Monday Marks, 19 janar
Koncerte klasike apo mbramje jazz, premiera teatrale apo degustim venash me muzikë elektronike, diskutime për botime t'reja apo arkitekture botnore. Plot propozime nga Monday Marks
Java që po ja nis sot sjell një kalendar të pasun kulturor për me dëgju, me pa, me pi & me hangër, me lexu e me diskutu. Filharmonia e Kosovës e nis vitin me një koncert të veçantë nën dirigjimin e Marco Crispo, me flautisten franceze Iris Daverio dhe një program që lidh impresionizmin evropian me identitetin muzikor shqiptar.
Në teatër, premiera e “Gërrdia” në Teatrin Kombëtar hap diskutime të reja dramaturgjike, ndërsa netët urbane ofrojnë gjithçka prej DJ INA në Tutto Vino, Jazz Night me Armend Xhaferin në e.d.h.e, deri te programi i ngjeshun muzikor i Posht’.
Përtej Prishtinës, Prizreni mirëpret Konferencën Vjetore të Turizmit dhe Mikpritjes me workshopa tradicional, Tirana hap vitin e Rhythms of Matter me arkitektin e njohun Manuel Aires Mateus, ndërsa për lexuesit ka promovimin e librit “Drejt Dritës” dhe edhe kënaqësi të vogla si bookmarksat artizanalë nga Studio L. Një javë që e fton publikun me qenë kurreshtar dhe të lidhun me skenën kulturore këtu dhe përreth neve, përkundër motit t’ftohtë.
Ishmenada!
Me dëgju: Koncert nga Filharmonia e Kosovës me dirigjent Marco Crispo / Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë, Prishtinë
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës po e nis vitin 2026 me koncertin e 23 janarit, prej orës 19:30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Nën dirigjimin e italianit Marco Crispo, koncerti sjell flautisten nga Franca Iris Daveiro si soliste, në një program që “ndërthur ngjyrën impresioniste e identitetin e muzikës shqiptare.” Programi përmban: C. Ives — The Unanswered Question; C. Debussy — Prélude à l’après-midi d’un faune; J. Ibert — Koncert për flaut — Soliste: Iris Daverio, pastaj F. Beqiri — Skënderbeu dhe I. Stravinsky — Suita “Zogu i Zjarrit” (1919).
Me pa: Premiera teatrale “Gërrdia” nga Teatri Kombëtar i Kosovës / Pallati i Rinisë, Prishtinë
Teatri Kombëtar i Kosovës po e shfaq më 19 janar 2026 premierën e shfaqjes “Gërrdia”, dramë kjo që ka qenë fituese e konkursit të dramës origjinale shqipe “Katarina Josipi” qysh me 2023. Biletat për premiere me hesap janë shitë, por reprizat janë planifiku për 20, 21 dhe 22 janar 2026, tu fillu nga ora 20:00. Ngutuni për bileta. Shfaqja e ka si autor ashtu edhe regjisor Astrit Kabashin, ndërsa në skenë kanë me lujt një super cast prej aktorëve , Maylinda Kosumovic, Rebeka Qena dhe Bujar Ahmeti.
Me dëgju e degustu: DJ INA me muzikë dhe venë / Tutto Vino, Prishtinë
Lokali simpatik me ushqim italian, vena t’mira dhe atmosferë të lezetshme urbane këtë 21 janar e ka mysafire DJ Inën nga Rumania. Si zakonisht, pos muzikës, ka m’u intrigu edhe shqisa e shijes dhe erës me përzgjedhjen e venave dhe ushqimeve.
Me dëgju: Jazz Night me Xhafa & friends / e.d.h.e, Sofali
Mbramjet e xhazit të shtundeve po vazhdojnë në e.d.h.e - restoranin dhe qendren kulturore në Sofali t’Prishtinës, me njanin prej performusve ma t’njohun kosovar Armend Xhaferin dhe trion e tij dinamike. Jazz live, ushqim dhe ambient i kandshëm për muzikë e muhabet. Kush don, mundet edhe me kcy, me 24 janar, nga ora 20:00.
Me marr pjesë: Konferenca Vjetore e Turizmit dhe e Mikpritjes / Muzeu i Nënës Tereze, Prizren
Nuk rekomandojmë konferenca shpesh, por kjo ngjarje n’Prizren kish program intrigus kulturor. Konferenca Vjetore e Turizmit dhe e Mikpritjes KONTUR mbahet në Muzeun e Nënës Tereze, me 23 janar. Organizatorët OJQ Educo, në kuadër të programit ju ftojnë për 4 workshopa me tematike Filigran, Veshjet tradicionale të Hasit, Veshjet tradicionale të Zhupës dhe Grimin tradicional të Nuses nga Kosova (Zhupa), që ka mahnit shumë fotografë e turista nga mbarë bota.
Me lexu: Promovimi i librit “Drejt Dritës” nga Bernard Nikaj dhe Kimete Mitrovica / Libraria Dukagjini, Prishtinë
Qe një libër që po ua rekomandojmë me lexu, i titullum “Drejt dritës”, nga Bernard Nikaj dhe Kimete Mitrovica. Libri promovohet më 21 janar, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, me një panel ku janë autorët Ambasador Bernard Nikaj dhe Kimete Mitrovica, Lura Pozhozhani, moderate nga Jeta Zymberi. Libri osht një dialog në mes Nikajt dhe Kimete Mitrovicës, mbesës së Xhavit Mitrovicës, dhe përjetimet e saja nga Australia ku ka lindë e deri në Kanadë dhe Belgjikë. E lindun në një familje të formësume nga kontributi kombëtar dhe përndjekja politike, jeta e Kimetes shpaloset përtej kufijve dhe sistemeve politike dhe traumës së ndarjes së detyrume dhe e mërgimit. Tu e pru kujtesën personale në dialog me historinë, libri “Drejt Dritës” u ofron lexuesve një rrëfim thellësisht njerëzor mbi mërgimin, përfshi këtu feminizmin e një gruje të jashtzakonshme dhe historinë dhe kujtesën kolektive të 100 vjetve të fundit,
Me dëgju: Programi javor i Poshtit / Posht’, Prishtinë
Posht’ gjendet mrapa Muzeut Kombëtar në Prishtinë, një lokal i vockël ama me shumë energji që osht i ndërlidhun me qendrën kulturore Lavjerr’s. Këtë javë kanë mysafirë bendin e njohun Nomad nga Shqipnia - me 22 janar - ndërsa në fundjave, Br.Apay të premtën, gjegjësisht Rinorin të shtunen.
Me marr pjesë: Bisedë e hapun me arkitektin e njohun Manuel Aires Mateus / Qendra kulturore Tulla, Tiranë
Seria e vitit 2026 e Rhythms of Matter hapet në Tiranë me një nga emnat ma të randësishëm të arkitekturës bashkëkohore portugeze. Qendra e kulturës TULLA mirëpret arkitektin Manuel Aires Mateus, i cili vjen nga Lisbona për një muhabet të hapun me publikun, të titullum “Bukuria mbi të guitta / Beleza Apesar de Tudo”. Ligjerata fillestare ofron një reflektim të thellum mbi kërkimet hapësinore, idetë dhe pyetjet që studioja Aires Mateus ka zhvilluar gjatë ma shumë se njëzet viteve. Në qendër të kësaj praktike qëndron reduktimi i materies, boshllëku si strukturë dhe një bukuri që shfaqet qetësisht, pavarësisht gjithçkaje. Data: 20 janar 2026, nga ora 19:00.
Me lexu ma leht: Bookmarks të punume me krrabëza / nga L Studio në librarinë Dukagjini
Shpesh ju rekomandojmë libra me lexu, kryesisht botime të reja, por nëse veç lexoni, lehtësojani vetës leximin dhe shtojani eksperiencën sensorike tu përdor bookmarksa, apo fletëndarëse të punume nga leshi i hollë me krrabëza, taman crochet punëdore, me motive të luleve. Tepër simpatike, ndërsa i gjeni në Librarinë Dukagjini, punume nga Studio L (Made by Labeata).











