Me mendu pak për shnetën e mendjes
Në Ditën ndërkombëtare të shëndetit mendor po ju rekomandojmë do libra shqip që i gjeni edhe te na, se si ta ruani vetën, shëndetin e juj mendor dhe të afërmve të juaj, në këto kohna me shumë stres.
Ndoshta po ndikoheni nga dhuna verbale në televizion ose portale. Ndoshta rrjetet sociale po ju pengojnë me bombardimin e përditshëm të informatave dhe ndikimeve. Ndoshta thjesht po kaloni në një fazë introspektive.
Shëndeti mendor është një çështje që prek secilin prej nesh në mënyra të ndryshme, dhe për shumë prej nesh është diçka që nuk flasim sa duhet.
Besoj që shumica e kemi gjetë veten të përfshirë në biseda për mirëqenien mendore vetëm kur ka qenë e nevojshme. Ndërkohë, krejt profesionistat thojnë se rëndësia e kujdesit ndaj shëndetit mendor është po aq jetike sa kujdesi për trupin tonë.
Për të gjithë ata që ndjejnë peshën e sfidave mendore, e dijmë se sa e vështirë osht me kërku ndihmë apo me pranu që diçka nuk është në rregull. Dita Botërore e Shëndetit Mendor është një kujtesë që nuk jemi vetëm, dhe se përmirësimi i mirëqenies sonë kërkon guxim, mbështetje dhe përkushtim ndaj vetes. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për me reflektu dhe m’u kujdesë ma shumë për mendjen tonë.
Qe do libra që na rekomandoj Klarita Demiri nga Libraria Dukagjini, (mysafire e jona në Podcast Suzanne ) që mundeni m’i marr si pikënisje:
“Pse ne meditojme” nga Daniel Goleman dhe Tsoknyi Rinpoche
Ky libër është një udhërrëfyes thelbësor për ata që kërkojnë të kuptojnë fuqinë e meditimit në përmirësimin e shëndetit mendor. Libri thekson rëndësinë e ndaljes dhe vetë-reflektimit në një botë të zhurmshme, duke u përqendruar te praktikat që sjellin qetësi dhe ekuilibër emocional. Autorët ndërthurin njohuritë shkencore të Goleman-it me mësimet e thella të Rinpoche-s, duke ofruar një perspektivë të gjerë mbi mënyrën se si meditimi mund të reduktojë stresin dhe të forcojë mirëqenien psikologjike. Në një kohë kur shqetësimet mendore janë në rritje, ky libër na kujton se meditimi nuk është thjesht një praktikë shpirtërore, por një mjet praktik dhe i domosdoshëm për të përballuar sfidat e përditshme dhe për të arritur një gjendje më të thellë paqeje.
“Vëzhgimi i mendjes” nga Daniel Siegel
Ky është një libër i jashtëzakonshëm që na mëson sesi të kuptojmë dhe të transformojmë mendjen tonë përmes ndërgjegjes dhe vetë-reflektimit. Siegel prezanton konceptin e “mindsight-it,” një aftësi që na lejon të ndërgjegjësohemi për mendimet, emocionet dhe veprimet tona, duke na fuqizuar të ndryshojmë zakonet mendore që dëmtojnë shëndetin tonë mendor. Në një botë ku stresi dhe ankthi po shtohen, ky libër ofron mjete praktike për të zhvilluar një mirëqenie më të qëndrueshme mendore. “Mindsight” na ndihmon të kuptojmë lidhjen midis mendjes dhe trurit, dhe sesi ndërhyrjet e thjeshta mund të përmirësojnë ndjeshëm jetën tonë të përditshme.
“Ushtrimi i vetëbisedimit” nga Rachel Goldsmith Turow
Ky është një udhërrëfyes praktik që na mëson si të përmirësojmë shëndetin tonë mendor përmes fuqisë së vetë-bisedës. Libri shpjegon se si mënyra se si flasim me veten mund të ndikojë ndjeshëm në mirëqenien tonë emocionale dhe psikologjike. Turow ofron strategji konkrete për të ndryshuar mendimet negative dhe për t’i zëvendësuar ato me vetë-biseda më mbështetëse dhe pozitive. Në një kohë kur kujdesi për shëndetin mendor është më i rëndësishëm se kurrë, “The Self Talk Workout” na kujton se ndërhyrjet e vogla në mënyrën se si mendojmë mund të kenë një ndikim të madh në jetën tonë të përditshme.