Monday Marks, 9 mars
Edhe pak vjen pranvera, por ngjarjet e artit dhe kulturës kanë nisë me i ardhë era pranverë. Qe Monday Marks, top lista e eventeve, përfshi disa në open-air, që shpalosen këtë javë.
Pranvera po troket në Prishtinë dhe qytetet përreth me një kalendar të pasun ngjarjesh kulturore.
Këtë javë mund ta nisni me ekspozitën e parë personale të artistes Laureta Hajrullahu në Galerinë Kombëtare. Në Bibliotekën Kombëtare prezantohet ekspozita e Anaïs Horn dhe Verena Walzl, e cila përmes xhudos dhe portreteve monumentale reflekton mbi butësinë si formë force. Në Pallatin e Rinisë, Baleti Kombëtar i Kosovës sjell “Terminal”, ndërsa në Gjakovë vjen premiera e komedisë “Thashethemet”, një rrëmujë sekretesh dhe situatash absurde që i shkojnë për shtat qytetit të hajgareve.
Përtej skenës, ka edhe shumë arsye për me dalë jashtë: në PaSipërFaqe organizohet një panair me libra të përdorur dhe një mini-ekspozitë me edicione të vjetra; në Hani i Dy Robertëve mbahet debati mbi marrëdhënien mes kulturës publike dhe asaj të pavarur; ndërsa Kino Armata hap një program dyditor për portretizimin e shqiptarëve dhe romëve në kinemanë jugosllave.
Në Pejë shfaqet filmi klasik “Hiroshima mon Amour”, një histori e paharrueshme dashnie dhe kujtese, kurse në DefyThem një super-bend lokal i bën homazh Queens of the Stone Age me një natë stoner rock. Nëse s’keni kohë për libra, platforma “Libra me Zâ” ju fton t’i dëgjoni si audiolibra, ndërsa për ata që duan pak më shumë temperaturë pranverore, Tirana Street Party e “Ditës së Verës” premton muzikë dhe festë në mes të qytetit.
Full house! Ishmenada dikah!
Me pa: Ekspozitë personale e Laureta Hajrullahu “Të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh” / Galeria Kombëtare në Qafë, Prishtinë
Ekspozita e parë personale e Laureta Hajrullahu çelet me 11 mars, në Galerinë Kombëtare të Kosovës (objekti te qafa), e kurume nga Michalina Sablik sjell një udhëtim përmes identitetit dhe hapësinave digjitale, ku lojnat, algoritmet dhe kultura e internetit ndërthuren me objekte fizike dhe video imersive te komisionume bash për këtë ekspozitë. Në praktikën e saj, artista Laureta mbështetet në spekulim, folklor digjital dhe mbetjet emocionale të jetës online, tu e pa identitetin si një entitet që redaktohet dhe ripërkufizohet vazhdimisht. Intriguse!
Me pa: Ekspozitë e Anaïs Horn & Verena Walzl “Butësia kontrollon fortësinë” / Biblioteka Kombëtare e Kosovës
Për herë të parë në Kosovë, artistet vizuale Anaïs Horn dhe Verena Walzl prezantojnë kërkimin e tyne artistik, tu i eksploru idetë e heroizmit, disiplinës dhe forcës së heshtun të butësisë. Përmes portreteve monumentale, tekstit dhe elementeve performative, ekspozita reflekton mbi mënyrën se qysh shoqënitë bashkëkohore riformësojnë figurën e heroit, tu e marrë në shqyrtim një praktikë sportive të popullarizume te na, atë të xhudos. Ekspozita osht e kurume nga Blerta Hoçia, dhe hapet me 13 mars, ora 19:00.
Me pa: Shfaqja e baletit “Terminal” / Baleti Kombëtar i Kosovës, Pallati i Rinisë
Baleti Kombëtar i Kosovës po vjen me shfaqjen “Terminal”, një produksion koreografik nga Evgeny Kolzov dhe Romane Petite. Shfaqja ka me u mbajt të premten, më 13 mars 2026, me fillim nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Një shfaqje lozonjare me rrëfime të interpretume në lëvizje inpsirume nga ngjarje që shvillohen në aeroport.
Me pa: Shfaqja teatrale premierë “Thashethemet” / Teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë
Qe një premierë e komedisë në qytetin që i don hajgaret. Fjala osht për shfaqjen “Thashethemet”, e bazume në veprën e Neil Simon, me regji nga Besim Ugzmajli. Sonte osht premiera në teatrin “Hadi Shehu”, nesër vjen repriza. “Thashethemet” shfaqet me humor pa hile, situata absurde dhe ritëm intensiv që s’t’len me marrë frymë. Sekretet dalin sheshit, dyrt hapen në momentin ma të gabum, dhe askush nuk del i padëmtum nga… fjala! Luajnë: Arbies Komoni, Altina Kusari, Besfort Berberi, Elida Shasivari, etj
Me lexu, me shfletu, me ble nëj libër: Panair dhe mini-ekspozitë librash të vjetër / Pika pa Sipërfaqe, Prishtinë
Qe një ngjarje pak ma ndryshe ku mundeni me gjet libra me çmime shumë të volitshme. Të premten dhe të shtunën (13-14 mars) nga 09:00-19:00, botuesi Pika pa Siperfaqe organizon panairin e radhës, ku mundeni me ble libra të përdorun në gjuhen shqipe dhe gjuhë tjera - por edhe me e pa ekspozitën e líbrame të vjetër, edicioneve të para, etj. Adresa osht përgjatë rrugës Çerçiz Topulli, nja 100m nga gjimnazi “Sami Frashëri.
Me marr pjesë: Debati Publik me temën “Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur” / Hani i dy Robertëve, Prishtinë
Seria e debateve të kulturës në kuadër të programit “Fuqizimi i Kulturës”, po vazhdon me temën “Kultura Publike dhe Kultura e Pavarur”, në kafe-galerinë e njoftun “Hani i Dy Robertëve”. Pjesëmarrës janë Sibel Halimi, Jeton Neziraj, Rozafa Maliqi, moderume nga Diona Kusari. Data osht me 11 Mars, nga ora 18:00. Debati e ka pikënisje diskutimit se çfarë osht marrëdhënia mes kulturës publike, që funksionon me resurse dhe financim shtetnor (muze, teatër, galeri, biblioteka, salla koncertesh etj.) dhe kulturës së pavarun gjithnjë e më vibrante, ama që nuk ka burimet e garantume financiare.
Me këqyr: Shfaqja e filmit “Hiroshima mon Amour” / Kino “Jusuf Gërvalla”, Pejë
Filmi i njoftun francez “Hiroshima mon Amour” po vjen ne Kinemanë Jusuf Gërvalla të Pejës. Ngjarja: një aktore franceze po xhiron një film pacifist në Japoni; ajo përfshihet në një aferë të shkurtër dashnie me një arkitekt japonez. Ata flasin në një dhomë hoteli, në një bar, në errësirën e natës. Ajo rrëfen veten: vajzën e vogël nga Neversi që, në Francën e pushtume, dashuroi një ushtar gjerman… Rrëfimi i saj është i dhimbshëm, rrezatues, i frikshëm dhe njëkohësisht qetësues. Regjisor Alain Resnais. Filmi shfaqet më 10 mars, duke filluar nga ora 20:00.
Me ngu e me kcy: Rexhep Qotsa me Queen of the Stone Age tribute / DefyThem, Prishtinë
Tribute Series po vazhdon në qendrën kulturore alternative Defy Them. Bendi Rexhep Qotsa performon kangët e QOTSA, të shtunën me 14 Mars. Mbretneshat e stonerave do të interpretohen nga: Valon Kadriu – Gitarë / Vokal; Orges Kurtaj – Bas Gitarë / Vokal; Lum Veseli – Gitarë / Vokal; Viola Rrecaj – Synth / Piano dhe Albin Abazi – Bateri / Vokal. Po duket trentë!
Me marr pjesë: Shqyrtim kritik “Portretizimi i shqiptarëve dhe romëve në kinemanë jugosllave” / Kino Armata, Prishtinë
Këtë javë, me 13-14 mars Kino Armata na fton në një program dy ditor i cili sjell një përqasje kritike ndaj filmit dhe kinemasë. Në bashkëpunim me Arbër Qerka-Gashin, themelues i platformës Balkanism që osht e bazume në Londër, programi shpalos dy filma të gjatë artistikë nga koha e ish-Jugosllavisë (“Mbledhësit e Puplave” dhe “Kapiten Lleshi”), përcjellun nga një diskutim. Programi poashtu përmban një punëtori kritike të hapur për publikun.
Me dëgju libra: Libra me Zâ
Nëse thuni s se “s’keni kohë me lexu libra” ekziston mundësia edhe m’i dëgju librat në formë të audio-books. “Me Za” është një platformë digjitale jofitimprurëse që prezanton letërsinë kosovare në format audiolibri. Qëllimi i saj osht t’u japë hapësinë autorëve dhe autoreve kosovar/e dhe me kriju një trashëgimi kulturore digjitale. Audiolibrat realizohen nga dashamirë të letërsisë dhe studentëve të Fakultetit të Arteve, tu ofru një formë alternative të leximit dhe dëgjimit. Platforma synon ta bëjë letërsinë kosovare më të qasshme për publikun. Qe linku!
Me marrë pjesë: Tirana Street Party / Tiranë
Qe një open air event në Tiranë, ku moti mesdhetar gjith osht ma i nxehtë. Fjala osht për The Street Party që po mbahet qe 12 vjet rresht. Edhe këtë vit organizatorën janë të lumtur me ju ftu në mes të qytetit tu e vazhdu traditën dhe vizionin dhe tu ju ofru një program me muzikë, zbavitje, shoqnim përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”. Sivjet i keni edhe DJ nga Kosova Erletën dhe Anitën prezente me miksat eksploziv. Shihemi për “Ditën e Verës” me 14 mars!













