Monday Marks, 20 maj
Prej 1984 të Orwellit në Teatër Kombëtar, kah netët muzikore në Soma, libër ushqimi të Dukagjinit & rekomandime tjera: çka po ju propozojmë me lexu, dëgju, vizitu e hangër këtë javë...
Me pa: “1984” e Orwell në Teatrin Kombëtar
1984 është libër që s’ka nevojë me përshkru hiç. Ndër librat ma të famshëm të shkruar ndonjëherë dhe me siguri edhe ndër librat ma me ndikim. Përshkrimi që ja bon shkrimtari George Orwell totalitarizmit dhe kontrollit që e bëjnë shtetet diktatoriale krejt shoqnisë është shumëzuar në shumë formate, bile edhe në fushën e zbavitjes me konceptin e “Big Brother”, që është huazim direkt prej librit. Eh po nëse jeni lodhë nga ndikimi total në portalet tona nga Big Brotheri televiziv, gjithsesi drejtohuni kah Teatri Kombëtar ku këtë fillim jave shfaqet premiera e interpretimit teatral të ‘1984’ e bazuar në veprën e George Orwellit, e adaptuar për skenë dhe në regjinë e Igor Mendjisky nga Parisi. “Ky është një prej projekteve më të mëdha te TKK-së për një kohë të gjatë”, sipas drejtorit të TKK Kushtrim Sheremeti. Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, Ylber Bardhi.
Me lexu e me hangër: libri “Shijet e Dukagjinit”
Libra të gatumjes të shkrume shqip nuk ka qaq shumë, edhe pse ka do shefa të famshëm shqiptarë, prej Rene Rexhepit në Kopenhagë e deri te Action Bronson në Bronx. Por, do muaj më parë, doli një libër që koxha e pasunon këtë pejsazh të vobegtë të librave me recepta. Libri “Shijet e Dukagjinit” është ma shumë se kompilim gatojcash: është një hulumtim i kulturës së ushqimit, e përpiluar nga kuzhinieri Fejsal Demiraj (bashkëpunëtor i ngushtë i Rexhepit në NOMA-n e famshme) dhe hulumtuesi Jeton Jagxhiu, të cilët me ndihmën e CHwB Kosova kanë sjellë një përmbledhje rrëfimesh, imazhesh, vizatimesh, reçetash ushqimi, të Pejës, Gjakovës, Deçanit, Junikut e Klines, fokusuar në ushqimin tradicional e divers të kesaj zone, duke ofruar historitë e lashta dhe interpretimet e reja të ushqimit të Dukagjinit. Librin e kemi ble në librarinë Dukagjini.
Me pa: Ekspozita Diell, Galeria Qahili
Nalt në Veternik, gjendet një galeri private, ndër të parat në Prishtinë. Është themeluar nga piktori i njohur kosovar Eshref Qahili. Tash e mbi një dekadë, kjo galeri ka organizuar ekspozita të ndryshme, ngjarje artistike dhe punëtori të ndryshme. Këtë javë galeria ka një ekspozitë të titulluar Diell, me tri gra artiste: Bardha Buza, Merita Myderrizi Maloku, Vjosa Bujari Maliqi. Titulli i ekspozitës është Diell, e përshkrimi nga vetë galeria është koxha poetik: “Diell është një emblemë lavdie dhe shkëlqimi. Ai përfaqëson lumturinë, jetën dhe spiritualitetin. Një simbol i shpresës. Diell është një ekspozitë e kuruar që hulumton fuqinë transformuese të dritës diellore, duke u fokusuar në diell si burimin përfundimtar të dritës dhe jetës në universin tonë.” Si adhurues të ngrohtësisë së diellit, edhe na po ua rekomandojmë këtë ekspozitë.
Me dëgju: Jubleta
Xhubleta është veshja e lashtë shqiptare që e dijmë të gjithë. E Jubleta është një personazh i ri në muzikë, alter ego e producentes Donjeta Mejtani. Donjeta ka pasë një karrierë diverse mrena botës së vockël kreative të Kosovës, prej librit të fotografive me Ermal Metën, e deri tek shkrimet e saja për komunitetin LGBTQ+ e deri te puna në Manifesta... Ndërsa tash Jubleta po fillon me një faqe të re të muzikës. Jubleta sapo e ka lëshuar trekin e parë “Blue Hour” dhe nga ky fillim që e rekomandojmë ta dëgjoni këtu, mund të presim big things. Edhe artworki nga Bardha Neziri shumë inspirues!
Me dëgju: Arlinda nga Suzanne në Soma Book Station
Autorja e podkastit Suzanne, prej të cilit ka rrjedhë edhe kjo faqe e Substack-ut është Arlinda. S’po e zgasim shumë për te në këtë faqe por këtë të merkure Arlinda ështe e ftume me playlisten e vet në të mërkuret muzikore në Soma, në një seri që quhet Radio Sferat. Nëse doni me ja dëgju muzikën eklektike të Arlindës, dokuni e dëgjoni. (Foto bytheway e Arlindës tu lëshu muzikë në ekspozitën Perspektiva, SURF festival 2010. Na pëlqeu.)
Shihemi të hanen e ardhshme…