Monday Marks, 23 mars
Erdh pranvera kah dera, po vijnë edhe plot ngjarje të vogla e të mëdha, me muzikë, teatër, letërsi, film që ju ftojne edhe juve me dal prej dere e m'u inspiru. Qe edhe një Monday Marks
Pranvera erdh me plot energji kreative dhe Monday MArks sjell një paketë rekomandimesh kulturore që nuk ju lajnë vend për mërzi: në Prizren, më “Windway Ensemble” e mbushë Autostrada Hangar me frymën e flautit, oboesë, klarinetës e kornës me Mozart, Handel, Gershwin e Harapi ndërsa Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” hap ekspozitën “Pranvera e shkurtër” (Brikena Gashi & Esko, kuratore Arzu Çukiçi) që ndriçon çashtjen e martesave të hershme.
Në Gjakovë, Teatri “Hadi Shehu” sjell “Chatroom” të Enda Walsh në regji të Erson Zymberit — një përplasje e botës digjitale që s’osht për të vegjëlit (16+).
Në Prishtinë keni dy takime me emocione dhe reflektim: Lavjerr’s Culture Cafe shfaq filmin “Prishtinë 2002” me Trëndelina Halilin dhe diskutim me regjisoren, ndërsa në Bibliotekën Kombëtare prezantohet “Strongest Link”/“Hallka ma e fortë” nga Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja — dokumentim i randësishëm i historive të mbijetuesve të përdhunimeve gjatë luftës.
Ferizaji ofron një mbramje filmike si pjesë e Festivalit të Arkitekturës Moderne II në Galerinë e Arteve, e mahalla e Ulpianës në Prishtinë të mërkurën ka groove me Wednesday Music selection by Giza në Pijetore. Krejt për fund, Tirana hap ekspozitën “Shift” të Shuk Oranit në GOCAT — dy akte dritë/errësirë që premtojnë një përvojë bashkëkohore.
Super selection for super season.
Me dëgju: Koncert nga Windway Ensemble / Autostrada Hangar, Prizren
Pranvera po shënohet me një koncert me muzikë frymore po organizohet në objektin e Autostrada Hangar në Prizren. Me datën 25 mars, nga ora 20:00, muzika me flautë e me oboe, me klarinetë e me korno, mbushin hapësinën moderne të hangarit artistik, me pru zanat e Mozart e Handel, Gershwinit e Harapit.
Me pa: Shfaqja “Chatroom” nga Enda Walsh / Teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë
Drama bashkëkohore “Chatroom”, e shkrume nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, vjen për publikun e Gjakovës në skenën e Teatrit “Hadi Shehu” me 23 mars, ora 20:00. “Chatroom” eksploron anën e errët të botës digjitale: izolimin, dëshirën për pranim, nevojën për pushtet mbi tjetrin dhe përgjegjësinë që mbart fjala - edhe kur ajo shkruhet mrapa një ekrani. Shfaqja osht për moshat 16+
Me këqyr e me diskutu: Filmi i shkurtër “Prishtinë 2002” / Lavjerr’s Culture Cafe, Prishtinë
Filmi i shkurtë “Prishtinë 2002”, me regji nga Trëndelina Halili, vjen në një mbramje të veçantë në Lavjerr's Culture Cafe, ku filmin mundeni me këqyr e masnej edhe me diskutu. Ky osht një rrëfim emocional për miqësinë, fëmijëninë dhe realitetin e pasluftës në Prishtinë, i vlerësum në plot festivale ndërkombëtare të filmit. Natyrisht, mas shfaqjes, mundeni mu bashku në një diskutim me regjisoren për me zbuluar historinë pas filmit. Data osht 25 mars, ora 19:00.
Me lexu e diskutu: Prezantimi i librit “Strongest Link” nga Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja / Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Prishtinë
Anna Di Lellio osht eksperte e mediave që ka shërby në Kosovë në vitet e masluftës dhe ka shkru shumë për Kosovën, nga miti shqiptar i “Betejës së Kosovës” e deri te çashtjet politike të kohës. Garentina Kraja osht gazetare e njohun që ka punu në media vendore dhe ndërkombëtare. Bashkë, kanë vendos me shkru librin për tragjedinë e të mbijetumeve të përdhunimeve në Kosovë. Rezultati osht librin “Hallka ma e fortë - histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”. Libri osht pranu si dokument i randësishëm i historisë gojore, të dokumentume në një libër. Lansimi osht me 26.03 në ora 18:00 në Librarinë Kombëtare.
Me pa: Ekspozitë “Pranvera e shkurtër” / Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, Prizren
Një ekspozitë intriguse nga artistet Brikena Gashi dhe Esko, e kurume nga Arzu Çukiçi e titullume “Pranvera e shkurtër” e ka moton kontempluse “Disa vajza nuk e jetojnë kurrë pranverën e tyre… ajo u ndërpritet shumë herët.” Ekspozita sjell reflektim mbi realitetin e martesave të hershme dhe fuqinë e edukimit për ndryshim. Temë e nevojshme dhe artiste që premtojnë, e ju mundeni me pa ekspozitën dhe me u taku me autoret sonte 23 Mars, nga ora 19:00 te Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, Prizren.
Me këqyr: Mbramje filmike ne kuadër të Festivalit të Arkitekturës Moderne II / Galeria e Arteve në Ferizaj
Festivali i Arkitekturës Moderne me temë “PUBLIKE & MODERNE - Hapësira Publike si Projekt Shoqëror” tashmë osht afër përfundimit në Ferizaj, por me 24 mars e keni një mbramja filmike si pjesë të programit të FAM II që synon me çelë diskutimin mbi rolin e arkitekturës moderne në formësimin e jetës kolektive dhe randësinë e hapësinave publike si platforma sociale, kulturore dhe qytetare. Ngjarja zhvillohet në galerinë e qytetit Ferizaj nga ora 17:00.
Me kcy: Wednesday Music selection by Giza / Pijetore, Ulpianë
Pijetorja që gjendet në kuartit e artistave në Ulpianë ka program t’mirë muzikor, lokacionin inspirues, menaxhmentin muhabetues, koktellat iluminiues ndërsa të mërkuren e keni edhe muzikën e mirë nga Giza Berisha, njeriu i kaçketave dhe shijes së mirë muzikore. Ja vlen mesjavën me kalu aty.
Me pa: Ekspozita “Shift” nga Shuk Orani / GOCAT, Tiranë
Gallery of Contemporary Art Tirana me akronimin simpatik GOCAT gjendet tek Piramida e Tiranës dhe këtë javë ka kënaqësinë me ju ftu në hapjen e ekspozitës së radhës, “Shift” nga artisti Shuk Orani. E ndamë në dy akte, Drita dhe Errësira, kjo ekspozitë na fton në një përvojë thellësisht bashkëkohore, ku piktura abstrakte ndërthuret në mënyrë organike me teknologjinë. Sipas kuratorit Elton Koritari “përmes antitezave simbolike dhe veprave monumentale, hapësira e galerisë shndërrohet në një eksperiencë intime, ku kërkimi dhe zbulimi krijojnë një dialog të hapur me publikun.” Hapjen e keni të mërkurën, me 25 mars, nga ora 19:00.










