Monday Marks, 6 janar
Java e parë e janarit, pak e ngadalshme, pak hala në gjum por Monday Marks ju sjell përzgjedhjen e artit, muzikës, librave dhe partyve që mund t'i provoni gjatë kësaj jave - nëse s'jeni tu skiju dikah
Disa prej juve ndoshta i keni festu të tri natë të Vitit të ri, disa ndoshta edhe ja keni therrë nejkah me naj mal, por ne s’pushojmë së hulumtumi ngjarjet, botimet, publikimet e reja, për një agjendë solide të një jave të ngadalshme. Çka me pa, ku me shku, kah me vallëzu, çka me vesh e çka me lexu?
Qe lista: institucionet kryesore private e publike të kulturës janë ende në pushim, por Hani i Dy Robertëve, një nga pikat më të randësishme alternative të artit e kulturës qe tash e tri dekada, ju sjell ekspozitën fantastike të Valentina Elshani të titullume “I am free”; në Tiranë po e rekomandojmë një ekspozitë në Galerinë e Tiranës që osht çel para vitit të ri, por që ja vlen të vizitohet se sjell artin e ikonave krishtere shqiptare, diçka që nuk vjen para publikut të gjanë qaq shpesh;
Servis Fantazia sjell DJ’in Signal Ride për një mbramje me k’cy e me u knaq; Oda Haliti në Berlin dhe Qëndresa në Londër kanë publikuar këto ditë/javë singlat e ri që ja vlen me i ngu në repeat sa t’muni. Ka dalë edhe vazhdimi i dytë i biografisë së madhe, të pasun, tepër mirë të shkrume të Fan Nolit me nëntitull “Rebeli”, nga Ilir Ikonomi.
Masi ditët festive me fustana të gjatë e vizëllues festiv përfunduan, po ju sjellim edhe një rekomandim për tesha pak ma t’rehatshme (tepër të rehatshme!) street wear nga koleksioni i ri i brendit super-urban Pristine, me inspirim amebat.
Me pa: Ekspozitë personale “I am free” e Valentina Elshani, Hani i dy Robertëve, Prishtinë
Valentina Elshani tash e shumë vite sjell art të përqëndrum në bukurinë e gruas, gjithmonë me ngjyra eksplozive, kanihere ma minimale, gati si silueta, kanihere me fokus të detajum vizuel, me fytyra dhe shprehje ndjenjash. Kësaj rradhe sjell një opus të ri, në galerinë e famshme të Hanit të Dy Robertëve. Ekspozita qëndron e hapur deri me 21 janar, kështu që gjithsesi ja vlen të vizitohet për pak inspirim të freskët në këtë muaj të ngadalshëm.
Me pa: Ekspozita "Një rrugëtim mbi artin hyjnor", GAT, Tiranë
Galeria e Artit Tiranë ka pasë një kalendar të pasun me art kontemporan dhe modern gjatë 2024, por krejt kah fundi i vitit e solli një ekspozitë arti hyjnor,. Ekspozita "Një rrugëtim mbi artin Hyjnor" / Shpirtërorja bashkëkohore", me 39 vepra ikonografike prej shek.XV deri në fillim të shek.XX, dhe autorëve të ndryshëm, të mirënjohur në artin ikonografik shqiptar si: Nikolla Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, vëllezërit Zografi apo Nilu Jeromonaku. Mes simbolikash dhe shenjtorësh, mes engjëjsh dhe dreqnish, mes hyjnores dhe tokësores, një ekspozitë-rrugëtim përmes botës ikonografike dhe historisë së artit shqiptar.
Me dimnu: DJ lineup në Fox, Brezovicë
Dimni ka borë. Po kanihere s’po ka e s’ka send ma t’pikllushëm se malet pa borë. Sivjet Brezovica ka borë sa t’dush, ka edhe full skijatorë në rato pak pistat që i kemi. Po çka s’osht e mangët, osht atmosfera apres-ski në rezortin tonë t’vetëm dimnor. Fox club dhe restoran osht super vend që sjell super atmosferë për orët mas skijimit, me DJ lineup të mirë çdo të shtunde këtë janar.
Me k’cy: Signal Ride, Servis Fantazia, Prishtinë
Signal Ride osht DJ-emni i Frenkli Vjeros, një artisti të lindun e rritun në Vlorë, që na sjell muzikë eklektike, që vjen nga përvoja e tịj profesionale și inxhinier zani i shkollum në Konservatorin e Milanos "Giuseppe Verdi". Signal Ride osht edhe këngëtar edhe producent/dj dhe inxhinier zani kështu që e ka mision me arritë një interaksion të vërtetë me instrumentin, ndërsa krijon një moment të ndjenjave të shprehura përmes zanit. Në Fantazi vjen me DJ set të premtën, me 10 janar, në ora 21:00. Shihemi aty.
Me lexu: “Fani Noli - Rebeli”, nga Ilir Ikonomi
Edhe na në Suzanne jemi në pushime edhe vazhdimin e dytë të biografisë fantastike të Fan Nolit nga Ilir Ikonomi arritëm me lexu deri kah mesi, por e harrum në aeroplan kështu që na ka mbetë pikë se çka ndodhë me njanin prej figurave ma të ndrituna të krejt historisë shqiptare. Libri i parë ka qenë plot anekdota, rrëfime, dëshmi, sende të padituna e të pathena për pjesën e parë të jetës së Nolit në Amerikë, ku ka punu, përkthy, studiu dhe organizu mërgatën tonë. Ky vëllim i dytë merret me kthimin e Nolit në Shqipni. Tepër ja vlen me lexu, shkrimi osht i rrjedhshëm, kurrë nuk bohët mërzitshëm dhe gjithmonë t’len pa fjalë se si kanihere historia përsëritet, tek sa i krahasojmë do situata të para 100 vjetëve me politikën e sotshme.
Me dëgju: “Lali”, singli i ri i Oda Haliti
Oda osht DJ the producente tepër produktive edhe këtë track e ka lëshu bash gjatë ndrrimit të motmoteve, por ndoshta po ju tregojmë krejt rrëfimin dhe historinë e këtij singli LALI me fjalët e vetë Odës: “Ky track osht ma shumë se muzikë—osht një pjesë e shpirtit tem. E lindun nga dhimbja, dashnia, dhe lidhja e palëkundshme që kom pasë me babin tem, i cili ka ndërru jetë gjashtë muaj ma parë, LALI osht mënyra ime për me mbajtë gjallë shpirtin e tij. Pas vdekjes së tij, vëllai im m’tregoi një video të tij që imiton me humor fansat e mi tu vallëzu. Ai i quajti “dervishë,” plot trance, gëzim, dhe energji. Bash qaj çast solli t’keshme, frymëzim dhe një lidhje të thellë me shpirtin e përjetshëm të babit tem. LALI osht homazhi i jem për to—një festë e dashnisë së tij dhe së mençunisë që la pas.”
Me dëgju: “Londra”, tejpi i ri i Qëndresa
Kemi shkru edhe ma herët për Qëndresën. Ajo osht një kangëtare e Londrës po që kalon kohë dhe gjen inspirim edhe n’Prishtinë, e njohun për zanin e saj të veçantë dhe performancat emocionale. Qëndresa kombinon stile të ndryshme muzikore, tu përfshirë pop, R&B-në dhe soul. Para disa jave e ka l’shu tejpin me katër tracks të titullum “Londra”, me tekste dhe muzikë vetanake. Tekstet e Qendresës shpesh eksplorojnë tema si dashnia, identiteti dhe rritja personale, tu u frymëzu nga sfondi i saj i larmishëm. Sendet në “Londër” jane sexy, silky, smooth, super…
Me vesh: Koleksioni “Amoeba” i Pristine
Kush s’e din Pristine, brendin e veshjeve të rrugës që ka bo boom me stil minimal, materiale organike t’mira, brendim atraktiv dhe shitore super-rrezatuese në qendër t’Prishtinës. Masi jemi dimën, masi kemi nevojë pak për rahati shpirtnore dhe komfort, ama me stil, veshjet vjeshtë/dimën me inspirim amebën të Pristine na kanë ra në sy. Bota mikroskopike e amoebave zakonisht ka larmi teksturash dhe ngjyrash. Në rastin e Pristine ky frymëzim natyror sjell dizajne avangardë që reflekton bukurinë e jetës në një nivel mikroskopik, tu e ba modën urbane një eksplorim të diversitetit dhe kompleksitetit të natyrës.