Monday Marks, 6 maj
Çka kemi lexu, çka kemi ngu, çka kemi pa, çka kemi hangër? Kemi gjetë botime intriguese, ekspozita inspiruese, muzikë me një kambë në histori dhe supë peshku e shijshme me hangër me dy duart...
Java që shkoi pat plot pika kulmore për artistat tonë kulmorë, sidomos dy që kenë në NYC: Petrit Halilaj nga Runiku me ekspoziten e tij në kulm të Metropolitan Museum dhe Dua Lipa me lansimin e albumit të saj të tretë me performansa e intervista n’krejt anët e Nju Jorkut e botës.
Por edhe në Prishtinë ka pasë lëvizje dhe çaste inspirimi, kështu qe s’po ju lajmë pa rekomandime për këtë javë.
Me lexu: “This is a mirror” nga Likana Cana
Librin e Likana Canës është pak vështirë me e përshkru ose kategorizu. Titulli duket i vetëkuptueshëm: “Kjo është një pasqyre”, dhe për ata që e përcjellin Likanën në Instagram, munden me vërejtë se libri e pasqyron një copë të rrugëtimit të saj jetësor, të reflektuar në copëza më të vogla me shumë ngjyra (kryesisht të kaltëra), shumë vallëzim, shumë muzikë, shumë dashni. Por këto copëza (që të gjitha në gjuhën anglishte) shërbejnë edhe si pasqyre për lexuesin. Likana është e bindshme kur porosit “kjo nuk është veç pasqyre e jemja por edhe e jotja”. Realisht libri përmban shumë këshilla / instruksione / propozime / hulumtime / lojna psikologjike, ku lehtë mundesh me paramendu autoren (e cila edhe është psikologe) t’u t’jep udhëzimë “self-help” për një jetë me ma pak stres. Disa janë shumë funny, edhe nëse s’e kanë intencën me qenë funny. Disa tjera janë pak ma të errëta edhe nëse s’e kanë intencën me qenë të errëta. Shumë prej tyne janë shpresë-dhënëse, edhe mund të janë dedikuar atyne që ndoshta nuk i kanë marrëdhëniet bash të mira me shpresën.
Bash qashtu qysh është edhe vetë jeta. Mirë e tha Likana, “libër-pasqyre” pra…
(Librin mund ta gjeni me ble në café-librarinë Dit’ e Nat’ edhe në librarinë Dukagjini )
Me pa: Valdrin Thaqi & Blerta Hashani në Paper Gallery
Paper Gallery është një galeri që tashmë ka zanë rranjë në pejsazhin e arteve vizuele dhe performative. Është pjesë e Paper kolektivit, ku hyn edhe një radio stacion Paper Radio 91.1 (i dashtun për neve se është eshte shtëpia e Suzanne podkastit, në emisionin “Drive Time me Shukin”) dhe një kafeteri që gjenden te ndërtesa e Radio Prishtinës (në bulevardin Xhorxh Bush, te sheshi i imagjinum por i pafillum). Gazmend Ejupi është themelues i galerisë që ka vendosur të punon në Prishtinë pas një jete në Londër. Galeria është e frymëzume nga praktika e tij si artist e fokusume në “identitetet e ngatërruara sociale dhe në kulturën e migrimit”. Ekspozita e fundit është e dy artistëve që po eksplodojnë në skenën kosovare të artit kontemporan: Valdrin Thaqi dhe Blerta Hashani. Është de fakto jo ekspozitë por proces ngase Paper tani e ka hapë hapësinën si studio për artistë të fushave të ndryshme. Pra procesi i krijimit apo performanca apo ekspozita në Paper premton që dy artistët “do të na dërgojnë në një udhëtim përmes procesit të krijimit të veprave të tyne”. Super po doket edhe e tillë, si rrugëtim.
Me ngu: Laufey
Nuk na ka ra me dëgju këtë bashkëvendase të Bjorkut dhe ndoshta edhe nuk na kish ra me dëgju, po të mos e vërenim muajt e fundit një hyrje gati të paverejtshme të jazzit në playlistën tonë dhe në emisionet që i ngojmë në radio. Ky ndikim ke subtil por në llaf me ekip dhe tu bë pak hulumtim, e pamë që nuk jemi të vetmit që po bijmë në ndikim të një vale të muzikës që ndoshta edhe s’e kemi dëgju shumë. Laufey është e re, i takon ma shumë gjeneratës Z se sa milenialve (e leje ma X-erave), ama kjo edhe e bon të veçantë. Një muzikë me sound që i takon një kohe të shkuar të CD-ve dhe gramafonave, por nga një autore të famshme në tiktok dhe tekste që i takojnë muhabeteve në snap, insta apo whatsapp. Laufey kështu nga ikonë e postimeve tiktokiane u bo kangëtare me Grammy dhe muzikë tepër relaksuese që e ka rrokë vëmendjën e rinisë që ndoshta ju ka kthy jazzit relaksues për shkak botës stresuese.
Me hangër: supë peshku te Lali
Lali (nofka e Luan Berishës) nuk është pronar i zakonshëm i restoranit. Nuk është as njeri i zakonshëm. Djali i njonit prej piktorëve/artistave ma të mëdhenj shqiptarë Engjëll Berishës, Lali ka marrë një drejtim tjetër jetësor, edhe pse kush e don ushqimin e mirë, lehtë e ka me u pajtu që Lali është artist i gjellbërjes. Restauranti Lali nuk është shumë lehtë mu gjetë, edhe pse është në qendër. Adresa ma e thjeshtë është plot referenca urbane: mrapa Metro-s (te Grandi), përballë galerisë LambdaX3, afër tunelit që të çon te Trafo (i Arit të Depos).
Lali nëse është në disponim të mirë (dhe nëse ju jeni myshteri të mirë) i bon ndoshta pastat ma t’mira majtas prej Italisë. Nëse jeni mysafir mundet edhe me ju ba muhabet të lezeçëm. Na shkojmë edhe për muhabet edhe për Lalin, por kohëve të fundit shkojmë për supën e peshkut e cila pa dyshim është ma e mira në vendet ku s’ka deti si na. Ndoshta edhe në disa që kanë det. Është e djegst, ka shumë dromca peshku, s’ka miell, por ka perime. Është çorbë kështu që të ngin, por prej klientelës aty, është ndoshta veç paragjellë për rakinë që modeomos pason.
Me ngu: Poolsuite FM
Para nja 30-40 vjetëve u këndojke video killes the radio star, ama sot po shihet që spotat muzikorë (videos) vdiqen krejt ndërsa radio po përjeton një rilindje, ose nëpërmjet podkasteve ose si radio digjitale, e pranishme nëpër aplikacione, kerre dhe platforma tjera digjitale. Zgjedhje ka turlifare por po e jepim një rekomandim që po e dëgjojmë kohëve të fundit: poolsuite FM. Eksperienca e muzikës është taman për atmosferë verore: me remiksa të Hot Chip, Fela Kutit apo Theo Parrish etj. Ka shumë kanale në këtë aplikacion me super emna nostalgjik si “Tokyo Disco” apo “Hangover Club”, me dizajn nostalgjik të pikselum të kohnave të sintisajzerave. Lirisht bonjani download e tregonani qysh po ju doket?
Extra për këtë javë: Seria “Shogun” në FX. Do që kanë lindë 1970-ave e mbajnë në mend versionin e parë me Richard Chamberlain (pyetini nanat se me gjase e kanë kqyr shumë) por versioni më i ri është absolutisht fantastik, me shume referenca historike, me shumë estetikë japoneze, me rrëfim dhe aktrim tepër të mirë, për një periudhë dhe një botë krejt ndryshe prej tonës. Edhe pse do sende janë gjithmonë, gjithkah njësoj - siç keni me pa.