Monday Marks, 21 korrik
Nëse jeni n'deti, boll mirë. Nëse s'jeni, edhe ma mirë, se mundeni m'i ndjek ngjarjet e javës: festivale, ekspozita, koncerte, party... Qe Monday Marks i ri me super rekomandime!
Jemi në mesin e korrikut, ku dielli rreh pa kompromis, dallgët e detit na ftojnë pa u ndalë, ama dijeni që edhe skena kulturore s’osht hiç ka pushon. Osht ka shpërthen bile. Kjo javë na gjen mes kështjellave, galerive, operave dhe netve pa gjumë me DJ që vijnë prej Osakës, e me kantautorë që këndojnë te Kalaja e Ulqinit e Kështjella e Shkodrës.
Ma s’pari e keni Prizren Fest me teatër të hapur nën qiellin e Prizrenit; Operën e Kosovës me “Carmen” me funin e kuq në Prishtinë por edhe natën operistike të Ramë Lahaj dedikum Nexhmije Pagarushës.
Masnej, e keni rejvin me inspirim nga “dhoma e bojlerit” me ¥ØU$UK€ ¥UK1MAT$U; Zâ Festivalin magjik në Kalanë e Rozafatit të Shkodrës dhe koncertin e Shpat Dedës në Kalanë e Ulqinit; Koncertin e lezeçëm nga Bana Sahiti e Elsa Mala në Lavjerrs; eventin inspirues Nomad Sessions nga Futja Ngjyrë në Mitrovicë; performanca të guximshme artistike nga Tirana Art Lab në Pogradec.
Pra, kjo nuk është javë për me ndejt me një vend.
Kjo është javë për me ecë, me dëgju, me kcy, me pa e me kujtu që kultura verore osht forma ma e mirë e rezistencës, edhe ndaj nxehtësisë, edhe ndaj harresës. Veq dashnisë mos i rezistoni! Ishmenada nëjkah.
Me këqyr, me diskutu e me festu: International Open Air Theatre Festival PrizrenFest / Prizren
Për ata që i dojnë krejt format e artit, për ata që e dojnë skenën e teatrit, dhe për ata që kanë interes me debatu. me mësu dhe me kontemplu për rolin e kulturës, edicioni i katërt i Festivalit teatror në Prizren PrizrenFest osht ngjarje e përkryme. Shfaqje nga trupa teatrale prej mbi 10 shteteve, prej Kosovës e Shqipnisë, deri në Britani e Francë, plus debate publike dhe natë të gjata me nëj gotë raki a birrë të ftoftë me artista e regjisorë, besojmë se janë elemente intriguse me shku pak në Prizren. Festivali osht nga 21 deri më 28 korrik, mbahet nëpër lokacione të ndryshme në krejt qytetin, ndërsa sivjet e ka edhe një program për fëmijë. Me shku, a mos me shku, kjo nuk osht pyetja. Lirisht shkoni.
Me kcy: ¥ØU$UK€ ¥UK1MAT$U / Pallati i Rinisë, Prishtinë
Këtë javë e keni edhe një mysafir special, eksperimental, eksploziv: DJ nga Osaka e Japonisë ¥ØU$UK€ ¥UK1MAT$U vjen në Pallatin e Rinisë, organism nga dostat e Rave Events. Yukimatsu osht ma shumë se veç edhe një DJ vizitus, ai osht vetë një narrativë audio-vizuale. Setet e tij e kanë njëfarë kualiteti gati si performanca rituale: përzime të eksplorimit muzikor me intensitet fizik, që sfidon pritshmëritë. Pionieri i Boiler Roomit osht në Prishtinë me 25 korrik, përcjellet nga Diah, Toskë, and Uran B - e biletat i gjeni këtu.
Me pa e inspiru: Opera “Carmen” e George Bizet / Salla AMC, Prishtinë
Ajo nuk kërkon leje. As dashni. As mëshirë. Carmen hyn në skenë si stuhi me fund të kuq dhe sy që nuk kërkojnë, por zgjedhin. Ajo osht gruja që burrat nuk dinë qysh me dashtë, e shoqnia nuk din qysh me pranu. Zani i saj nuk pretendon me qenë “gru e mirë”, po gru e lirë. Në një botë ku gratë ose duhen, ose dënohen, Carmen i bon të dyjat, me trupin dhe zërin e saj. “Carmen” e Bizet nuk osht veç operë. Osht paralajmërim. Osht kujtesë që për disa gra, liria hala paguhet me jetë. Opera e Kosovës sjell në Prishtinë Operën 'Carmen’ të George Bizet kanë mu interpretu në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin, në ambientet e AMC Hall. Vikena Kamenica vjen në rolin e Carmen, rolet tjera janë nga sopranot nga Kosova Urta Haziraj dhe Zana Abazi-Ramadani, tenori portugez Carlos Cardoso, baritoni i famshëm ukrainas, Vitaliy Bily, etj.
Me pa, me kcy e m’u inspiru: ZÂ Festival / Kalaja e Rozafatit dhe lokacione tjera, Shkodër
Zâ Fest lindi në 2017 në Theth me një synim: “mi bashku njerëzit nëpërmjet rizgjimit dhe rivlersimit të kulturës sonë. Me muzikën dhe fjalën si bosht dhe si elementë kryesorë që na përfaqësojnë”. Sivjet ZÂ Fest sjell plot artista t’mirë, prej 24 deri 26 korrik, në Kalanë e Shkodrës. Aty i keni prej Armend Rexhepagiqit, MC Kreshës, Lyrican Son, deri te Petrit Çarkaxhiu, Vlashent Sata deri te Sahati e Casadilego. Ka edhe pika tjera programore, në hapësina përrallore dhe shoqni gazmore.
Mu dashunu tu dëgju: Koncert nga Bana Zahiti e Elsa Mala / Lavjerrs, Prishtinë
Qe një koncert i lezeçëm në Lavjerrs, vendi me hapësinë minimale, me programin optimal veror. Bana Zahiti and Elsa Mala vijnë me 22 korrik në Lavjerrs, me na pru pak vokale t’mira, t’buta, por edhe tekste t’mrefta dhe të thella për krejt ata qe dijnë me dasht tu ngu muzikë. Koncerti fillon në ora 20:00.
Me kcy: Nomad Sessions nga Futja ngjyrë / Palestra Fatime Xhaka, Mitrovicë
“Futja ngjyrë” osht një organizatë simpatike nga Mitrovica e 10 ditët e ardhshme po e sjellin një festival me emnin “Nomad Sessions”. Programi ka “rock me t’rexh” me Telikput dhe Jutbina, “electro sesh” me BL999ND, “acoustic sesh” me Yon Idy dhe magic show (?!). Krejt organizimin e kanë pa sponzora, me forca t’veta, biletat e ngjarjes i kanë 20 cent, edhe veq për entuziazmin dhe punën që e kanë investu n’krejt këtë program, meritojnë përkrahje dhe vizitë enkas te ta. Bravo!
Me pa: Ekspozita “Performative Exhibition #5 – Lyhnida – The Lake of Light” / Galeria e Artit Lasgush Poradeci, Pogradec
Nëse e kalon një javë në kërkim, pranë një liqeni andrrash, ftum nga një galeri eksperimentale, përfundon me ekspozitën “Performative Exhibition #5 – Lyhnida – The Lake of Light”, që sjell në Pogradec një rezidencë dhe ekspozitë artistike të Tirana Art Lab, ku natyra, historia dhe arti ndërlidhen në një kombinim intrigus. Artistë, kuratorë dhe aktivistë nga Shqipnia dhe diaspora — Bora Baboçi, Adela Demetja, Genc Kadriu, Denisa Kasa, Anastas, Ledia dhe Mariana Kostandini, Fabio Toska, Ilir Tsouko, iu kanë përgjigjë thirrjes së liqenit ma të vjetër të Europës me u përpjekë me ndriçu një të kalume të thellë dhe një të ardhme të pasigurt. Hapja osht 26 Korrik, ora 19:00 e ekspozita e hapun prej 27 Korrik deri 5 Gusht, në Galerinë e Arteve, Pogradec.
Me dëgju: Ramë Lahaj International Opera Festival / Hapësira para Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë
Erdh vakti për edicionin e ri të Rame Lahaj International Opera Festival. Edicioni e pestë të RLIOF këtë javë e ka programin dedikum ikonës së përjetshme të muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha. Kush performojnë? A R B Ë R E SH Ë osht një artiste e shumëanshme shqiptare, e rritun në Zvicër, e cila sjell një kombinim unik të traditës dhe bashkëkohores përmes muzikës. Edona Reshitaj osht një artiste e njohun kosovare, kantautore, producente që ndërthur muzikën tradicionale shqiptare me jazzin. Adhurim Grezda osht një bariton i njohun shqiptar, i përkushtum ndaj muzikës klasike dhe asaj popullore qytetare shqiptare, i cili sjellë një stil të veçantë që ndërthur traditën me ndjeshmërinë moderne. E në fund Gala El Hadidi osht një mezzo-soprano egjiptiane me famë ndërkombëtare, me një zë të fuqishëm dhe të përshtatshëm për rolet dramatike.
Skena Verore e Ulqinit me Shpat Dedën / Kalaja e Ulqinit
Kalaja e Ulqinit ka qenë vend-takim piratësh, bile ndoshta edhe vend-burgim i Cervantesit ku osht inspiru për Don Kishotin marrëzisht të dashunum Dulçinean, kështu që osht lokacion i përkrym për Shpat Dedën romantik me zanin e tij që lehtë përcjellet mes gurëve të vjetër të kalasë. Nëse jeni në Ulqin, mos harroni pra, Skenën Verore të Ulqinit, koncertin e Shpatit, te Muzeu Vendor në Kala, me 27 Korrik, n’ora 21:30.