e Kulturës në Runik osht e rrënume, si plot objekte të vjetra që kanë mbetë pa infrastrukturë dhe pa objektiv në dekadat e fundit. Por ky objekt po rilind tu falënderu fondacionit HAJDE dhe Petrit Halilaj. Çysh keni qef me pa këtë qendër mas 5 vjetve?
Adriani: Ne 5 vitet e ardhshme, na e shohim Shtëpinë e Kulturës në Runik si nji qendër e gjallë kulturore e edukative që sjell bashkë komunitetin e të gjitha moshave dhe artistë, hulumtues e vizitorë nga vendi, rajoni e më gjerë. Qëllimi osht që kjo hapësirë mos me qenë veç ni ndërtesë e restaurume, por ni vend super aktiv ku organizohen aktivitete të ndryshme edukative e kulturore në mënyrë që me e pasuru jetën sociale në Runik e rrethinë. E shohim si nji pikë kyqe ku historia takohet me të tashmen e ku mund të zhvillohen projekte që lidhin artin, historinë e komunitetin.
Arlinda: Arkitektura dhe dizajni i propozum po doket fresh, tu e rujt esencën e objektit të vjetër ama me një petk të ri e funksional. Çka ka qenë qellimi i propozimit të renovimit/rehabilitimit/rikrijimit në aspektin thjesht arkitektural e hapësinor?
Adriani: Qëllimi kryesor i projektit të punum nga ekipa e Ars Atelie ka qenë që objekti me rujtë identitetin e tij historik, duke e integru atë në nevojat e nji qendre bashkëkohore edukative e kulturore. Arkitektura është mendu në mënyrë që mos me fshi të kalumën, por me theksu atë përmes materialeve dhe formave që evokojnë kujtesën kolektive të qytetarëve. Dizajni ka synu me qenë inkluziv, fleksibil dhe funksional, duke kriju hapësira të hapuna për performanca, aktivitete komunitare dhe ekspozita. Pra, Shtëpia e Kulturës nuk është thjesht veç nji restaurim, por një rikrijim i saj si një vend i ri me shpirt të vjetër.
Arlinda: Runiku koxha ka histori, bile me okarinën e gjetun, me mija vjet të vjetër. Qysh nderlidhet historia e moqme, me historinë pak ma te vjetër të vieve të komunizmit me programin kontemporan te Hajde sot?
Adriani: Historia e Runikut është nji mozaik i periudhave të ndryshme, nga epoka e lashtë e deri te vitet e komunizmit dhe periudha e pasluftës. Okarina e Runikut është një simbol që dëshmon për lidhjen e kësaj zone me artin dhe kulturën për mijëra vjet. Ndërsa Shtëpia e Kulturës, e ndërtume gjatë komunizmit, ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore për dekada.
Sot, programi i Hajde synon ta lidhë këtë trashëgimi me praktikat bashkëkohore, duke kriju një urë mes të kalumës dhe të ardhmes. Përmes artit, muzikës, debatit dhe edukimit, na e shohim këtë hapësirë si nji vend ku mund të zhvillohen narrativat e reja duke respektu dhe duke u frymëzu nga e kaluara. Qasja jonë është që kultura mos me u pa si diçka statike, por si një proces i vazhdueshëm që ndërtohet mbi historinë dhe trashëgiminë.