Monday Marks, 5 gusht
Qytetet janë zbrazë, pushimet kanë fillu, diaspora ka ardhë, dasmat janë full, koncerte nëpër sheshe gjithandej, aeroportat deng, e na po e sjellim listën çka tjetër mundeni me bo ksajde.
Janë javët e fundit të pushimeve dhe rituali vjetor i migrimit është në peak: kerret lokale po zhduken nëpër rrugëtime drejt pllazhave, por kerret me tabela t’huja janë omniprezente. Edhe na në Suzanne po shkojmë nëpër pllazha, kështu që e keni një listë të shpejtë, të shkurtë, olimpike dhe alternative se çka mundeni me bo këtë javë.
Me pa: Ekspozita ‘Arti e Sporti’, Galeria Kombëtare e Kosovës
Çka nëse ju themi se këtë muaj olimpik, mundeni me pa ekspozitë me punime grafike të inspirume nga sporti të yjeve ma të mëdha të artit modern botnor si: Andy Warhol, David Hockney, Henry Moore, Michelangelo Pistoleto, Cy Twombly e plot tjerë? Çka nëse s’keni nevojë me shku as në Londër, Paris a NYC, po e keni në Prishtinë, në Galerinë Kombëtare? Eh po, në katin e dytë të Galerisë e keni një super ekspozitë nga koleksioni i vetë Galerisë, kuruar nga Hana Halilaj të grafikave origjinale që emrat ma të njohur të artit i kanë bo për nder të Olimpiadës në Sarajevë me 1984. Punimet i janë falur Kosovës, në një proces dhe komunikim të menaxhuar asokohe nga artisti kosovar Engjëll Berisha, dhe për nder të Lojërave Olimpike në Paris, këtë muaj por ri-shfaqen në GKK. Ka edhe materiale tjera dhe dokumentacion për këtë nismë që në atë kohë Sarajevës sportive i ka jep edhe një touch artistik. Janë postera/grafika nga 16 artistë, mirë të vendosuna, disa ndoshta edhe botërisht të njohuna, por që këto ditë mundeni me i pa në Prishtinë.
Me lexu: The Last Rave, The New Yorker
Kemi rekomandu edhe ma herët shkrime dhe artikuj të ndryshëm dhe kësaj rradhe po ju sjellim një longread artikull të titulluar “Rejvi i fundit” nga revista e famshme amerikane The New Yorker. Gazetarja dhe shkrimtarja e re amerikane Emily Witt e sjellë një shkrim biografik, një dokumentim të një apo dy viti 2020-2021, duke filluar nga një rave ilegal që e përjeton me frajerin e vet Andrew e deri te muajt e izolimit për shkak COVID, protestave për shkak dhunës policore dhe një shpartallimi total të marrëdhënies së vet me të dashurin, me çdo rresht të shkruar duke përjetuar eskalimin e çuditshëm dhe të pakthyeshëm. Emily është e njohun për dokumentimin e jetës urbane, prej partyve nën ndikim e psikodelikëve, e deri te ngjarjet dramatike politike prej prizmit të banorëve të mahallave, kryesisht Nju Jorkut por edhe qyteteve tjera. Autorja ka stil të fuqishëm të shkrimit, referenca të shumta kulturore dhe rrugëtim që ngashnjen me marrë vesh fundin. Artikulli është me pagesë, por përdoreni platformen archive.is si çels për versionin pdf.
Me përjetu: Kayak Fest Kosova, Batllavë
Masi jemi në tema sportive e muaj olimpik, po vazhdojmë edhe me një rekomandim sportiv sepse Kayak Fest që po mbahet në liqenin e Batllavës po doket koxha fun. Ka edhe muzikë, barbecue, dhe natyrisht kajakizëm, një sport që ka fillu me nxanë rranjë në Kosovë fale disa klubeve aktive që po i përdorin ato pak ujëra që kemi për promovim të sporteve mbi ujë. Festivali mbahet nga 9 deri 11 gusht, ka edhe plot aktivitete për fëmijë, gara, kajakim në perëndim të diellit kështu që veshuni përshtatshëm, merrni kremë për mbrojtje nga dielli, dhe nisuni drejt e në Batllavë, nese veq nuk keni mujt me shku dikah tjetër këtë javë. Ma shumë info dhe programin e keni në faqen e tyre në instagram.
Me ngu: Kissmet, Sarandë
E kemi përzgjedh një event bregdetar, Kissmet në Sarandë. Do të mbahet në lokacionin “parajsor” të ORB IN. Line-upi po doket super, nga DJ-ka Matisa nga Italia deri te dosti jonë Alban Hi-Dini dhe tutje emnat e njohun nga skena jonë Anitë, Legoff, Uran B, etj. Sipas organizatorëve “Kissmet x Orb Inn bashkohen për një përpjekje të përbashkët me kriju një boutique event që sjell ndjenjën e përkatësisë dhe lidhjes si një tërësi harmonike. Gëzimet e partyve gjatë ditës janë plotë; duke qenë kështu, një festë në perëndim të diellit në Sarandë bëhet një eksperiencë e pashmangshme kur shton veçantinë e vendit parajsor të Orb Inn.” S’ka nevojë me shtu ma shumë. Eventi ështe me 10 gusht.
Me pa: Koleksioni “Muzeu i Artit Amerikan”, Stacion CCA, Prishtinë
Qendra për art kontemporan Stacion është tash e shumë vite një nga pikat kryesore të ekspozitave kontemporane, rezidencave të artistëve, por edhe bartëse e ekspozitave vjetore “Artistet e të së nesërmes”. Objekti i vjetër i sinagogës nga koha e Perandorisë Otomane gjendet te mahalla e Prishtinës së vjetër, por kolekcionin që mundeni me vizitu është “Muzeu i Artit Amerikan” në galerinë e Stacion.
Stacion thotë se “MAM është institucion edukativ dedikuar mbledhjes, ruajtjes dhe ekspozimit të kujtimeve kryesisht për Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe programit Internacional të Ekspozitave Qarkulluese të Artit Amerikan. Janë pikërisht këto ekspozita të MoMA, disa prej të cilave janë kuruar nga Dorothy Miller, që ndihmuan krijimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor të pasluftës në Evropën Perendimore, identitet që bazohej në internacionalizëm, modernizëm dhe individualizëm.” Për ma shumë, vizitojeni galerinë Stacion.
Me pa / me ngu: Pehlivanët + Ansambli eksperimental, Kino Lumbardhi Prizren
Kemi shkru gjon e gjatë për Dokufest javën e kalume, por po e potencojmë një nga shfaqjet speciale të filmit përcjellun me muzikë nga Ansambli Eksperimental i Lumbardhit me Ilir Bajrin. Ansambli Eksperimental i Lumbardhit së bashku me kompozitorin Ilir Bajri e kanë kompozuar një kolonë zanore për dokumentarin e Besim Sahatçiut të titulluar “Pehlivanët” e tash Ansambli do të performojë drejtpërsëdrejti këtë kolonë zanore në Kino Lumbardhi (Bahçe) më 6 gusht prej orës 20:00. Duke ditur historinë e këtij sporti të moçëm kosovar (pehlivanët janë mundësa që lyhen me voj dhe mundohen me rrëzu njani-tjetrin), e masi ky edicion i Monday Marks pat koxha sport, pe përfondojmë me këtë event rekomandimet e kësaj jave!