Monday Marks, 16 dhjetor
Gjithçka nga pak kemi për juve këtë javë festive: koncerte jazz, pop e klasike; ekspozita etnologjike, fotografike e artit kontemporan; revista të reja shqip dhe një klub librash për fundvit.
Edhe dy javë mbetën nga 2024, edhe dy lista Monday Marks me rekomandime tona për ngjarje me pa, muzikë me dëgju, libra me lexu dhe art me admiru. Këtë javë ka shumë muzikë të mirë gjithandej: vjen jazz kangëtarja me zanin e kristaltë Elina Duni me koncert festiv në Klan Arena, Armend Rexhepagiqi në Gate Club, Shpat Deda në sheshin Nana Terezë dhe Arta Jashari në Katedralen katolike Nëna Terezë.
Në Mitrovicë po hapet një ekspozitë etnologjikë në muzeun e qytetit ndërsa në kuadër të programit Heritage Space të organizatës CHWB janë dy evente intriguese: libri i Gresa Nuredinit me fotografi nga të nantëdhjetat që hapet në Restoranin Dubrovnik (kush e din, e din), ndërsa ekspizita osht instalacion arti e Diellza Salicana në Pallatin e Rinisë. Festivali Tingujt e Flautit po organizon edicionin e dhjetë këtë javë, ndërsa për lexuesit kemi nda dy ngjarje: botimin e numrit të dytë të revistes Me Diell që lansohet me një party t’vockël dhe mbledhia e Klubit Letrar të Kandit Amerikan të Bibliotekës Kombëtare ku mundeni me marr inspirim për botimet kryesore të 2024. Me lexu mirë osht, me ngu muzikë e me përjetu art poashtu, me randësi të dilni dhe të merrni pjesë kudo që mundeni me ma të dashurit.
Me dëgju: koncert Elina Duli, Klan Arena
Elina Duni ka lind në Shqipni, jeton dhe punon në Zvicër, ndërsa inspirimin e ka karierën e suksesshme të jazz artistes e ka gjetë në kombinim të jazzit amerikan me muzikë tradicionale nga Shqipnia dhe Kosova. Së bashku me kitaristin anglez Rob Luft po vjen pë një koncert festiv në Klan Arena me datën 18 dhetor, në ora 20:00. Gazeta e famshme Guardian e pat përshkru zanin e Elinës “të pastër si diamanti”, kështu që koncerti patjetër se osht ndër ngjarjet kryesore të ktyne dakikave të fundit të 2024.
Me dëgju: Koncert recital “Songs of Seraphim” nga Arta Jashari, Katedralja Nëna Tereze
Ky koncert i Arta Jasharit tingllon si një ngjarje e shkëlqyshme për adhuruesit e muzikës klasike. Me një program festiv që përfshin vepra të njoftuna nga kompozitorë të famshëm si Handel dhe Mozart, bashkë me interpretimin e kangëve të Krishtlindjeve, keni një mundësi me përjetu muzikën klasike në një atmosferë të veçantë festash. Katedralja "Nëna Tereze" në Prishtinë ndoshta osht vendi ma i mirë për një recital të tillë. Koncerti do të mbahet në me 19 dhjetor, tu fillu nga ora 19:30.
Me pa: Ekspozitë etnologjike “Një jetë gajtan”, Muzeu i Mitrovicës
Fondacioni Dhemetra, në bashkëpunim me Muzeun e Mitrovicës, organizon ekspozitën etnologjike “Një Jetë në Gajtan”, një shpalosje unike e trashëgimisë kulturore materiale përmes mjeshtërisë së punës në tekstil. Kjo ekspozitë ndriçon artizanatin tradicional të rajonit të Mitrovicës gjatë shekujve XIX-XX, duke prezantuar një koleksion të pasur jelekësh, mintanesh dhe dallamesh të punuara me gajtan, të mbledhura për dekada në Muzeun e Mitrovicës. Ekspozita hapet më 20 dhjetor nga ora 18:00, në Muzeun e Mitrovicës.
Me përjetu: Lansim libri dhe ekspozitë nga CHWB, Restoran Dubrovnik & Pallati i Rinisë
Dy ngjarje për një javë nga organizata tepër aktive Cultural Heritage Without Borders - Kosova, që po sjell program të pasun në kuadër të programit Heritage Space. Fillimisht e keni një event artistik pak mistik nga Diellza Salicana, e titullume “Rradha jote” me 16 dhjetor, ora 19:00 në atriumin e Pallatit të Rinisë, Prishtinë. “Rradha jote” osht një instalacion që frymëzohet nga një rit i një tyrbeje sufiste në kalanë e Artanës, ku pelegrinët rrotullojnë tjegullat në kërkim të kismetit. Bukur po doket!
Poashtu, në kuadër të njëjtit program e keni lansimin e librit “Album 1990-99” nga Gresa Nuredini që mbahet me 20 dhjetor, në orën 19:00, në një vend të pazakontë ama të përshtatshëm për temën e librit, restoranin e famshëm Dubrovnik në Kurriz të Dardanisë. Autorja osht fokusu në procesin e dokumentimit te asaj periudhe me librin që përfshin 167 fotografi të përzgjedhura nga 807 fotografi të mbledhuna nga rajone të ndryshme të Kosovës, tu fillu nga dimri i vitit 1991 në Pejë deri te vera e vitit 1999 në Prishtinën e çlirume.
Me lexu: Numri i dytë i revistës “Me Diell”
Na i kemi qef tepër shumë revistat e shtypuna, e masi s’kemi shumë të tilla shqip në Kosovë, gzohemi me ju tregua që numri i dytë i revistës periodike Me Diell del me 16 dhjetor, ndërsa lansimi i saj bohet në Deli Tartine në ora 19:00. Numri i parë ka qenë ma shumë introduktë tërheqëse, ndërsa për këtë numër paralajmërohen edhe ma shumë përmbajtje super, nga tekste muzikore të ilustrume prej Tadit deri te tekste autoriale prej disa prej shkrimtareve ma të mira të gjeneratës së re. Edhe Faqja jonë Suzanne ka me pas një pëmbledhje festive nga lista Monday Marks të ngjargjeve kryesore që I kemi mbulu përgjatë 2024.
Me dëgju: Shpat Deda, Sheshi Nëna Tereze, Prishtinë
Shpatin s’kemi nevojë me paralajmëru se kush osht e çka këndon, ama tu marrë parasysh atmosferën e hareshme dhe lumturueshme qe po e përjetojnë plot njerëz në sheshet kryesore të Prishtinës, organizuar nga “Prishtina Festive”, po na merr mendja që apsolutisht ja vlen me dal në një natë dimni, e me ngu (edhe një herë) kitaristin dhe kangëtarin me zanin ma melankolik dhe personalitetin ma të gëzueshëm në skenë. Koncerti i Shpat Deda mbahet në mbramjen e 19 dhjetorit.
Me dëgju: Armend Rexhepagiqi, Gate Club, Prishtinë
Armend Rexhepagiqi nuk ka këndu disa dekada të tana, por all of the sudden më 2024 ka pasë disa paraqitje koncertale aty-këtu me atmosferë që osht përmend a mbajt mend gjon e gat, ndërsa për festat e fundvitit po vjen me pru edhe pak atmosferë epike në Gate Club me 18 dhjetor, në ora 23:30. Autori i hiteve të paharrueshme kurdo që t’vjen e kudo që t’shkon sjell muzikën ma t’mirë të mundshme shqip (pavarësisht se në “Shkel” i ka tekstet pikëlluese për fundvit: Kot ti je si acar, Si të ish janar, Heshtje e përbetuar, Shkoftë ky vit aq i mallkuar…”)
Me dëgju: Festivali “Tingujt e Flautit”, Prishtinë
Festivali “Tingujt e Flautit” 10 ka shpalos një program atraktiv për fansat e flautit, që ka përfshi 7 mbramje të koncerteve me muzikë klasike me vepra bashkëkohore kosovare dhe të huaja për flaut dhe formacione te ndryshme. Festivali përmban gjithashtu një seri punëtorish, prezantime, si dhe garë internacionale të kompozitorëve për vepra të shkruara për flaut. Me 18 dhjetor e keni Elvis Rudi - Flaut dhe Marin Gjollma - Piano në Bibliotekën Kombëtare ndërsa me 19 dhjetor ka mbetë koncerti me Liburn Jupolli Ensemble në qendrën Defy Them.
Me lexu/diskutu: Klubi i Librave, Këndi Amerikan në Bib.Kombëtare
American Corner në Bibliotekën Kombëtare ka takime mujore të Klubit të Librit, ku diskutohen libra nga autorë amerikanë. Nën drejtim të Abigail Furman, këto takime ofrojnë mundësinë me eksploru letërsinë amerikane, me diskutu tema dhe çashtje të rëndësishme që trajtohen nga autorët. Tash me 18 dhjetor e përmbyllin vitin me një sesion në ora 14:00 me një diskutim të veçantë festues me reflektu mbi të gjitha librat e mrekullueshëm që kanë dalë sivjet. AC ju fton me entuziazëm: “Le të përfundojmë vitin duke festuar dashurinë tonë për letërsinë dhe lidhjet që kemi krijuar përmes librave që kemi lexuar së bashku!” Për të marrë pjesë, ju lutemi regjistrohuni paraprakisht duke klikuar në këtë link.