Monday Marks, 4 nëntor
Nëntori i gjetheve të rame dhe brymës së parë, ama edhe qetësisë para "stuhisë" së festave dhe ngjarjeve të fundvitit. Çka me bo, çka me pa, ku me shku e çka me dëgju këtë javë të parë nëntoreske?
Nëntori osht paradhoma e festave të fundvitit që fillojnë me Ditën e Flamurit e vazhdojnë deri te Viti i Ri. Por para se me mbërri te festat, kemi plot ngjarje të artit e kulturës, përfshi dy konferenca të mëdha: Prishtina Music Conference që mbulon krejt diapazonin e industrisë së muzikës si dhe Konferenca e industrisë kreative në Tiranë. Re:Musica festivali po përfundon edicionin 2024 me shumë koncerte; Artpolis sjell shfaqje antike në Dodonë; Kino Armata sjell muajin e filmit europian, ndërsa pas një pauze dyvjeçare, Stacion sjell artistët garues të “Artistët e së nesërmes”. Këtë javë ju sjellim edhe një kangë të re të Blerta Kosovës dhe modë dekonsutruktiviste kosovare në një hapsinë te re konceptuale tironse.
Rrini të bukur, shnosh e mirë këtë vjeshtë!
Me marrë pjesë: Prishtina Music Week
Kompania Rave Travels shet bileta për koncertet dhe partyt ma t’mira por e bon edhe konferencën unike vjetore Prishtina Music Conference dhe programin përcjellës Prishtina Music Week. Programi osht i madh, i thellë dhe me plot koncerte, panele e ngjarje të ndryshme si dita e dedikume fmijëve me Down syndrome. Vetë konferenca ka panele për industrinë apo biznesin e muzikës, mediat në muzikë, muzikën si katalist të zhvillimit shoqnor dhe ekonomik. Koncertet janë të shumta: Peja Jazz Festival osht mysafire me Wadaika Sai, P.I.N.T legjendarë kanë koncert në sallën e Pallatit të rinisë, ka jazz edhe Elif Çaglar - e natyrisht për kompaninë Rave, ka edhe rejv taman me DJ-të Altin Boshnjaku, Christian AB dhe Ogazon & Reiss. Be there or be square.
Me këqyr: Muaji i filmit europian, Kino Armata
Ky muj ka plot filma europianë, si rezultat i bashkëpunimit të Kino ARMATA me European Film Academy. Pas një lansimi të suksesshëm pan-evropian në 2022 dhe një edicioni të dytë të mrekullueshëm në 2023 me 75 partnerë, Akademia Evropiane e Filmit prezanton në Kosovë dhe gjëtiu Muajin e Filmit Evropian 2024 si sezonin e vet të filmave dhe çmimeve evropiane: tu fillu nga 1 nëntori, Kosova bashkohet festës së diversitetit evropian dhe tu shfaqë filma për pesë javë deri në finalen e madhe më 7 dhjetor me European Film Awards që mbahet në Lucern (Zvicër).
Me dëgju: Re:Musica, Prishtinë
Festival i madh Re:Musica tashmë e ka nisë edicionin e 23-të me rradhë ku ka pasë shumë performanca superbe, ndërsa këtë javë mundeni me nxanë panelin frymëzuese me artistët Elbenita Kajtazi soprano, Petrit Ceku kitarist dhe kolumnistin e Eye On London, Simon Mundy (me 5 nentor). Ka edhe plot koncerte tjera, prej Jean Baptist Zellal, deri te Margherita Berlanda (me harmonikë!), pastaj koncert me dyshen Raquel Andueza & Jesus Fernandez Baena, ose koncert me dyshen Elbenita Kajtazi & Elda Laro x Siparantum Choir. Fare në fund me 8 nëntor e kemi edhe koncertin autorial të maestros Rafet Rudi per 75 vjetorin e tij.
Me pa: Ekspozita “Artistët e së nesërmes”, QAK Stacion, Prishtinë
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë tashmë e ka hap ekspozitën vjetore të Çmimit “Artistët e së nesërmes 2024” me artistët: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, të kurume nga Albert Heta dhe Vala Osmani. Veprat e shfaquna të Mimoza Sahitit, Luiza Thaqit dhe Dion Zeqirit “trajtojnë çështje thelbësore që ndikojnë në shoqërinë tonë dhe ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.” Shpallja e fituesit bahet 7 nëntor 2024, ora 20:00 te Klubi i Boksit, rruga Mark Isaku 8.
Me dëgju (dhe mbajt n’mend): “Radhitje në plumb, germë për germë”, Prishtinë
Para objektit të Rilindjës, e cila pas renovimit krejtësisht shpërfytyrues, u bo objekt qeveritar, hala osht një kiosk i vjetër që shet pak periodik të shtypun, nëj sakëz dhe çokollata. Aty me 9 nëntor, në orën 14:00 ka mu performu instalacioni zanor “Radhitje në plumb, germë për germë” nga Elisa Maxhuni dhe Tringa Sefedini. Ky projekt është realizuar si pjesë e platformës #HeritageSpace, implementume nga CHwB Kosova. Sipas organizatorëve, “Radhitje në plumb, germë për germë” është një instalacion zanor që zgjeron historinë e gazetës dhe institucionit të Rilindjes duke sjellë në pah zërat e individëve që e ndërtuan dhe njëkohësisht u formuan përmes këtij institucioni si intelektualë dhe aktivistë. Përmes rrëfimeve të gazetarëve, shkrimtarëve, teknikëve dhe personelit logjistik që punuan në Rilindje në periudha të ndryshme, ky projekt i drejtuar nga Elisa Maxhuni dhe Tringa Sefedini ofron një perspektivë të re mbi kujtesën e përbashkët dhe identitetin kolektiv të një epoke kyçe për Kosovën.”
Me marrë pjesë: Konferenca e Ekonomisë Kreative, Tiranë
Javën e ardhshme (4-6 Nëntor), Tirana do ta mirëpret konferencëm Creative Economy Conference, event i randësishëm nga Unioni për Mesdheun, e fokusume në industritë kreative! Kjo ngjarje shënon një hap përpara drejt vitit të ardhshëm, sepse kryqyteti shqiptar Tirana osht shpallë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut. Për ata që janë në Tiranë, gjithsesi mos e humbni këtë mundësi të shkëlqyme me nda ide, me marrë pjesë në rrjetizim dhe me pa performanca dhe panele të ndryshme industrisë kreative që gjithnjë e ma shumë po lun rol ekonomik si n’Shqipni ashtu edhe Kosovë.
Me dëgju: Blerta Kosova
Blerta Kosova osht këngëtare dhe producente e pavarur nga Kosova, aktualisht me banim në Paris. Përgjatë viteve, ajo ka qenë pjesë e grupeve të shumta në formacione të ndryshme, tu lundru nëpër zhanre nga post-rock deri tek pop-i abstrakt. Tash na vjen me një single të ri, I've forgotten to think about you, një kangë fun, sexy, me video inspirum prej parqeve zbavitëse.
Me këqyr: Shfaqja “Gratë e Trojës”, Dodona, Prishtinë
Artpolis - Qendra për Art dhe Komunitet dhe Teatri Dodona më 5 dhe 6 nëntor, 2024 sjellin shfaqjen “Gratë e Trojës”, tu fillu nga ora 19:30 në Teatrin Dodona, në Prishtinë. Teksti i dramës greke të Euripidit vjen me tekst bashkëkohor nga Shpëtim Selmani, i cili e lun edhe rolin kryesor. Shfaqja ka bashkêregjisore dhe dramaturge Zana Hoxha dhe Maja Mitic. Sipas organizatorëve shfaqja “Gratë e Trojës,” e “kapërcen kohën dhe hapësirën, duke e kthyer luftën e lashtë të Trojës në një metaforë universale të ciklit të pafund të tragjedive njerëzore—një jehonë që vazhdon të përshkojë historinë e njerëzimit.”
Mu vesh: Space 05, Tiranë
Piramida e Tiranës po bohet një pikë fokusi për arte, kulturë dhe modë. Tash po çelet edhe një dyqan konceptual Space 05, sjellë në jetë nga Destil Creative Hub, nën drejtimin kreativ të dizajneres prishtinalike Venera Mustafa. Si një vizion i veçantë dhe një grup i përzgjedhur me kujdes stilistësh dhe produktesh shqiptarë, Space 05 është pjesë e një ekosistemi më të madh krijues. Space 05 hapet zyrtarisht të martën, 5 nëntor 2024, në orën 19:00. Keni me gjetë punë/tesha të: bannu, Jori Papa, Fight or Flight, Venera Mustafa, Lirika Matoshi, Pristine, pastaj syze të Laura Imami dhe në kuadër të programit BOX: This is not / DJ set të Amer Doux. Po duket fabuloze!