Monday Marks, 24 qershor
Prej festivalit të graffiti muraleve urbane, e koncerteve verore, deri te librat e artikujt e preferuar - e pak modë kontemporane, ja lista ma e re çka me pa, me lexu e dëgju këtë javë verore.
Javët e fundit kemi mbulu koxha do ngjarje në Shqipëri, e këtë javë po ja bëjmë sefte Shkupit me një ekspozitë koxha të veçantë. Lexoni ma poshtë për çka bahet fjalë. Prizreni po vazhdon me koncerte, në Prishtinë menxi po e presim festivalin e shumë-ngjyrshëm e shumë-disiplinor Meeting of Styles. Adelina Thaçi po rikthehet me një koncert, a i kemi veçu edhe do propozime për lexime të gjata e të shkurta. Veç edhe një koment t’vockël, teshat në fotografinë nalt janë në studion e Krenare Rugovës me teshat e dizajnume prej Kikit.
Çka me eksperiencu: Festivali urban “Meeting of styles”, Prishtinë
Në 2017-tën e largët, një grup entuziashtësh të grafiteve, muzikës dhe kulturës urbane filluan edicionin kosovar të konceptit “Meeting of Styles”, koncept që organizohet në shumë qytete botërore. Suksesi i organizatorëve te mbledhun rreth qendrës “Q’art” ishte i menjëhershëm, ndërsa efekti tepër i bukur, e tërë Rruga B mbyllej për dhjetëra artistë nga mbarë bota, me shumë muzikë, murale të mëdha graffiti, kënde për tattoo, e shumë befasina tjera. Sivjet edicioni i MoS mbahet te stacioni i vjetër i trenit në Arbëri me titull “Educate to Elevate”, me data prej 28 deri 30 qershor dhe tash veç janë numër rekord i mbi 150 artistëve vizuelë si dhe 25 DJ-ve, bendeve dhe performuesve tjerë të muzikes. Ka me pasë edhe modë urbane (përfshi favoritën tonë dhe mysafirën e podkastit Skyten me brendin e vet User from XK), e na mezi presim ta shohim “petkun” e ri të kandeve të frekuentume prishtinase. Neja e mirë, artistë të mire të krejt pejsazhit urban, e s’kemi dyshim që edhe efekti vizuel përfundimtar ka me qenë nime "qart”.
Çka me dëgju: Heavenphetamine & Kolektiv Radio, Kino Lumbardhi, Prizren
Konichiwa prizrenli! Seria e super koncerteve Skaj Sessions të Kino Lumbardhit në Prizren po vazhdon këtë javë me concertin e Heavenphetamine dhe Kolektiv Radio, me 29 qershor. Heavenphetamine sipas organizatorëve veçohen me “një stil lehtësisht të shqueshëm nga dyshja e Sara (bateri/vokal) dhe Hiroki Oda (tastierë/vokal), të cilët sinkronizohen në frekuenca sintetike duke përzier në mënyrë dinamike kompozime elektronike dhe ritme punk, e gjitha kjo pa përdorimin e metronomit. Muzika e tyre mbart influenca prej muzikës perëndimore indie si dhe të melodive, ritmeve dhe vargjeve japoneze e kjo krijon një tablo ekzotike muzikore.” Po të njejtën natë performon edhe kolektivi lokal “Kolektiv Radio”. Kolektiv Radio është stacion radiofonik jo-komercial i komunitetit në Prizren, që promovon muzikë underground nga rajoni dhe e gjithë bota. Krahas platformës së saj online, Kolektiv Radio po sjellin edhe muzikë alternative në ngjarje si kjo në kino Lumbardhi. Krejt eventi po doket shumë premtues, e bileta 2 euro ma se e lirë.
Çka me pa: Ekspozitë “Muzeu i Dëgjimit”, Shkup
Këtë vikend në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut u hap një ekspozitë jo fort e zakonshme nga koleksionuesi i gramafonave dhe pllakave Bekim Fera. Edhe pse Mjeku me profesion, Fera është një koleksionar i pllakave gramafonike të muzikës shqipe. Ekspozita përbëhet prej disa qinda pllakave të muzikës tradicionale shqiptare, përkatësisht diskografisë shqiptare gjatë 75 viteve të fundit. Hapja e ekspozitës mblodhi adhurues të muzikes, akademikë nga bota e muzikës. Pak ngjarje kulturore nga Shkupi përcjellen në Kosovë, përkundër faktit që qyteti dikur më i madh shqiptar ka skenë të pasur të teatrit, muzikës dhe kultures shqiptare, por mu kjole ekspozitë për shkak të tematikës ka mbledhur shumë të rinjë, ndërsa edhe ne po e rekomandojmë për çdo kë që këto ditë i bjen të lëviz kah Shkupi.
Çka me dëgju: Koncert nga Adelina Thaçi (me Gjon’s Tears)
Këngëtarja Adelina Thaqi është një tjetër yll që moti s’e kemi pa në koncerte në Prishtinë e tash po na vjen me rastin e ngjarjeve për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Koncerti i saj recital me 27 qershor po mbahet në Klan Arena, është i titullum “Nji za dashnije – Për ty Prishtinë” dhe ka plot mysafirë, prej të cilëve është edhe kangëtari i suksesshëm kosovaro-zvicëran Gjon’s Tears, që e pat fitu një çmim në MTV European awards dhe pat shpërthy në Eurovision 2021. Adelina në media ka thanë që ky “nuk është rikthim por vazhdimësi” e karierës së saj muzikore. Zani i Adelinës gjithmonë ka qenë i veçantë, në një pejsazh kaniherë mediokër të muzikës në Kosovë, kështu që për adhuruesit e saj por edhe për ata që dëshirojnë me (ri)zbulu një za përnime dashnie, ky koncert s’bon me ju ik!
Çka me lexu: Novela Leonard Cohen, nga Jeffrey Lewis
Vera dhe pllazhat dhe malet apo edhe ballkonet me hije të banesave, janë vendet ma të mira me lexu libra verës. Mirë është me lexu edhe pranveres, vjeshtës dhe dimrit, po ka diçka romantike dhe verore, kur ta gjejmë një libër gjatë pushimeve edhe nuk e lëshojmë deri sa ta kryejmë faqen e fundit. E vera e ka edhe një veçori - me zbulu vende të reja, në mal a në deti, ku jemi rahat, ku jemi të dashunum me vendin Apo njerëzit përreth. Libri i Lewis me titullin Leonard Cohen, e kemi përzgjedh jo veç pse titullari e ka këndu kangën Suzanne, që na ka inspiru për titullin e podkastit tonë, po se është libër i mirë me i kujtu bash qasi vende që na mbesin në memorie. Storia është për një burrë që e ka emnin e njejtë me këngëtarin e famshëm por që ka një jetë tjetër. Por edhe ky Leonard e vizitin Greqinë, ku dashunohet në greken Daphne, por jeta e tij vazhdon tutje… Leonardi kthehet në SHBA, bëhet avokat, martohet, rrit dy fëmijë dhe plaket… Ai jeton një jetë të tërë, por në fund e gjen veten të tërhequr përsëri në atë ishullin grek dhe në pemën e dafinës dhe kujtimet për Daphne. Ajo që përnime e gjallëron romanin e Jeffrey Lewis është ndjenja e vazhdueshme e një versioni tjetër të jetës së mundshme, e që është aty në kujtime, por përtej arritjes.
Çka me lexu: Përshëndetja e fundit për Dries Van Notten
Edhe krejt në fund, po ju sjellim një propozim të lexoni e të shikoni pak për punën e Dries Van Noten. Për ata që e përcjellin pak modën, ndoshta e keni dëgju lajmin që dizajneri i madh belg DVN ka vendos me u pensionu, pa paralajmërim. Tap-rrap, ka vendosë me u marrë me sende tjera, me shprehje tjera të artit. Van Notten po len një trashëgimi vizëlluese, të hatashme, të materialeve të pasuna, dizajnit eklektiv e na po ju propozojmë këtë artikull në Guardian për sfilatën e tij përshëndetëse. E për me na tranu neve krejtve në Suzanne, qe edhe një detaj i vogël: modelja super profi e Prishtinës Sihana Shalaj (në foto) ka qenë disa herët fytyra e shpeshtë në pasarela të Van Notten. Sihana ishte edhe në sfilatën e fundit ever të artistit dhe dizajnerit belg, bashkë me ikona tjera botnore të catwalksave. Ja artikulli për sfilatën e fundit të Van Notten: