Monday Marks, 11 nëntor
Guns N'Roses e kanë këndu kangën November Rain, ama te na këtë nëntor s'pat shi. Çka ka shumë këtë javë janë ngjarjet kulturore, sidomos ekspozita arti. Çka me bo, pa, dëgju e ku me kcy këtë javë?
Nëntori e ka pak konfjuzing emnin se nuk osht muaji i nantë po i njëmbëdhjetë, edhe moti osht konfjuzing se mëngjezet janë ftofta (veshe xhemperin), e dita osht e ngrohtë (deshe xhemperin), nata prapë edhe ma ftoftë (veshe xhemperin e xhaketën).
Qyshdo që të vesheni, veç dilni e merrni pjesë në plot ngjarje kulturore: ekspozitat “Shtëpia e Grave” në Galeri Kombëtare, “Memorizonim” e Blerta Hashanit në Galerinë LambdaX3, “Thellësia dhe vëllimi” në Galerinë Qahili, “Net/Rrjet” në galerinë Barabar; pastaj programi i filmave “Expanding Cinema” në Kino Lumbardhi të Prizrenit, Filharmonia dhe Kori kanë me performu uverturën e operës Willem Tell në “Asim Vokshi” të Gjakovës; ndërsa mundeni me kcy me një party t’mirë Technosphere të Tiranës, nën organizimin e mysafirës tonë të podkastit Skytes.
E atmosferën nëntoreske mundet me ja u përmbush edhe kanga “Kosovo” e kangëtares kanadeze Michelle Gurevich.
Me pa: Ekspozita “Shtëpia e Grave”, Galeria Kombëtare
Galeria Kombëtare e Kosovës ka me çel me 14 nëntor ekspozitën Shtëpia e Grave, e cila eksploron veprën e artistes së njohur feministe kroate Sanja Iveković, për politikën gjinore dhe trashëgiminë e saj të aktivizmit. E kurume nga Hana Halilaj dhe Ivana Bago, ekspozita osht e ndame në dy trajtime tematike të artit dhe aktivizmit të Iveković. Seria Shtëpia e Grave përmban kaste të fytyrave të grave prej gipsi, të prodhume në bashkëpunim me të mbijetumet e dhunës në familje në Kosovë. Këto vepra përforcojnë luftën e vazhdueshme për të drejtat e grave dhe drejtësinë sociale.
Me dëgju: Uvertura William Tell nga Filharmonia e Kosovës, Gjakovë
Koncerti i radhës të Filharmonisë së Kosovës mbahet me 15 nëntor, në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’ në Gjakovë, në kuadër të programit Filharmonia në Lëvizje. Kori dhe Orkestra kanë me bo muzikë bashkë, nën drejtimin e Hajrullah Sylës, me një kast ndërkombëtar solistësh, e publiku ka me pas shansën me dëgju interpretimin e uverturës se operës “William Tell dhe Stabat Mater” nga Rossini. Në këtë koncert do të marrin pjesë solistët Besa Llugiqi (soprano) - Kosovë, Albane Carrere (mezosoprano) - Francë, Ismet Vejseli (tenor) - Maqedoni e Veriut, dhe Sebastian Balaj (bariton) - Rumani.
Me pa/lexu: Ekspozita + libri i Blerta Hashani, Galeria Lambda, Prishtinë
Galeria superbe Lambda Lambda Lambda po sjell dy ngjarje të rëndësishme që do të mbahen më 11 Nëntor fokusume në punët ma të reja të Blerta Hashanit. Në ora 18:00, në Galerinë LambdaX3, hapet ekspozita “MEMORIZONIM”, një punë që autorja shpreson që “ka me u lidh me kujtimet dhe përvojat e secilit prej juve”. Ma vonë, prej orës 19:30 në katin e 6-të të Hotel Grand, lansohet publikimin me ndihmën e fondacionit HAJDE titullum “Një rrëfim mbi të gjelbër”, i cili dokumenton projektin e ekspozitës personale, kurume nga Alex Fisher dhe mbajtun para do muajve në Mullirin e Nazifit në fshatin Mirash, Ferizaj (një super recenzion të kësaj ekspozite e kemi botu edhe na.)
Me kcy: Megadance në Technosphere, Tiranë
Me 15 nëntor premtohet një party e mirë n’Technosphere Tirana! DJ janë Male Delto dhe Bucci, prej undergroundit fjoreninez si dhe Ivana Dragsic prej Shkupit. Filiz Telaku - Skyte, dizajnerja dhe karakterja e famshme e partyve elektronike osht organizatore. Skyten e kemi pasë mysafire në podkast, dhe 100% sjell atmosferën e skutave italiane dhe fushave kosovare. Full techno ka m’u kanë.
Me ngu: Kënga “Kosovo” nga Michelle Gurevich
Këngëtarja i njoftun kanadeze Michele Gurevich e ka vizitu vendin tonë në qershorin e vitit 2022 duke e mbajtur edhe një koncert te dostat tone në Kino “Lumbardhi” në Prizren. Tash Michelle e ka qit një kangë simpatike inspirum prej Kosovës me titullin “Kosovo”. Teksti thotë “I lost my mind in Kosovo / I’m not same as before”. Muzika e Michele Gurevich është një përzierje intime e romancës së errët, melankolisë dhe emocioneve jo fort të papërpunuara. Muzike që e quajnë edhe si kinematografike dhe noir. Stili i saj përzien elemente të baladave të Evropës Lindore (Gurevich ka prejardhje prej Ukrainës) me melodi të ngadalta dhe minimaliste që ta kujtojnë pak kanadezin tjetër të famshem Leonard Cohenin.
Me këqyr: Programi “Kinemaja e Zgjeruar”, Kino Lumbardhi, Prizren
Programi i filmave i “Kinemasë së Zgjanume” veç ja ka nis më 6 nëntor por keni filma edhe me 13, 20, 27 nëntor në Kino Lumbardhi. Këtë muaj filmat e përzgjedhurn i dedikohen temës: “Në rrugë” duke na ftuar të shohim e njohim udhëtarë në gjeografi dhe kontekste sociale të ndryshme. Temë e njoftun për neve shqiptarëve që honedon jena sjell rrugve.
Me pa: Ekspozita “Thellësia dhe Vëllimi”, Galeria Qahili, Prishtinë
Ekspozita e radhës te galeria Qahili që gjendet mrapa Albi Mall e ka emnin “Thellësia dhe Vëllimi” dhe hapet me 13 nëntor 2024 në 19:30. Artistat e prezentum janë Fehim Husković dhe Valentina Stevanovska, dy artistë nga Maqedonia e Veriut, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre në grafikë dhe skulpturë.
Me pa: Projekti Ndërkombëtar NET/RRJET, Galeria Barabar, Prishtinë
Expoart.40, nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit prezanton edicionin e 12 të projektit ndërkombëtar NET/RRJET, ideume dhe realizume nga organizata Expoart.40, i cili do të mbahet më 11 Nëntor, ora 18:00 në Barabar Centre, Prishtinë. Këtë vit, nën kurimin e Zeni Ballazhit dhe me partneritetin e Barabar Centre, ky edicion vazhdon traditën e krijimit të lidhjeve artistike mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare. Këtë vit, kurator osht Zeni Ballazhit nde4rsa sipas organizatorëve në partneritet me Qendrën Barabar, “ky edicion vazhdon traditën e krijimit të lidhjeve artistike mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare.” 25 artistë prej krejt anëve të botës, përfshi disa që nuk doken shpesh kah rajoni ynë si Filipinet, Nepali, India, Belarusi janë prezent në ekspozitë.
Me përjetu: Baleti "TERMINAL", Qendra e Kulturës, Obiliq
Nuk bjen shpesh me rekomandu ngjarje kulturore n’Obiliq, por me 14 nentor e keni shfaqjen e Baletit Kombëtar në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq. Performansa “Terminal” sipas organizatorëve është “një produksion baleti transformues që eksploron kompleksitetet e psikikës njerëzore përmes metaforës së udhëtimit. E vendosur në një sallë të konceptuar nisjeje, kjo shfaqje eksploron peizazhet tona të brendshme ndërsa përballemi me arsyet e udhëtimeve tona mendore përmes labirintit të mendimeve dhe emocioneve.” Korekografë janë Evgeny Kozlov dhe Romane Petit ndërsa mjeshtër baleti Luljeta Ademi.