Monday Marks, 15 korrik
Është mesi i verës me plot vapë e me plot ngjarje kulturore, evente në çdo skutë dhe çdo qyshe. Ja selektimi ynë se çka me pa, çka me eksperiencu e çka me dëgju këtë javë në 4 qytete të ndryshme
Po fillon sezoni i festivaleve të mëdha në Kosovë, me ANIBAR-in në Pejë, Sunny Hill dhe Dokufest në javët në vijim ndërsa Ramë Lahaj sjell edicionin 2024 të festivalit të operës. Por këtë javë, Galeria Kombëtare po e sjellë Rron Qenën me pikturat e tij të famshme të jetës urbane, e Ulqini ka një përvjetor party-përvëlues. Kemi edhe plot rekomandime tjera kështu që lexoni tutje…
Me eksperiencu: Festivali Anibar, Pejë
Kujtojmë para koxha do viteve kur një grup kreativ, krejt të rinj, filluan me organizu festivalin e filmit të animuar në Pejë. Dukej pak utopike në Kosovën që asokohe s’kish as kinema normale me program normal filmik, e leje ma festival të specializum për filma të vizatum. Eh, tash ky festival është rritë, është maturu dhe diversifiku me program e mysafirë gjithnjë e ma atraktivë. Sivjet tema është “Smash the patriarchy” (“Prishe patriarkatin”) tu e majt edhe një qëndrim të randësishëm shoqëror - dhe mbahet prej 15 deri 21 korrik. Programi ka filma natyrisht por edhe workshops, master klasa për entuziastët e animacionit, afterparty me muzikë të mirë. Galeria 17 e ka në program të realitetit virtuel, ndërsa eventet e festivalet janë të çkepta në disa lokacione. Nuk do të mungojnë as yjet botërore prej Mike Hollingsworth (nga BoJack Horseman, seria tepër e popullarizum në Netflix) deri te Olivier Catherin, një nga producentët më të njohur francez të filmave të shkurtër të vizatum.
Me pa: Ekspozita “Udhët që më njohin” nga Rron Qena, Galeria Kombëtare
Rron Qena është piktor esencial i skenave, personazheve, momenteve urbane, sidomos të Prishtinës, po jo veç. Tash po vjen me ekspozitën vetanake, të meritume që moti, në Galerinë Kombëtare, me 17 korrik. Pikturat e tij janë shpesh të përqendrume me vëmendje në detajet arkitektonike dhe jetën dhe mahallat urbane (këtu është Dardania, aty Biblioteka, këndej Aktashi), gjithsesi shumë ekspresive dhe emotive, kanihere tu ta qu mallin e ma të mëdhenjeve në post-impresionizëm (nashta me quajt stilin e tij post-post-impresionizëm). Aty-këtu i njohim edhe njerëzit në portrete të tija, gjithmonë të punum me dashni. Qena e shfaq një shikim të personalizum në realizmin e tij, tu inkorporu ngjyra të ndryshme, të dhezta dhe forma të veçanta për të shprehur emocionet dhe historinë e vendit të tij. Kanihere objektet i ka si në mjegull të kujtimeve dhe nostalgjisë, kanihere na vijnë më të spikatuna.
Kurator është Lulzim Zeqiri i cili në tekstin e tij kuratorial thotë: “Kapjet e momenteve plotë jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon Rroni, deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij.” Çka me shtu na ma shumë, pos me ju ftu me shku e me pa.
Me eksperiencu: Përvjetori i Dolcinium, Ulqin
Vizat Schengen janë hjekë dhe shumëkush këtë verë po shetitet e po poston prej pllazhave urbane të Barceloñetës deri te pllazhat e ktynehershit të Pargas. Megjithatë, një destinacion mbetet klasika e pushimeve verore për shumë kosovarë, e ai është Ulqini. Qyteza e vogël shqiptare në jugun e Malit të Zi është vetëm 4 orë larg Prishtines dhe ka qenë e njoftun për ranë, pisha dhe fiq.
Por tash e një dekadë, një vend e ka përforcu Ulqinin edhe si party place i nivelit europian: plazha Dolcinium. Është vend me komplet shërbimin prej A deri në ZH të hedonizmit veror, prej menuse me sushi dhe shampanjë (apo edhe kokteje superbe dhe birra të ftohta) e deri te zalli i pastërt, krevatet/shezllonat e pastër me peshkira të pastër e deri te DJ mysafirë që çdo natë sjellin vibe ndryshe dhe klientelë ku jo rrallë-herë i sheh yjet tonë të famshem me shoqni. Plus ka edhe kurse për kite-surfing për ata ma avanturioz.
Dikush detin e ka qef me kalu i izolum ne ndonjë kënd të izolum të Mesdheut, por nëse kërkoni versionin me shumë P-ja: pretty, playful, passionate, posh, picturesque - atëherë Dolcinium është për juve, sidomos këtë javë kur po e festojnë ditëlindjën e 16-të dhe kanë program të pasun.
Me dëgju: Rame Lahaj International Opera Festival
Ramë Lahaj pa dyshim është një ndër artistët më të famshëm shqiptarë, ndoshta operisti më i mirë nga këto troje, me emër përnime global. Tash e disa vjet e ka sjell një festival dedikuar operës dhe muzikës klasike, organizuar nga Fondacioni që bart emnin e tij. Sivjet tema është “T’knoftë zemra”, ndërsa sipas organizatorëve: “në Festivalin Ndërkombëtar të Operës Ramë Lahaj, ne përpiqemi që të sjellim bukurinë dhe fuqinë e operës te populli i Kosovës. Festivali ynë i kushtohet promovimit të disa qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, shkëmbimit kulturor dhe diversitetit.” Qëllime pa dyshim t’mira dhe të nevojshme.
Përndryshe festivali dhjetëditësh fillon me 21 korrik dhe përfundon me një gala mbramje me 2 gusht me performues botnor (dhe natyrisht Lahaj). Një mbramje është dedikume Nexhmije Pagarushës ndërsa ka edhe master klasë, si pjesë e randësishme e festivaleve që dëshirojnë të sjellin jo veq show por edhe njohuri për studenta dhe adhurues këtu në vend. Biletat blihen në agjencionin Rave Travel.
Me eksperiencu: Prizren Fest, festivali ndërkombëtar i teatrove, Prizren
Prizreni po dëshmohet si një epiqendër e ngjarjeve kulturore këtë verë. Ne i kemi mbuluar koncertet e Kino Lumbardhit, NGOM fest, Rock and Blues Festivalin, ndërsa tani ka ardhë radha një ngjarjeje të re që quhet Prizren Fest, festivalit ndërkombëtar të teatrit në hapësira të hapura. Shaqje teatrale në lokacione atraktive: amfiteatri tek Lidhja e Prizrenit, keshtjella e Prizrenit, oborri i katedrales katolike, pastaj Kino Lumbardhi, teqja Helvetije e gjimnazi Loyola janë vetëm disa nga lokacionet ku shfaqje me aktorë nga shumë vende, prej Bosnës, Shqipërisë e Greqisë e deri tek Çekia, Italia e Irani, po sjellin një program të pasun, përfshi shfaqje dhe workshopa për fëmijë. Gjithsesi po doket program divers, dhe në këto ditë vape, premton pasunim artistik në mbrëmjet e ngrohta prizrenase.
Me pa: Ekspozita “Një ditë” nga Blerta Hoçia, Biblioteka Hivzi Sylejmani Prishtinë
Një ekspozitë e rëndësishme u hap në Biblioteken “Hivzi Sylejmani” nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) me titull “Një Ditë” kuruar nga Blerta Hoçia. Ekspozita do të jetë e hapur deri në fund të gushtit. Ekspozita i kushtohet të mbijetuarve të Masakrës së 2 majit të vitit 1999, e cila ndodhi në fshatrat Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme të Vushtrrisë, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ekspozita fillon me dy perde të bardha por shpejt vizitorët përfundojnë në një labirint nga llamarina. Në muret e ftohta ngjyrë gri të llamarinës projektohen rrëfimet e njerezve që e mbijetuan këtë episod tragjik. Labirinti gri, i ftohtë, kështu bëhet prapavijë e eksperiencave të zeza, ku gjaku, vdekja e ftohtë, elemente e tjera përzihen në një miks që askend nuk e len gjakftohtë.
Me pa: Seriali “Omnivore” nga René Rexhepi, Apple TV
René Rexhepi është shefi shqiptaro-danez që e ka çmend dhe rikriju mënyrën si pregaditet ushqimi në restorane ultra-moderne. Rene, tash një figurë e nderume në botën e ushqimeve, shef i restorantit me tre yje Michelin, Noma në Kopenhagen, i emërum si restoranti më i mirë në botë disa herë, është në procesin e ofrimit publikut ma të gjanë të një niveli të ri të njohurisë së ushqimit - si një super shef i njohur i cili ndan recetat e tij me neve plebejt e thjeshtë
Projekti i fundit i Renë Rexhepit po flitet se mundet me ja sjellë një nivel ma të madh të famës se kurrë më parë, së paku sipas recenzioneve të para të serisë të tij të re televizive “Omnivore” (“Gjithçkangrënës”), të prodhum në bashkëpunim me Apple TV+. Duke filluar më 19 korrik, në çdo episod shef Rexhepi do të tregojë rrëfimin se si një ushqim apo përbërës i veçantë ka qenë i rëndësishëm për kulturën e hajes të njerëzve nëpër dyje. Episodet do të mbulojnë subjekte si prodhimi i orizit, mishi i derrit, kafja dhe kallamoqi.
Për fëmijë: BookFest i Dukagjinit
Një mini-rekomandim i javës është festivali i librave të Librarisë Dukagjini (libraria në Albi), sidomos për fëmijët që mund të zbaviten dhe mësojnë me aktivitete si: 🫳Jump & Grab a Book, ✂️Make Your Own Bookmark, 📚Lexim, 🙋🏻♂️Pantonima, 🎨 Ngjyrosje dhe💡Gjëegjëza për fëmijë. Ka edhe lirime për libra (jo veç për fëmijë!).