Një koleksion i rastësishëm.
Qysh grumbullova më shumë bluza sesa që kam vend për to? Një shkrim, eksluzivisht në gjuhën shqipe për Suzanne Substack, nga shkrimtari japonez Haruki Murakami.
Nuk kam ndonjë interes të veçantë me mbledh gjëra si koleksionues, por ekziston një lloj situate që gjithmonë përsëritet në jetën time: pavarësisht indiferencës sime, objektet diqysh grumbullohen përreth meje.
Grumbuj e grumbuj me disqe LP, aq shumë saqë e di që nuk do t'i dëgjoj kurrë të gjitha; libra që tashmë i kam lexu dhe që ndoshta nuk do t’i hap kurrë më; një kallaballëk i çrregullt me artikuj të premë revistash të vjetra; lapsa të vockël dhe të përdorun aq shumë sa nuk futen më në mprehës.
Gjithfarë gjërash vazhdojnë të grumbullohen rreth meje.
Bluzat janë një nga ato gjëra që natyrshëm grumbullohen. Janë të lira, kështu që, sa herë që ndonjë bluzë interesante më bie në sy, e blej. Njerëzit më dhurojnë bluza të ndryshme nga e gjithë bota, do i marr si kujtim kur vrapoj maratona, por edhe kur udhëtoj shpeshherë i blej disa të reja, në vend se me i marrë me vete prej shtëpisë pak rroba shtesë.
Prandaj, numri i bluzave në jetën time është rritë kaq shumë sa që nuk ka më vend për to në dollapët e mi, dhe më duhet që tepricën ta ruaj nëpër kuti kartoni të vendosuna njëra mbi tjetrën.
Sa herë shkoj në SHBA, sapo largohem nga aeroporti dhe vendosem në qytet, gjithmonë më shfaqet dëshira me dalë, pa ia fal dakikun, e me ta hangër një hamburger. Është një lloj epshi i natyrshëm, por gjithashtu mundeni me imagjinu edhe si një lloj rituali që e kaloj. Jam OK me të dyja përshtypjet.
Idealja për mua është të shkoj në një fast-food hamburgerësh kah ora një e gjysmë, mbasi që turma e drekës është largu, me u ulë te banaku dhe me e porositë një birrë Coors Light të ftohtë dhe një cheeseburger. Kam qejf që hamburgeri me qenë i pjekun mesatarisht, dhe gjithmonë marr edhe qepë të reja, ndonjë domate, sallatë jeshile dhe kastraveca turshi. Plus, një porcion pomfrit - dhe - si një shok i vjetër që po e vizitoj, një porcion sallatë laknash. “Partnerët” kryesorë në krejt këtë muhabet janë senfi (duhet të jetë Dijon) dhe keçapi Heinz.
Ulem aty, duke e shiju qetësisht birrën time Coors Light, dëgjoj zërat e njerëzve përreth dhe zhurmën e enëve… E përjetoj me përqendrim krejt atmosferën e këtij vendi tjetër, derisa pres me ma pru cheesburgerin. Dhe bash në një asi momenti më bie ndërmend që, po, unë jam përnime në Amerikë.
Kjo bluzë ka një mesazh të thjeshtë: “Edhe keçapit i qes keçap”. Kjo është moto e dikujt që përnime është i dashurum me keçapin. I bie thuajse me i përqesh krejt ata amerikanë që qesin keçap në gjithçka ama më duket interesante që kompania që i shpërndan këto bluza është pikërisht Heinz. Një humor i lehtë vetë-ironie, por nuk muj mos me e përjetu frymën amerikane në të, atë mungesën e hareshme të çfarëdo introspeksioni që thotë: “Kujt i intereson me qenë i sofistikum! Unë e bëj atë që du”!
Kur shëtis në qytet me këtë bluzë, amerikanët nganjëherë më thonë: “Love your shirt"! Ata që më flasin kështu, zakonisht e kanë atë pamjen e fytyrës – “Unë e du keçapin”. Nganjëherë më vjen me u përgjigj me – “Hej, mos më shtini në një grup me juve”, por zakonisht veç buzëqeshi thjeshtë dhe u them: “Po, shumë e bukur a? Ha-ha”. Ky lloj komunikimi me bluza, koxha e gjallëron përjetimin amerikan.
Kjo kurrë nuk ndodh në Europë. Ma së pari, europianët në përgjithësi gati kurrë nuk përdorin keçap.
... (bluzat e mija)
Kjo bluzë është nga Ventura Surf Shop, në komunën e Ventura’s, një epiqendër surfingu e pasanikëve afër Santa Barbara. Motoja është goxha e lezetshme, ama a ta ndërron jetën përnime? Vështirë me e konfirmu.
Pi goxha shumë Heineken sa herë që shkoj në SHBA. Në bare të zhurmshme me shumë tollovi duhesh me bërtitë për me porositë, dhe e kam kuptu se një brend që mundem me e shqiptu me vetëbesim është - Heineken.
Duhesh me qenë më i guximshëm se që ta merr mendja për me veshë bluza me tematikë të kerreve. Vështirë e kam me imagjinu se kur e kisha veshë ndonjë bluzë Shelby Cobra, por mund ta paramendoj që shkon mirë me xhaketë Comme des Garçons.
Kjo bluzë është nga revista britanike The Economist. Mesazhi “Mendo me përgjegjësi” është goxha me stil, ama prapëseprapë është veç një bluzë dhe më bën të mendoj qysh kisha me reagu në një urdhër aq të premë dhe sfidues.
Kur mora pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Librave në Reykjavík, pata fjalim në këtë universitet. Popullata totale e Islandës është veç 350,000, prej të cilëve 10,000 janë studentë këtu. Përqindje e hatashme.
E kam ble këtë bluzë të Ramones në një shitore veshmbathjesh të përdoruna që quhet Bookoff në Kyoto. Por, kurrqysh nuk po mund ta bind veten me e veshë jashtë. Ka do kufij kur i bën 70 vjet.
(Suzanne ju sjell një esej të shkurtë dhe simpatik nga Haruki Murakami, botuar shqip në bashkëpunim me revistën e famshme The New Yorker, dhe me ilustrim ekskluziv nga Rina Krasniqi. Përkthyer shqip nga P. Selimi)
Kur vij rrotull mes ushqimngrenesve e ngrehalucave te ketushem, per ate “mungesën e hareshme të çfarëdo introspeksioni” me merr malli me shume se per gjithshka.