Nisma e mirë
Kosova ka pasë shumë OJQ dhe nisma të ndryshme qytetare përgjatë viteve por pak prej tyne kanë pasë suksesin dhe zanin e Nismës së Rinjve për të Drejtat e Njeriut që tash po e feston 20-vjetorin.
Nëse keni dëgju për gratë që ballafaqohen me dhunën nga burrat dhe mosndihmë nga shteti; apo për geja a lesbike që hasin në diskriminim nga institucionet apo shoqnia; nëse lexoni për fëmijët romë që përjetoni thymje të drejtave themelore nga shkolla ose naj institucion publik; apo shihni rrëfime për familjarë që ma të dashunit ju kanë zhduk në luftë - tash e 20 vite kauzën e pjesës ma të lëndushme të shoqnisë e ka mbrojt Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë apo Youth Initiative for Human Rights – Kosovo. Motor i zhvillimit të organizatës rajonale ka qenë Andrej Nosov, mysafir i shpeshtë në Prishtinë dhe Sara Maliqi, aktiviste e njoftun nga Prishtina.
YIHR KS osht themelu në vitin 2004. Për 20 vite, YIHR KS ka punu me sukses në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në veçanti, YIHR KS osht fokusu në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, si dhe fuqizimin e rinisë në nivel lokal dhe rajonal. Po e sjellim një muhabet të vogël me drejtoreshën e tanishme Marigona Shabiu, masi këtë javë po organizohet Human Rights Week.
YIHR po i feston 20 vjet te misionit për mbrojtjen dhe promovimin e drejtave të njeriut. Realisht, qysh i konsideron këto 20 vjet sa i përket drejtave te njeriut në Kosovë? A osht gota gjysëm-zbrazet a gjysëm mbushun?
20-vjetori ka qenë një vit emocionues për të gjithë ne. Janë plot dy dekada luftë e pandalshme, fuqizuese, por shpesh edhe dërrmuese, për barazi, drejtësi, liri e paqe. Edhe pse shpresa është e rëndësishme, për në gota është gjithmonë gjysmë e zbrazur, përderisa ende ka individë dhe grupe të margjinalizuara që jetojnë me pasiguri dhe frikë, dhe përjetojnë dhunë sistematike. Aktivizmi ynë nuk përfundon me të drejta të pjesshme.
Cilat janë këto vitet e fundit sfidat kryesore te drejtat e njeriut? Cilat janë grupet me te rrezikuara?
Këtë vit po e organizojmë Javën e të Drejtave të Njeriut për të 11-tën herë në datat 10 - 13 dhjetor nën sloganin “KËRKOJMË LIRI”. Për ne, liri do të thotë fund diskriminimit, fund dhunës, fund femicidit dhe LGBTQI+fobisë. Urrejtja, dhuna dhe diskriminimi mbi baza identiteti janë cenimi më i lartë i dinjitetit njerëzor. Ne theksojmë se vajzat dhe gratë, komunitetet jo-shumicë, komuniteti LGBTQI+, po përballen me diskriminim e dhunë sistematike në Kosovë. Përpjekja jonë kolektive si organizatë është t’i mështesim dhe të qëndrojmë në solidaritet me rezistencën që po shfaqin kundrejt një sistemi kaq shtypës.
A mendoni se në Kosove ka balans të duhur në mes drejtave individuale dhe atyre kolektive?
Filozofia e aktivizmit tonë si YIHR KS, të cilën e kemi theksuar edhe në këtë edicion të Javës për të Drejtat e Njeriut, është se askush nuk është i/e lirë derisa të gjithë/a të jemi të lirë/a. Kolektivi nuk duhet të jetë asnjëherë i kënaqur, përderisa ka ende individë që jetojnë në margjinë.
Grate po ballafaqohen me cenime te drejtave te njerit, perfshi edhe dhune ekstreme? Cilat janë hapat kryesore që mendoni se jane të domosdoshme për me e zgjidh problemin e pabarazisë gjinore?
Femicidi dhe dhuna me bazë gjinore janë probleme alarmante dhe kërkojnë prioritizim shtetëror të menjëhershëm! Duke u bashkuar në thirrjet e lëvizjeve të tjera aktiviste, besojmë fuqishëm se nuk duhet të ketë më thirrje të humbura në kuptimin literal të fjalës. Neglizhenca institucionale për mbrojtjen e grave dhe mos-ndëshkimi i duhur i dhunuesve duhet të ndalet menjëherë.
Ne koherat e politizume dhe polarizume, drejtat e njeriut por edhe shprehja e lire osht shumë e rrezikume. Qysh e sheh situaten sot me drejten e shprehjës së lirë?
Shprehja e lirë është kyçe për një shoqëri të ndërtuar mbi parimin e lirisë dhe barazisë. Por – dhe kjo është një “por” i madh – gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese nuk janë asnjëherë shprehje e lirë. Madje, e shohim si tejet kërcënuese manipulimin dhe deformimin e lirisë së shprehjes për të nxitur urrejtje e krime të urrejtjes – një fenomen që e kemi parë të ndodhë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe nga përfaqësuesit/e shtetërorë, e që duhet jo vetëm të ndalohet, por edhe të dënohet.