Monday Marks, 2 mars
Borë n'Brezovicë, diell n'Prishtinë, ngjarje gjithandej për javën e parë të marsit. Qe top lista Monday Marks me krejt ngjarjet kryesore nga arti, kultura dhe aktivizmi qytetar, pavarësisht motit.
Sërish erdhi marsi. Java e parë e marsit sjell një program të pasun kulturor në Prishtinë dhe Tiranë, ku arti, kujtesa historike dhe aktivizmi ndërthuren në ekspozita, teatër, muzikë dhe poezi. Në Galeria Qahili hapet ekspozita kolektive “36 Orë”, një homazh për rezistencën e familjes Jashari, ndërsa në ODA jepet premiera e shfaqjes “Nemesis”. Programi vazhdon me aktivitete poetike dhe feministe nga Artpolis, si dhe me mbrëmje muzikore JazzCats dhe hapje ekspozite në “Hajde” që eksploron temat e kolektivitetit, identitetit dhe kujtesës. Atmosfera e 8 Marsit reflektohet edhe në ngjarje komunitare dhe performanca publike (Ms Indefinite në sheshin Skenderbeu), përfshi flea market dhe aktivitetet kulturore në hapësira alternative publike si Termokiss.
Ndërkohë, agjenda shtrihet edhe në Tiranë me sesionin filmik të Ekrani i Artit me përzgjedhje nga Ars Electronica, si dhe një mbramje poetike nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kushtume Pier Paolo Pasolini.
Një javë dedikume protestës, ndërgjegjësimit dhe aktivizmit me art e kulturë.
Me pa: “36 Orë” - Ekspozitë për Natën e Zjarreve / Galeria Qahili, Prishtinë
Galeria simpatike në maje të Prishtinës organizon tradicionalisht ekspozitë për jetën dhe rezistencën heroike të familjes Jashari gjatë 36 orëve kyçe të historisë së Kosovës. Këtë vit ky homazh, shënohet përmes instalacionit dhe ekspozitës kolektive më 5, 6 dhe 7 mars, tu fillu nga ora 19:00.
Me pa: Premiera e shfaqjes “Nemesis” e Teatrit ODA / Amfiteatri te Pallati i Rinisë
Shfaqja ma e re nga Teatri ODA, “Nemesis” nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, me regji të Florentit, e ka premierën me 03 mars, 2026, dhe reprizat më 04 dhe 07 mars në Teatrin Kombëtar të Kosovës. “Nemesis” osht një shfaqje teatrore që trajton artistikisht “rrugëtimet dhe fatet e pushtetit dhe forcës si parakushte por edhe katalizatorë të degradimeve të personalitetit.” Po duket intriguese teksti i dy autorëve shqiptarë!
Me marr pjesë, me dëgju e mos me hesht: Mbramja poetike “Poezi për fuqi” nga ArtPolis / Libraria Dukagjini
Dita e grave 8 marsi nuk osht veç festim i grave por edhe rast me protestu dhe me rikujtu fuqinë e aktivizmit për barazi gjinore. “Poezi për Fuqi” osht një mbramje poetike dedikume 8 marsit ku fjala, sipas organizatorëve, “shndërrohet në qëndresë, kujtesë dhe thirrje për barazi. Sepse 8 Marsi nuk është vetëm një datë; është një vetëdije që duhet të jetojë çdo ditë. Është guximi për të folur, për të mos u heshtur, për ta kthyer dhimbjen në dritë dhe për ta shndërruar përvojën në fuqi kolektive.” Mbramja poetike “Poezi për Fuqi”, mbahet më 5 mars, 2026 nga ora 19:00 në Librarinë Dukagjini në Prishtinë.
Me dëgju: Prishtina Jazz Catz / Defy Them, Prishtinë
Seriali i mbramjeve muzikore dedikume jazzit “Prishtina Jazz Catz”, po vazhdon me një ngjarje dedikume muzikës së Kenny Garrett. Kejdi Barbullushi (guitar) dhe Dukagjin Muhaxheri (saxophone) e udhëheqin muhabetin muzikor, bashkë me Ilir Bajri (keyboards), Visar Kuçi (bass) dhe Nesim Maxhuni (drums). Së bashku premtojnë me eksploru thellësinë, lirizmin dhe frymën ritmike që e karakterizon muzikën e Garrettit. Nesër, me 3 mars në qendrën alternaive të kulturës “Defy Them”.
Me pa: Ekspozita “Hajde me tepru” - hapja zyrtare të Grand Art Studios / Hajde Foundation n’Grand Hotel, Prishtinë
Me 06.03, në katin e 6-të të Grand Hotel Prishtina, rezidenca “Hajde me tepru” sjell një ekspozitë që trajton kolektivitetin përmes trupave që mblidhen e shpërndahen, reagimeve të përbashkëta dhe materialeve që mbajnë shumë kujtime. Në ekspozitë prezantohen punët e Adnit Hoxhës, Ana Morinës dhe Zgjim Zybës; në bashkëpunim me Sekhmet Institute me kurator Anyla Kabashi. Nga nejat queer në Grand Hotel, te bashkëpunimi me bakteriet, dhe te çebet e ndihmave si objekte të kujtesës kolektive, kjo ekspozitë eksploron çfarë do me thanë me qenë bashkë.
Me marr pjesë: Performanca artistike feministe “Serish S’vjen Marsi” / Sheshi Skenderbeu, Prishtinë
Më 8 Mars, ora 11:00, në Sheshi Skenderbeu në Prishtinë, artistja feministe Ms. Indefinite performon live performancën artistike feministe “Serish S’vjen Marsi”. Sipas autore, ky akt performativ në hapësinë publike synon me rikthy 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas “nga simbolika formale në thelbin e tij politik: si ditë proteste, rezistence dhe kërkese për drejtësi dhe barazi gjinore.” si dhe një revoltë artistike feministe, ku trupi, memoria kolektive dhe hapësira publike ndërveprojnë për me prodhu një akt rezistence dhe ndërgjegjësimi qytetar.
Me mingle e m’u vesh lirë e mirë: Flea Market për 8 mars / Termokiss, Prishtinë
Të dillen me 8 marsi, e keni mundësinë me kalu kohën (shpresojmë me diell) në pazarin e hapur dhe tattoo pop-up të dedikum 8 Marsit në Termokiss, Dardani, organizume bashkarisht nga qendra feministe Kometë dhe vetë Termokissi. Ngjarja zhvillohet nga ora 12:00, me pazar të hapun me rroba t’dorës së dytë, printime, libra, punime e sende t’vogla prej komunitetit. Masnej keni një kand me tattoo dhe muzikë t’mirë gjithë ditën.
Me pa: Përzgjedhja e filmave Ekrani Off-Screen / Qendra Tulla, Tiranë
Si pjesë e programit fillestar të edicionit të 9-të të festivalit të njohun shkodran Ekrani i Artit, qe një ngjarje interesante: sesioni i parë “Ekrani Off-Screen” në Tirana, me një përzgjedhje filmash nga Ars Electronica. Nga darka rituale dhe rekuieme me AI, te oqeanet e mbushuna me plastikë dhe shkretëtinat e mbeturinave elektronike, këta filma të vlerësum ndërkombëtarisht vizatojnë një panoramë tronditëse të kolapsit mjedisor dhe degradimit shoqëror. Save the date: 06.03.2025, n’ora 19:00.
Me dëgju e lexu: Mbramje poetike dedikume Pier Paolo Pasolinit / Qendra “Sotir Kolea”, Tiranë
Më 5 mars, në ditën e lindjes së Pier Paolo Pasolini, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizon një mbramje letrare kushtum artit poetik dhe vizionit krijues të një prej figurave ma të veçanta të kulturës evropiane të shekullit XX. Poet, shkrimtar, regjisor dhe kritik i veçantë, Pasolini mbetet një za i papajtueshëm me konformizmin, një ndërgjegje artistike që e jetoi fjalën si mision dhe si dëshmi. Aktiviteti zhvillohet në Sallën Italiane të Qendra Sotir Kolea, në orën 18:00.











