Monday Marks, 2 dhjetor
Këtë javë ka borë, ka shi, ka skllotë, por ka edhe ngjarje të shumta kulturore në mes të partyve të shumta të fundvitit që garojnë për vëmendjen tuaj. Pra ku me shku e çka me pa këtë javë dhjetori?
A e dini çka ka thanë një herë piktori i madh spanjoll Salvador Dali? “Çdo mëngjes kur zgjohem, përjetoj një gëzim të jashtëzakonshëm—gëzimin e të qenurit Salvador Dalí— dhe pyes veten: Çfarë gjërash të mrekullueshme do të bëjë ky Salvador Dalí sot?” Eh, këtë javë mundeni me u mrekullu me 100 ilustrime të mrekullueshme të Dalí, pë herë të parë në trojet shqiptare, përkatësisht në Galerinë NAAN në Tiranë.
Ndërsa në Prishtinë keni plot ngjarje - sidomos koncerte - prej koncerteve kamertale dhe alternative në Bibliotekë Kombëtare e Termokiss, e deri te ekspozita HeartBreak Hotel, kurume nga Bjeshkë Guri dhe Simon Kurti në Grand Hotel; Galeria 17 po sjell një seri prej katër ekspozitash për Pop-up Art Week 2024; me hangër ju rekomandojmë 7 Sundays që po hapet këtë jave.
Me lexu mundeni Migjen Kelmendin, ndoshta autorin ma të njoftun kosovar sot, i cili e ka botu një roman pas shumë vjetësh; e keni një koncert jazz nën siglen “Prishtina Jazz Catz IX”, ndërsa Lib Shkupolli ka ekspozitë në hapsinën e re Space 05 në Tiranë, por me konceptin Pepins po e sjell edhe një darkë t’mirë në kryeqytetin shqiptar.
Kënaquni!
Me përjetu: Ekspozita e Salvador Dali, Galeria Naan, Tiranë
A e dini çysh doket ferri? E ka përshkru ndoshta ma s’miri Dante Alighieri me Komedinë Hyjnore. Eh, dikun nfillim të 1950-ave, për festimin e 700-vjetorit të lindjes së poetit të madh italian Dante Alighieri, qeveria italiane e pat ngarku mjeshtrin surrealist Salvador Dalí me kriju 100 ilustrime për një edicion përkujtimor të Komedisë Hyjnore. Imagjinata hiperrealiste, e çuditshme dhe makabre e Dalí-t dukej si një përputhje e përsosun me vizionet e Dantës për Ferrin, Pastrimin dhe Parajsën. Ekspozita u pat bo skandal te italianët asokohe, se “qysh spanjolli me na ilustru shkrimtarin ma t’madh italian!” E tash po vijnë 100 ilustrimet Dalí në Tiranë, prej 5 dhjetor deri 12 shkurt, në galerinë NAAN. Për herë të parë knej-pari kështu që ja vlen gjithqysh me e pa vizionin italian të ferrit e parajsës nga i çuditshmi spanjoll.
Me pa: Ekspozita “Heartbreak Hotel”, Grand Hotel, Prishtinë
CEL po sjellë një ekspozitë zemër-thyese. Nëpërmjet tre dhomave të hotelit, tu shfaqë poezi dhe instalacione multimediale, ekspozita hulumton thymjen e zemrës përmes kandvështrimeve të artistëve të rinj. Rrëfimet dhe reflektimet e tyne ekspozojnë brishtësinë e dashurisë dhe kompleksitetin e ekzistencës queer. Ekspozitën 'Heartbreak Hotel' të kuruar nga Bjeshkë Guri dhe Simon Kurti mundeni me pa në Grand Hotel Prishtina, të premten me datën 6 dhjetor në ora 7.
Me pa: Seri ekspozitash “Pop Art Week”, Galeria 17, Prishtinë
Galeria 17 e ka kënaqësine me prezantu një seri ekspozitash për “Pop Art Week” me artistët/et e njoftuna. Me 02.12 e keni “250°C” nga Kemil Bekteši; me 04.12.2024 “Man of the Castle” nga Blerta Kambo; me 06.12. “A silent scream is a yawn” nga Manushaqe Ibrahimi ndërsa me 09.12.2024 “50 milje në veri të aeroportit të Tiranës” nga Ornela Alia. Mediumet janë të llojllojshme, biografia e artistëve poashtu premton diversitet shprehjesh e temash intriguese për këtë event të fundit të vitit prej Galerisë 17.
Me lexu: Romani “Gryka e Kohës”, Migjen Kelmendi
Çka me lexu për pushimet e Vitit të Ri? E keni romanin e shkrimtarit, publicistit dhe rokerit të njoftun të grupit “Gjurmët” Migjen Kelmendi, i cili vjen për lexuesin me romanin “Gryka e Kohës”. Një vepër e shkrume në dialektin gegë, si zakonisht nga Migjeni, që synon me rrëfy të gjithë historinë e hapësirës shqiptare të shekullit XX, nëpërmjet historisë së një familje me prejardhje prej Rugove. Sipas autorit, kjo osht: “një përpjekje që një familje shqiptare duhet më ba për me u mundu me mbijetu, me gjallnu dhe shumë protagonistë të tjerë për mes të cilëve unë ndërtoj një rrëfim që unë po e quaj shekulli i XX dhe shqiptarët.” Duket epike, dhe mezi s’po presim edhe na me lexu.
Me pa: Ekspozita “I Can Sleep Anywhere” e Lib Shkupolli, Space 05, Tiranë // Me hangër: Pepin’s pop up, Destil, Tiranë
Libi është një artist i cili e ka një udhëtim jetësor që shtrihet nga Kosova në Luksemburg, tu bartë peshën e identitetit dhe lehtësinë e krijimit. Lib Shkupolli ka lanë shpejt një gjurmë me skulptura dhe vazo që duken më shumë si deklarata të guximshme—të ngjyrosuna, voluminoze dhe të gjalla me praninë dhe gravitasin e tyne. Duke punu me argjilë dhe ranë, format e tij evokojnë trupa në dialog, histori në lëvizje—art si lidhje dhe ikje. E titullume "Mund të Flij Kudo," ekspozita tashmë osht hapë më 29.11 dhe do të qëndrojë e hapun deri më 08.12.2024, pjesë e Ekspozitave BOX në hapësinën e re Space 05, për të cilën kemi shkru edhe ma heret.
Libi osht edhe personi mrapa konceptit Pepins, dhe për tre ditë rend (6 - 8 dhjetor) në Destil të Tiranës mundeni m’i provu gjellnat vegjetariane me vena organike, si pop-up koncept me chef Loic Doutret.
Me dëgju: Koncert Prishtina Jazz Catz IX, Prishtinë
Për krejt macat dhe maçorrat e qytetit, edicioni i ri i Prishtina Jazz Catz po vjen në Defy Them. Ky edicion do të hapet me ‘Opening Act’ përbërë nga:
mysafirë special: Gordan Spasovski - Piano, Dukagjin Muhaxheri - Saxophone, Visar Kuçi - Bas Gitarë dhe Ardian Bakalli - Drums. Ka edhe jam session me vullnetarë nga publiku. Koncerti mbahet të marten me 3 dhjetor, në ora 8.
Me hangër: Seven Sundays, Prishtinë
Prishtina boll e madhe osht edhe boll pak ka vende me hangër drekë t’mirë. Sidomos drekë si brunch, me vo t’mira, ushqim organik, langje t’mira t’shtrydhuna. Eeeeeh, tash po çelet një vend i ri, me emnin 7 Sundays. Ernesta Zhubi, shoqja jonë Nesta, po e çel një vend me enterier minimalist po me shije maksimaliste. Menyja ka prej pallaçinkave me boronica e çokolladë e deri te senduiça t’mirë, supë kungulli, dhe vo n’varianta të ndryshme. Lokacioni osht te Icon tower në Lakrishte (edhe pse do po insistojnë me i thanë Pejton kësaj pjese të Lakrishtes), dhe i ka 100% rekomandimin tonë si veni i ri i hajës, pijes, kafës tepër t’mirë, muhabetit edhe ma t’mirë, all this nga një gru që çka ka bo, veq mirë e ka bo.
Me dëgju: Koncert “Ngjyrat e Rinisë”, Biblioteka Kombëtare, Prishtinë
Koncerti kamertal “Ngjyrat e Rinisë” sipas organizatorëve osht “një udhëtim muzikor që sjell në skenë krijimtarinë dhe talentin e kompozitorëve të rinj dhe promovon diversitetin muzikor dhe inovacionin në muzikën bashkëkohore, duke krijuar një hapësirë frymëzuese për ide të reja dhe art cilësor”. Programi osht i shumëllojshëm: The Unpredictable Trace – Kompozitori: Blendiar Bytyqi, Carmen Meets Libertango nga Lum Halabaku, Nocturno Op.7 nga Franz Strauss, Ancient Voice nga Fjolla Gashi, Folk Quarter nga Leutrim Sahiti, Impresionet e Kaba-Së nga Blendiar Bytyqi dhe Variacione mbi një temë populore nga Blendiar Bytyqi. Ka plot performues të mirë, ndersa mbahet me 3 dhjetor në ora 7, te amfietatri i Bibliotekës Kombëtare.
Me dëgju: Monochrom, Sandcastle dhe Rat the Toy, Termokiss, Prishtinë
A ju ka marrë malli pak për grunge dhe rock? Ja një koncert me tri bende në hapësinën alternative Termokiss. Monohrom osht një grup indie rock nga Novi Sad i formuar në vitin 2016, shpesh përshkruhet që tingëllon si The Beatles me amplifikatorët në maksimum. Sandcastle osht një grup surf rock nga Prishtina, edhe soundi mundet me ja u qu mallin si katër djem që thjesht dojne me u argëtu dhe kënaq në pllazhat me valët ma të mëdha. Rat the Toy oshtë një grup Grunge/Punk nga Prishtina, i dalë nga skena underground me një stil të frymëzum nga vitet '90.