Monday Marks, 16 qershor
Uau! Shumë ngjarje këtë javë! Super ngjarje bile! Ndoshta duhet me botu edhe një Wednesday Wonders :))) Nejse, qe lista e kësaj fillim-jave në këtë mes-vit, taman me shënu hyrjen në verë.
Ehh, veç sa ja nisi qershori me u kallë prej temperaturave t’nalta, edhe vera po shpaloset si super katalog festivalesh, ekspozitash, koncertesh e pasditeve me lexime poetike. Nëse s’jeni nëjkah me pushime të hershme në bregdet, java që po vjen osht ashiqare një mini-sezon kulturor me temperatura mbi 30’C, në Kosovë e Tiranë. Dhe duhet me ja nisë me FemArt, se kur feministet e hapin festivalin, gjithçka tjetër në qytet tingëllon si afterthought. Plus edhe unë kam me lëshu muzikë ;)
Java përfshin: FemArt me program të rrëmujshëm e rrëmbyshëm (në kuptimin ma të mirë), koncertin e parë post-Eurovision të Shkodra Elektronike (uuu), një bisedë të rrallë me Adania Shibli, një ekspozitë e Ardian Isufit në galerinë e re Debussy që eksploron “nën lëkurën” e identitetit në Tiranë, një koncert solemn nga Zanat (me saze & soul), një premierë teatrale në Gjilan për të gjithë ata që i kanë jetu vitet e adoleshencës tu chatirat, si dhe një libër nga për Rock & Roll-in kosovar në vitet ’60. Pra, nëse dikush thotë “s’ka kurgjo këtë javë”, thjesht mos i folni për 7 ditë. Qaq shumë ka, sa që duhet edhe një edicion me ja nis të mërkureve hahaha.
Ishmenada n’promenada.
Me marrë pjesë: Festivali FemArt & koncert me Shkodra Elektronike / Lokacione të ndryshme
Duhet me ja nisë me FemArt për shumë arsye: E para, Festivali FemArt – Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve, osht festivali i parë feminist në rajon, i mbajtun qe 12 vjetë në Kosovë dhe i organizum nga Qendra për Art dhe Komunitet “Artpolis”. E dyta, programi sivjet osht fantastik, i pasun, i dendun, i trentë, që të shtin me mendu, me kcy, me vepru, me këndu - përgjatë gjashtë ditëve të kësaj jave.
Dita e parë ja nisë me koncertin e parë të Shkodra Elektronike që nga Eurovizioni. Dita e dytë ka punëtori, debate feministe, premiera filmash, koncert nga ansambli i Liburn Jupollit. Dita e tretë ka prapë plot punëtori e bashkëbisedime interesante, plus performanca “Marrja e Zezë” e Jehonës dhe Arbëreshës për të cilën kemi shkru ma herët. Dita e katërt ka plot ngjarje, përfshi konferencën “Art + Mind: Healing, Mental Health & Burnout in Creative Resistance”.
EEEEEHHH, bash ditën e katërt, që i bjen e enjte me 19 qershor, unë - Arlinda - kom me lëshu muzikë në afterparty të FemArtit, kështu që hajdeni në Bubble në mbramje kah ora 22:00
Ditën e pestë e keni plot shfaqje teatrale dhe professione filmash, përfshi filmin “Searching for Burbuqe Rushiti”. E ditën finale, të gjashtën, keni piknik me aktiviste dhe elektro-post-punk koncert Fête de la Musique.
Pra, konsultojeni ditarin dhe kalendarin, kqyrni biletat në Rave Travel, e shihemi nëjkah, në njërin nga shumë lokacionet (Oda, Biblioteka, Hamami, Bubble, Teatri Kombëtar, etj.)
Me dëgju: Prishtina Soul Kitchen, vol.4 / Pi, Prishtinë
Të premtën, më 20 qershor 2025, Prishtina Soul Kitchen vjen për herë të katërt me një natë vizlluese të muzikës live në hapësirën PI. Para se me ja nisë pushimet e gata verore, eventi premton një super përvojë muzikore me soul, funk dhe hip hop, të interpretume nga një super bend, vokale të posaçme dhe një DJ që e mban atmosferën e kallt deri në orët e vona. Nga ora 19:00 mysafirët mirëpriten me pije, e koncerti nis në orën 20:00. Edicioni i katërt sjell emna të njohun si vokalister mysafire: Diana Mehmetaj, Anjeza Gashi, Blerta Zabergja dhe Dea Strica. Ata kanë me performu bashkë me ekipin e Prishtina Soul Kitchen, që përbahet nga dosti jonë the themeluesi i këtij edicioni, Philipp Konrad Labhart (trumpetë), Yllka Simnica (bas), Olti Perjuci (bateri), Urim Maliqi (kitare), Genc Hajrici (piano).
Me pa: Ekspozita “100 vjetori i Trepçës” / Reporting House (ish Shtëpia e Mallnave “Gërmia”, Prishtinë
Me rastin e 100-vjetorit të Trepçës dhe 1-vjetorit të Reporting House, me 19 qershor po çelet ekspozitë dhe një ngjarje simbolike për publikun: instalimin e 500 kristaleve origjinale nga Trepça — një homazh i ndritshëm për trashëgiminë industriale dhe historike të Kosovës - në ish Shtëpinë e Mallnave “Gërmia” te Sheshi Skendere. Kristalet e papërpunume, të vendosuna në objektin që synon mu bo “muze i rezistencës civile dhe asaj të armatosur të Kosovës" të viteve 1989-1999”, sipas organizatorëve “janë më shumë se objekte. Ato janë dëshmi e kohës, e punës, e kujtesës dhe e rezistencës. Një thirrje për reflektim dhe vazhdimësi, që lidh tokën me zërat e njerëzve që e kanë formësuar historinë tonë.”
Me pa: Ekspozita përmbledhëse e "Artistët e së Nesërmës" / Galeria 17, Prishtinë
“Artistët e së nesërmes” osht një nga garat ma të rendasishme të artit në Kosovë, që ka shërby si trampolinë kreative për shume emna të rij që tashmë janë etablu jo veç në Kosovë. Galeria 17 ju fton me 20 qershor në ora 18:00. në një prezantim para hapjes të ekspozitës me kuratorët Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu, për me kuptu se qysh Çmimi “Artistët e Nesërmes” ka ndihmu në formësimin e skenës bashkëkohore të artit në Kosovë gjatë dy dekadave — tu lidhë artistët vendas me botën dhe tu e rritë interesin për artin në gjithë vendin. Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se qysh mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqnor, dita ma e randësishme osht ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet mu kry larg vëzhgimit të publikut dhe medias. Intriguese.
Me pa: Ekspozite – “UNDER THE SKIN” nga Ardian Isufi / Galeria Debussy Fine Art, Tiranë
Qe një ekspozitë interesante nga një galeri e re në Tiranë. Debussy Fine Art osht galeria e parë franceze ndërkombëtare e artit në Shqipëri, me qendër në Tiranë, e themelume nga Alexandre Debussy në vitin 2024 në ish-Blloku, pra në qendër të qytetit. Këtë javë, me 21 qershor, hapin ekspozitën e titullumbe “UNDER THE SKIN” nga Ardian Isufi, si një bashkëpunim i veçantë me artistin në kuadër të 1-vjetorit të galerisë. Kjo ekspozitë, sipas organizatorëve “shënon një moment reflektimi dhe ripërtëritjeje, duke eksploruar identitetin dhe tensionet e padukshme që fshihen “nën lëkurë”, përmes një gjuhe artistike të thellë dhe personale.” Mezi s’po presim ta shohim edhe këtë kënd të ri artistik të Tironës.
Me dëgju: Koncert nga ansambli Zânat / Biblioteka Kombëtare, Prishtinë
Më 17 qershor, në ora 20:00, në Bibliotekën Kombëtare, Zanat po dalin “solo” për herë të parë – jo si mysafire nëpër festivale t’tjerëve, por me koncertin e tyne të plotë, të organizume krejt nga vetë ato. Ky osht një hap i madh për ansamblin që ka nis rrugën qysh në 2017, tu lëvizë prej një festivali në tjetrin, e tash po e marrin skenën në dorë – qysh e meritojnë. Në setlistë kanë 10 këngë të vjetra shqipe, por me frymë të re. Edhe pse përbamja e grupit ka ndryshu ndër vite, qëllimi ka mbet i njëjtë: me rujt e me qitë në pah muzikën autentike shqiptare, ashtu qysh s’po bohet prej tjerve. Zanat janë: Elida, Albana, Arstina, Diellza e Elona, gra të dedikume me e përhapë trashëgiminë tonë muzikore me një zë të fuqishëm e me stil. Kjo natë në Prishtinë s’është veç një koncert, por një deklaratë që muzika tradicionale ka me jetu gjatë – dhe me stil.
Me këqyr: Shaqja premierë “Chatroom” / Teatri i Qytetit, Gjilan
Premierë në Gillan me agën. Me 21 & 22 qershor, ora 20:00, në Teatrin e qytetit, vjen “Chatroom” – një dramë që t’shkund. Me regji nga Erson Zymberi e tekst të dramaturgut irlandez Enda Walsh, kjo shfaqje hyn thellë në mendjen e adoleshencës urbane (referenca të qarta në serialin “Adolescence”), aty ku vetmia fshehet mas avatarëve dhe ku fjalët online dijnë me lëndu ma keq se çdo shuplakë. Në skenë janë Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli e Drin Berisha – të gjithë në rolet e adoleshentëve që e nisin si muhabet “random” në chatroom, por përfundojnë në një spirale loje të errët psikologjike. Me skenografi nga Bekim Korça, kostume nga Njomëza Luci dhe video art nga Burim Baftiu, kjo shfaqje nuk osht veç teater – osht një alarm për botën tonë digjitale, ku jena gjithmonë online por gjithnjë e ma të shkëputun.
Me lexu e diskutu: Bisedë me autoren Adania Shibli / Heritage Space, Biblioteka Kombëtare
Më 19 qershor, prej orës 19:00, në Bibliotekën Kombëtare, Prishtina pret për herë të parë shkrimtaren e njohun palestineze Adania Shibli – një za që sfidon narrativat e mëdha me fuqi të heshtun. Në kuadër të programit Në bisedë, ajo i bashkohet studiueses Diona Budima për me fol për gjithçka që historia e ka lanë në margjina – për detajet që zakonisht mbesin jashtë fokusit, për zanat që s’i gjejmë në arkiva, e për përvojat që nuk përkthehen lehtë.
Në qendër të bisedës është romani i saj “Një detaj dytësor” (përkth. nga Isa Memishi), një tekst që ka kapë vëmendjen ndërkombëtare – prej listës për National Book Award for Translated Literature në 2020, deri te International Booker Prize në 2021. Kjo ngjarje nuk osht veç një takim letrar – osht edhe një përballje me kufijtë e kujtesës, me narrativat që na kanë mësu me i marrë si të vetme, e me hapsinat ku letërsia osht edhe formë e rezistencës.
Me pa: Ekspozitë: “Në Tandem” nga Altin Ibrahimi & Nonetaori / Europe House, Prishtinë
Ekspozita “Në Tandem” nga Altin Ibrahimi & Nonetaori hulumton se çka ndodh kur dy stile të ndryshme marrin frymë pranë njëra tjetrës. Ekspozita e duos mbahet në Europe House, me 17 qershor, në ora 19:00. Kuratorë janë Laureta Hajrullahu & Shkamb Jaka. Pra dy artistë nga dy botë të ndryshme, që takohen në dialog artistik. Altin Ibrahimi sjell portrete dhe trupa përmes pikturës, vizatimit dhe ilustrimit, tu kapë lëvizjen dhe ndjenjën në një kuadër të vetëm. Nonetaori (Nderim Isufi) hap dyer drejt peisazheve të imagjinume, të ngjashme me andrrat, me rrëfime të thella emocionale përmes ilustrimit, vizatimit dhe animacionit.
Me lexu: Promovimi i librit "Historia e Muzikës Rock & Roll në Kosovë – Vitet ‘60" / Defy Them, Prishtinë
Pas një pune të gjatë hulumtimi, shkrimi dhe përgatitjeje, qendra alternative e muzikës Defy Them, më 20 qershor po e publikojnë librin "Historia e Muzikës Rock & Roll në Kosovë – Vitet ‘60". Ky libër sjell rrëfime, dokumente dhe kujtime të çmushme nga dekada e parë e Rock ‘n’ Roll-it në Kosovë – një periudhë e pasun me energji krijuse, sfida dhe lëvizje kulturore që lanë gjurmë. Përmes këtij libri hulumtohet origjina dhe rrugëtimi fillestar i kësaj kulture në Kosovë. Promovimi ka mu mbajt me 20 qershor, prej orës 20:00, në Qendrën e Kulturës Alternative Defy Them, Prishtinë.