Monday Marks, 23 dhjetor
Monday Marks i parafundit për këtë vit për neve, por i mbushun me ngjarje me përjetu, koncerte me dëgju, ekspozita, filma, diskutime dhe koleksione veshjes të bukura. Super grumbull rekomandimesh!
Shkoi edhe ky vịt. Festat e Kërshendellave dhe Vitit të Ri janë para neve. Ama hala jo, ka mbetë edhe pakëz kohë dhe kanë mbetë edhe dy Monday Marks për 2024, me ju ngashnjy me dal, me pa ekspozita, me shku në koncerte, me këqyr e me diskutu filma…
Po ja nisim rend: Brilant Milazimi, ylli i ri i artit kontemporan kosovar ka ekspozitë në Klubin e Boksit në Qafë me një titull filozofik '“Përheshmëria në të përkohshmen e zhvendosur”, kuruar nga Albert Heta; për Krishtlindje mund të dëgjoni koret e fëmijëve Okarina dhe Amadeus, organizuar nga Fondacioni Ramë Lahaj; në Zone e keni Phantome Collective për party t’çartë; në Prizren e keni jo njo po dy koncerte me jazz: “Cats Quartet” në Kino Lumbardhi dhe “Tingujt e Anadollit” me performues nga Turqia në qendrën sportive Sezai Surroi. Një prizrenli vjen në Prishtine - Samir Karahoda e shfaq filmin e vet “Rrugës” pasuar nga nje diskutim me autorin në hapësinat e Kosovo 2.0; një lexim skenik interesant do të jetë edhe një dramë e Albana Muja në Servis Fantazia.
Këtë javë po ju sjellim edhe një koleksion tepër imagjinativ nga dizajnerja Njomza Haziraj dhe koncertin e bendeve Tr3diot dhe BllaBllaBlla në kino Jusuf Gërvalla në Pejë.
Medemek, një Monday Marks plot festivitete, ngjyra, tinguj e gëzim! Urime Kërshëndellat për të gjitha ata që festojnë!
Me pa: Ekspozitë Brilant Milazimi, Klubi i Boksit, Prishtinë
Brilanti osht briliant. S’patëm qare pa ba një lojë fjalësh këtu, se Brilant Milazimi osht pernime njani prej yjeve te reja të artit kontemporan që po shkëlqejnë edhe ma gjanë se Kosova. Të hanën me 23 dhjetor në ora 20:00, do të hapet ekspozita "Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur", ekspozitë personale me Brilant Milazimin e kurume nga Albert Heta, në hapësinat e Klubit të Boksit, rruga Mark Isaku 8, Prishtinë. “Përhershmëria në të përkohshmen e zhvendosur" me Brilant Milazimin osht ekspozita e fundit e programit vjetor të ekspozitave të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2024 dhe moduli final i Çmimit Artistët e së nesërmes i krijuar për të ofruar një ekspozitë personale për fituesit e Çmimit. Brilanti e pat fitu këtë çmim me 2020.
Me dëgju dhe festu: Koncerti festiv me koret e fëmijëve “Okarina” dhe “Amadeus, Katedralja e Shën Nanës Terezë
Krishtlindjet edhe festat e fundvitit bohen edhe ma festive me kangët e dashtuna që dëgjohen gjithandej nëpër filma, seriale, nëpër sheshe e në shpija si “Silent Night”, “Carol of the Bells”, “O Christmass Tree” e plot tjera. Fondacioni Ramë Lahaj ju sjellë atmosferë të ngrohtë me plot dashni e buzëqeshje me Kori i Fëmijëve Okarina dhe Kori e Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës Amadeus, të cilët “do të na mbushin me emocione dhe energji pozitive përmes muzikës së kompozitorëve të njohur si Tchaikovsky dhe Strauss, si dhe melodive të dashura shqiptare.” Koncerti festiv i titullum “Eja festo me ne – Koncert Festiv mbahet me 23 dhjetor, në ora 19:00.
Me kcy: Fantom Collective, Zone Club, Prishtinë
Phantom Space osht një brend i ri i teshave urbane të cilët po na ftojnë me “festu një 2024 të çmendur si dhe lansimin tonë më të ri të linjës/kapsulës me veshje të reja” - krejt bashkë në Zone Club. Me datën 25 dhjetor, do ta kemi Art Haliti & Don The Amazing, për një b2b special të zgjanum, me @specialk.music dhe Sammer Here, me plotësu listën e DJ-ave.
Me dëgju: Koncert jazz “Cats Quartet”, Kino Lumbardhi, Prizren
2024 po i vjen fundi edhe në Kino Lumbardh. Na në Suzanne i kemi mbulu plot evente të tyne sivjet, dhe tash po e mbyllim me muzikë prej shpisë! Në sesionin e qujtun Off the Record, vijnë Cats Quartet, një katërshe të muzikës jazz nga Kosova me Fisnik Behlulin (trompet), Urim Maliqi (kitarë elektrike), Genc Hajziri (keyboard) dhe Cemi Tatar (drums) më 29 dhjetor prej orës 21:00.
Cats Quartet është bend i muzikës jazz që sjell një kombinim unik të modernes dhe klasikës tu lujt në forma inovative e tu sjellë një energji krejt rinore. Lumbardhi na mirëpret për sesionin e fundit të Off the Record për këtë vit në Kino Lumbardhi!
Me dëgju: Jazz koncert "Flade nga Anadolli”, Sezai Surroi, Prizren / Salla e Kuqe, Prishtinë
Sonte me 23 dhjetor, pas një turneu të suksesshëm në Ballkan, "Anadolu Jazz" vjen në qendrën “Sezai Surroi” në Prizren, ndërsa me 24 dhjetor janë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, për një mbrëmje festive me muzikë jazz dhe ritme të veprave më të bukura nga Anadolli. Instituti Yunus Emre po sjell grupin profesional prej 12 anëtarësh nga Turqia, me artistë të njohur si Anıl Şallıel dhe Mareechi Asu, së bashku me artistët vendorë të talentuar të Kosovës nga grupi “Ela & Friends”, janë gati të magjepsin Prizrenin e Prishtinën me performanca etno-xhazi!
Me dëgju: Koncert i fundvitit me bendet BllaBllaBlla & Tr3diot, Kino Jusuf Gërvalla, Pejë
Më 25 dhjetor, Kino Jusuf Gërvalla në Pejë ju fton të “përgatiteni për një natë të paharrueshme me dy koncerte të jashtëzakonshme që do të mbushin skenën tonë me energji dhe tinguj fantastikë.” Bendet janë Blla Blla Blla, grupi legjendar nga Shkupi, që performon që nga 1988. Të njohun për qasjen e tyne eksperimentale ndaj muzikës, ata kanë formësu një identitet unik të cilin e quajnë “Oversky Balkanishe Re-formë”. Performues këtë natë janë edhe bendi TR3DIOT, një grupi grunge post-alternativ nga Prishtina që ndërthur tinguj të fuqishëm grunge me elemente etno. Art-rock, grunge, post-punk, but all fun!
Me këqyr dhe diskutu: Filmi “Rrugës” nga Samir Karahoda, K2.0 hub
E hanja ka plot ngjarje! Sonte Kosovo2point0 ju fton për shfaqjen e filmit “Rrugës” dhe bisedën me regjisorin kosovar të shumëshpërblyer Samir Karahoda, më 23 dhjetor, nga ora 18:00, në Hub 2.0. Pas shfaqjes së filmit, ka me pas edhe një diskutim të shkurtë midis Karahodës dhe gazetares, Dafina Halili rreth rrugëtimit të tij deri këtu, rreth asaj që e frymëzon, qasjes së tij në film dhe asaj që ai e thotë përmes filmit të tij.
Me dëgju: Lexim skenik i dramës “Paladuk” nga Albana Muja, Servis Fantazia
Servis Fantazia bon party t’mira por ka edhe ngjarje të kulturës alternative, sidomos mini-drama dhe lexime skenike. Kësaj rradhe Albana Muja sjell një lexim skenik të dramës së saj “Paladuk”, këtë të hane me 23 dhjeto në ora 18:00. Leximi bohet nga një lineup yjesh të verteta: Arlinda Morina - Liki, Agnes Nokshiqi, Uresa Ahmet dhe Donikë Ahmeti.
Me vesh: Koleksioni “Threads of a Play” nga kreatorja Njomza Haziraj
Njomza Haziraj sjell një koleksion tepër të bukur me një rrëfim tepër të bukur te prodhum me një ide tepër të bukur. Koleksioni e ka emnin “Threads of a Play”, edhe konsiston prej veshjeve me detaje të vijave të kepuna, por vijat janë vizuelizime të zanit apo audio waves, duke lexu copëza të ditarit, kryesisht nga Runiku i bukur i Drenicës së bukur. Pra copëzat e kujtimeve të Njomzës, të shëndrrume në audio dhe pastaj në vija për me marrë formën e bukur të bluzave elegante, minimall, sexy-urban, por gjithsesi shumështresorë, me referencat e akulloreve verore, vallëzimit me Katy Perry, dhe dimnave me saja. Urime Njomza! E marume me dashni.