Monday Marks, 10 qershor
Erdh vera kah dera - e me verë edhe koncerte, ekspozita, premiera dhe ngjarje në katër anët e Kosovës (e Shqipnisë). Shikoni listën ma t'madhe të ngjarjeve të llojllojshme e intriguese për këtë javë!
Çka me pa: 'Një rrëfim mbi të gjelbër' nga Blerta Hashani, fshati Mirash
Artistën Blerta Hashani e njohim tash e disa vjet prej punimeve miniature, të qendisuna/punume për bukuri e të shfaquna në kuadër të Galerisë Lambda Lambda Lambda. Tash Blerta po vjen me një koncept të ri: “Një rrëfim mbi të gjelbër” që po hapet në Mullirin e Nazifit, në fshatin Mirash të komunës së Ferizajt. Kurator i kësaj ekspozite është Alex Fisher nga Buffalo i Nju Jorkut. Alexi tash e disa vjet - që nga puna e tij në MANIFESTA, jeton dhe punon në Kosovë. Kjo ekspozitë po organizohet në një lokacion të veçantë, në shtëpinë e familjes së artistes për gjenerata të tëra, te mullini që sot e kësaj dite blun grunin me metodën e vjetër.
Ekspozita paraqet piktura në pëlhurë (jutë), punime në letër dhe një kolazh, punë e cila shquhet si “më personalja e artistes deri më tani.” Ekspozita shoqërohet edhe me një program publik që përfshin një bisedë me artisten dhe një punëtori nxënësit e shkollës fillore. Pse bash në Mirash? Hashani përkrah “decentralizimin e kulturës bashkëkohore duke ndarë pasionin e saj për të mundësuar rritjen e pjesëmarrjes në aktivitete dhe praktika artistike.” Ferizaji nuk është larg, mullini dhe ekspozita vlen të vizitohet - nga e shtundja me 15 qershor.
Çka me dëgju: ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’, Shpat Deda & co, Durrës
Javën e kalume i patëm plot do festivale në Shqipni, por edhe këtë javë ka muzikë të mirë atje. Mas Tiranës, Shkodrës e Elbasanit, seria e koncerteve të Shpat Dedës ‘Udhëtim në Fjalë e Tinguj’ e vazhdon rrugëtimin me 14 qershor në Teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës! Shoku Shpat, bashkë me Visar Kuçin, Tomor Kuçin dhe super talented Edona Vatocin si musafire speciale, premton se “hanën dhe yjet që i shihni në qiell do t’jua sjellim brenda në sallë”. Producente e koncertit është Lura Elezi që bon punë të spektakulare në krijim të atmosferës në vende speciale në Shqipni. Shpati është udhëheqës i mirë i “udhëtimeve në fjalë e tinguj” kështu që bashkë-udhëtarët që i ka në Durrës këtë natë, pa dyshim se kanë me u knaqë me ndjenja të zbulimit, pa ju lodhë kamtë shumë.
Çka me pa: Reporting House Kosovo, Paper Gallery & BIRN
Një ekspozitë tre mujore po hapet këtë javë në Prishtinë dhe ka synim me eksploru mbulimin mediatik të luftës në Kosovë dhe se si artistët e kanë interpretuar trashëgiminë e luftës. Ekspozita me yje koxha të njoftun, ka mu hap në objektin e vjetër të shtëpise së mallnave “Gërmia”, bash aty ku po planifikohet hapja e sallës koncertale. Prezantuar nga Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery bashkë me BIRN Kosova the KALLXO.com, ekspozita 'Shtëpia e Raportimit' paraqet një kombinim të artefakteve të gazetarisë, incizimeve, fotografisë, etj. Këto prodhime të gazetarisë po tregohen përballë veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimi i luftës së viteve 1998-99 në dekadat që nga ajo kohë. Kontribuesit mediatik përfshijnë Jeremy Bowen dhe Ben Brown të BBC-së, fotografin e Magnum, Thomas Dworzak, fotoreporterët kosovarë Ilaz Bylykbashi dhe Hazir Reka, Andrew Testa nga New York Times, themeluesin e Frontline Vaughan Smith dhe plot do tjerë. Ekspozita do të prezantojë gjithashtu punën e artistëve Anri Sala, Adrian Paci, Goncalo Mabunda, Lala Meredith Vula, Zhana Kadyrova, Lana Cmaijcanin, Olafur Eliasson, Laura Imami, Besa Llugiqi, Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli, kurume prej Gazmend Ejupit, themeluesit të Paper Gallery.
Çka me dëgju: Filharmonia e Kosovës x Derrick May, Pallati i Rinisë
Një çerek-shekull liri ka sjellë një program koxha divers, por ndoshta ky koncert i Filharmonisë është një eksperiencë pak ma unike si rrugëtim muzikor midis elektronikës dhe klasikes. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike, për një party/koncert që premton me qenë “i paharrueshëm”. Perndryshe, “Strings of Life” (Fijet e jetës) eshtë kënga e Derrick May ma e njohun dhe e konsiderume si një kllasik në zhanret e muzikës house dhe techno. LA Weekly e pat rendit atë në vendin e parë në listën e saj të "20 kangët ma të mira muzikore dance në histori" në 2015. Këtë projekt me filharmonitë e botës Derrick May është tu e ba qe ma shumë se 10 vjet, e tash do ta eksperiencojmë edhe te na. Koncerti mbahet me 11 qershor 2024 në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë.
Çka me dëgju: Adrian presents Voyage, Pallati i Rinisë
Adrian Berisha është fytyrë e njohur e skenës së muzikës dhe kulturës në Prishtinë. Prej DJ-llëkut në party, cluba dhe evente e deri te si Drejtor i kulturës në qeverinë e kryeqytetit (sidomos në periudhen e vështirë të pandemisë) e deri te puna e sotshme me Fondacionin “Hajde”, Adriani ka lanë fërkemë në pejsazhin tonë muzikor e kulturor. Tash po e organizon një event të titullum “Voyage”, per 15-vjetorin e karierës së tij muzikore. Mysafirë janë HORSE MEAT DISCO, Bedi Pejani, Erleta Kadrija, Ylli Megi. Salla e Djegun / Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtina — 15 Qershor, 2024. Të gjitha fitimet financiare nga kjo ngjarje kanë me u dediku për blerjen e instrumenteve muzikore për Shkollën e Muzikes “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Çka me pa: Ekspozita ‘Çiknia jonë’ nga Elena Gallina, Mitrovicë
Elena Gallina nuk është një grua e zakonshme. Është rritur në Kosovë me prindër që kanë punu në organizata ndërkombëtare, ka fituar stipendionin prestigjioz Rhodes për studime në Amerikë dhe pastaj në Oxford ku ka kry dy mastera. Por Elena është edhe fotografe dhe tash e do vjet është fokusu në një praktikë apo hobi që krejt çikat e dijnë: ritualin e mbledhjes së salvetave/faculetave. Edhe na në Suzanne fort mirë e mbajmë në mend periudhën para smartphones e iPads, ku platforma kryesore e kreativitetit, shkëmbimit social, kurimit të contentit kanë qenë salvetat. Ekspozita ‘Çiknia jonë: Our Girlhood” ka me u shfaq nga sot në Muzeun e qytetit të Mitrovicës, me një pritje solemne. Për këtë pritje, do të keni mundësinë të përjetoni instalimet unike, të takoni artistën personalisht dhe t’i dëgjoni disa fjalë për qëllimin dhe procesin pas krijimit të veprave të inspirume prej këtij hobi të moçëm. E kemi një pyetje? A janë çikat sot hala tu mbledh salveta? Ishalla po.
Çka me dëgju: Koncert Jay-Jay Johanson & Gillespie, Lumbardhi, Prizren
Kino Lumbardhi në Prizren është i ndërlidhur me Dokufest, por në të vërtetë është një qendër kulturore me program të mirë tërë vitin. Këtë javë po vjen me Skaj Session dhe koncert të Jau-Jay Johanson nga Suedia (dhe para-bend Gillespie nga Kosova). Skaj Session sipas organizatorëve ka “synimin për të eksploruar përmes muzikës, jo vetëm limitet dhe çfarë mund të pranojmë e tolerojmë, por edhe si një udhëtim mes kulturave të ndryshme që ndajnë të njejtën skenë të shkëputur nga limitet gjeografike apo të identitetit mes të cilit shëmbëllehen ndikimet kulturore. Koncertin mund ta përcjellni në Kino Lumbardhi më 16 qershor… Të dyja perfomancat premtojnë “lundrim në skajet emocionale” të downbeat e trip-hop-it të Johanson dhe soundin pak ma psikodelik të Gillespie. Përndryshe, në Lumbardhi ka edhe program të mirë filmash, por për këtë, shkruajmë ma shumë javën e ardhshme.
Ku me shku: SOMA Vinyl Bar, te Piramida, Tiranë
SOMA me plotë kuptimin e fjalës ka qenë vend “game changer” për Prishtinë. Lokali i Mirit dhe Batonit (dhe çikave dhe djemve t’mirë që punojnë e kanë punuar këtu) kur ka hapur dyert në Prishtinë ka sjellë një atmosferë të botës normale, me akcent të shtuar në fjalën “botë”. Në librin e famshëm “Brave New World” të Huxley, Soma është emri i drogës që shteti e promovon për qytetarë, për t’ja u rritë gëzimin dhe vetëkënaqesinë. Në rastin e Prishtinës, Soma Book Station ka sjellë gëzim dhe kënaqësi - nganjëherë fikall vetë duke e bajtë jetën e natës për një shtresë të madhe të nightliferave. Do vite ma vonë, Soma Slow Food u hap në Germi si restoran me shmekin e njejtë të enterierit eklektik me kulm të lartë dhe shërbim të mirë (dhe gjellna inspirume nga ushqimi lokal). Tash Soma po e hap piken e re të “gëzimit e kënaqësisë” edhe atë në Piramidën e Enver Hoxhës në Tiranë. Soma treshi quhet Soma Vynil Bar, pra mujm me paramendu se fokusi do të jetë në pllaka gramafoni, përpos pijeve, ndejës dhe ushqimit. E lumja Tiranë që ka mu deh tash e tutje nën ndikimin e Somës kosovare.
Çka me pa: ‘Arti përmes këndit të një diplomati’, Galeria Qahili
Kosova është shtet që ka pritë e përcjellë me mijëra diplomatë, delegatë, përfaqësues special e më pak special gjatë dekadave të shkuara. Shumë prej tyre kanë pasë një jetë relativisht të ndarë nga komuniteti lokal kulturor apo artistik, përjashto pjesëmarrje në ngjarje qeveritare apo koncerte të përvjetorëve të ndryshme. Shefi i Zyrës së Sllovakisë Ratislav Kostilnik e ka përdorur kohën e shërbimit të tij në Kosovë edhe për art, një pasion që e ka ndjekur tërë kohën dhe që po merr një epilog kosovar me një ekspozitë të punimeve të tija. Në fund të mandatit të shërbimit në Kosovë, si diplomat i një shteti që nuk e njeh Kosovën, Galeria Qahili po sjell ekspozitën e Kostilnik. Ngjarje jo fort e zakonshme, por e mirësepritur si shenjë që Prishtina nuk inspiron vetëm drafte asociacionesh por edhe vepra arti.
Cover photo: Ermal Meta, June 2010.