Monday Marks, 9 dhjetor
Këtë jave po ju rekomandojmë performanca nga operistë të famshëm, drag show dhe ekspozita për pak aktivizëm qytetar, por edhe balet, premiera teatri, libra dhe qeramikë për dhurata të vitit të ri.
Qytetet tashmë kanë hy në fazen gazmore të Vitit të Ri, me sheshet e kafeteri të zbukurume, me programe festive gjithandej dhe prroin e vizitave nga diaspora që shpejt bahet lum njerëzish që vijnë në Kosovë me festu me familje. Por çka me pa e çka me bo këtë javë?
Ka gjithçka për gjithkond: tenori i njoftun globalisht Saimir Pirgu po vien me koncert në Sallën e Kuqe, dhe Baleti i Kosovës me shfaqjen e famshme “Arrëthyesi” (Nutcracker) në Sallën AMC. Java e të Drejtave të Njeriut sjell ekspozita, koncerte dhe drag shows; muzikanti amerikan Jonathan Scales vjen me Fourchestra në Culaccino t’Prishtinës, ndërsa Jeton Neziraj sjell një premierë teatrale në sallën Hadi Shehu të Gjakovës.
Me dëgju: Koncert nga Saimir Pirgu, Salla e Kuqe, Prishtinë
Opera e Kosovës, për herë të parë, sjell në Prishtinë një nga emrat më të shquar të skenave operistike ndërkombëtare, në një koncert që “premton të shënojë një moment historik në promovimin e artit operistik në vend.” Pirgu përnime osht një nga tenorët ma të ndritshëm në pejsazhin ndërkombëtar operistik të sotëm. Këqyreni çka thojnë mediat e huja pë te: “Tepë i ri shfaq një apasion të butë dhe në harmoni me fluturime stratosferike” (Financial Times), “tenori me za të ambël dhe energjik” (New York Times). Pirgu ka performanca në çdo teatër të madh operistik ndërkombëtar, përfshi Metropolitan Opera në Nju Jork, Teatro alla Scala, Vienna Staatsoper, Royal Opera House në Londër, Opéra de Paris, Teatri Bolshoi në Moskë, Staatsoper në Berlin dhe Deutsche Oper.
Tash tenori shqiptar mundet me shtu Sallën e Kuqe në listë - edhe pse lokacion modest e me akustikë të tmerrshme, prapëseprap ylli osht yll, dhe ju ftojmë me dëgju me 10 dhjetor, në ora 7. Uta Ibrahimi, alpinistja ma e famshme kosovare po vazhdon me tregu filmin e vet dokumentar “Ajo mal”, tash me premierë pejane; ndërsa po sjellim edhe rekomandime për një liber të ri të shkrimtarit skriboman Ben Blushi dhe ca punime të lezeçme të qeramikes kosovare.
Me marrë pjesë: Ekspozita, intervenime, drag show për HRW, Prishtinë
Organizata kosovare Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut po e organisons Javën e të Drejtave të Njeriut, por duke përdor kulturë, performansa dhe forma të tjera të aktivizmit me i angazhu të rinjtë. OJQ-të kosovare shpesh kufizohen në seminare dhe konferenca, por YIHR po selle një program atraktiv për me ngjizë veprimtarinë kulturore me aktivizëm qytetar. Kështu me 10 dhjetor ka intervenim publik te rrethi i flamurit në Ulpianë ku fillon beteja e fundit kunder diskriminimit, dhunës femicidit dhe queerfobisë. Në mramje osht një koncert i Offcestra në menzën Ramiz Sadiku. Me 11 dhjetor ka ekspozitë në Grand Hotel me titullin “Where Home Once Was“, inspirum nga Muzeu Virtuel i Refugjatëve. Me 12 dhjetor në Bubble ka lexim inspirues ndërsa me 13 dhjetor në Grand ka drag show nga Propaganda BXL. Përgjatë tri ditëve ka edhe panele me zyrtarë dhe aktivistë, por edhe podkast episode të realizume me Urban FM. (lexojeni intervistën me Marigonën për HRW dhe 20-vjetorin e YIHR)
Me përjetu: Shfaqje baleti “Arrëthyesi”, Salla AMC, Prishtinë
Shfaqja e baletit Arrëthyesi osht ndoshta shfaqja ma e njoftun e sezonit festiv në botë. Fjala osht për një trillim magjik dhe tipik për Krishtlindje, ku historia ndjek Klarën, një vajzë që merr një kukull Arrëthyes. Në natën e Krishtlindjeve, ajo udhëton në një botë fantastike, tu u përballë me aventurat dhe personazhet magjike. Muzika dhe kërkesat e jashtëzakonshme e bëjnë këtë shfaqje një përvojë të paharrueshme për çdo audiencë në festat e fundvitit. Në Kosovë, “Arrëthyesi”, vjen si premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës për festat e fundvitit. Ky produksion i përmasave festive dhe sofistikume, bohet me koreografi të Ilir Kernit dhe dirigjimin e Boian Videnoffit. Shfaqja jepet në sallën Salla AMC Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë, më 15 dhjetor 2023 ora 19:30. Biletat i gjeni në Rave!
Me dëgju: Jonathan Scales Fourchestra, Culaccino, Prishtinë
Jonath Scales osht një pianist dhe kompozitor amerikan i muzikës. Ai ka prodhu shtatë albume me bendin e vet Fourchestra, ma i fundit është Mindstate Music, publikuar në vitin 2019. Scales osht rritë në një familje ushtarake dhe ka udhëtu si fëmijë poshtë e naltë dyjasë, dhe me gjasë kjo edhe e ka frymëzu sepse sot osht ambasador kulturor i SHBA-ve dhe udhëton në krejt botën, në kohën kur nuk osht tu performa me bendin e vet në formatin e famshem Tiny Desk në radio NPR. Këtë javë osht mysafir nē restoranin Culaccino, që po tregohet të jetë një lokacion i pazakontë për evente alternative, prej talkshow me Shukin e deri te jazz performanca. Në Prishtinë vijnë me 11 dhjetor.
Me pa: Shfaqja premierë "Bëje ose vdis", Teatri Hadi Shehu, Gjakovë
Teatri i qytetit të Gjakoves vjen me premierën e shfaqjes "Bëje ose vdis" nga Jeton Neziraj. "Bëje ose vdis" është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohun shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur. Regjisore osht Blerta Rrustemi-Neziraj, kompozitor Trimor Dhomi; Skenograf Petrit Bakalli , Alice Vanini; kostumografe Iliriana Loxha Basha, ndërsa luajnë: Jahja Shehu, Edi Kastrati, Armend Smajli, Ernest Malazogu, Albulena Kryeziu Bokshi, Edmond Hafizademi, Altina Kusari. Asistente regjie osht Yllka Lota. Shfaqja vjen me 14 dhjetor. Çifti Jetoni dhe Blerta janë mjeshtër teatri, kështu që shihemi para dërrasave teatrale gjakovare.
Me pa: Premiera e dokumentarit “Ajo’Mal”, Jusuf Gërvalla, Pejë
Fondacioni i alpinistes së famshme Uta Ibrahimi dhe fondacionit të saj Utalaya tashmë osht shfaqë në Prishtinë, por këtë jave keni mundësi me e pa edhe në Pejë. Në premieren e dokumentarit të shkurtër Ajo’Mal, produkt i Fondacionit Utalaya, mundeni me zbulu rrëfimin e jashtëzakonshëm të 20 vajzave të reja nga Kosova, të cilat nën mentorimin e Utës, m’sun, u aftësun dhe bashkë-krijun një histori frymëzuse për fuqizimin, guximin dhe bukurinë e maleve të Kosovës. Edhe dashni për art, edhe dashni për natyrën tonë. Utën me filmin e vet mund ta shihni me 11 dhjetor ne ora 6, kino Jusuf Gërvalla.
Me lexu: Romani “Parajsa Artificiale” nga Ben Blushi
Shkrimtari dhe publicisti i Shqipnise Ben Blushi shkrun shpesh. Edhe nuk përton te del jashtë kornizave të zakonshme të letërsisë shqiptare. Në romanin e fundit “Komploti”, në një skenario houellebecqian, në Shqipërinë e vitit 2044, shqiptarët kanë ikë me të madhe por kanë mbetur afganët emigrantë e refugjatë, duke marrë gradualisht pushtet ekonomik e politik? Aty e njoftojmë edhe hebreun shqiptar Simon Shuteri që bohet pjesë e një komploti të nxitun nga Ministri i Mbrojtjes që është afgan i Shëngjinit. Komploti që përfshin pushtimin e Kosovës, shtetrrethimin e Kavajës dhe një bashkim të shqiptarëve me Rusinë. Tash Blushi vjen me një roman të ri, prapë futurist "Parajsa artificiale", ku përshkruhen 24 orë nga marrëdhënia seksuale, e njëkohësisht e çuditshme, e Simon Shuterit me një çikë njëzet e shtatë vjet ma të re. Në dialogun e shpejtë ne mes Simonit dhe dashnores, shfaqen disa skenarë të ardhmesh të afërta, deri diku të bazume në botëkuptimin e autorit të “vërtetave historike dhe aktuale”. Libër intrigues që lexohet shpejtë.
Me zbukuru: qeramikat e studio Grisha
Mbasi osht fundi i vitit, mirë osht me gjetë nëj produkt sympati kosovar për dhurata ma të dashunve. Na e gjetëm studion e qeramikës Grishart, ku keni gjithçka për gjithkon, prej artefakteve dhe bizhuterisë me inspirim seksualisht pak ma eksplicit, deri te vazo të bukura animorfe për lulet e shpisë. Artistja Gisha bon edhe sende me porosi, por gjithsesi ja vlen ta vizitoni faqen e instagramit me gjet diçka fun & quirky ose practical & homely.