"Martesa": një çmenduni nën kunorë
Teatri Kombëtar po hyn në sezonin e ri me një premierë, shfaqjen "Martesa" e Witold Gombrowicz, me regji nga Norbert Rakowski. Priteni një shfaqje me plot humor të errët dhe absurditet.
"Martesa" e Witold Gombrowicz është një përzierje e veçantë midis dramës ekzistenciale, humorit të errët dhe absurditetit që të bon me dyshu çdo kuptim tradicional të realitetit. Në qendër të kësaj "ceremonie" është Henrik, i cili, pas kthimit në atdhe nga lufta, përballet jo vetëm me rrënojat e familjes së tij, por edhe me një botë që ka humbë çdo sens logjik. Më shumë se një rikthim në familje, Henrik gjen një skenë ku gjithçka është e shkapërderdhët – nga marrëdhëniet familjare deri te koncepti i vetë pushtetit dhe dashurisë. Rolet po i luajnë creme de la creme i aktrimit te na: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj, Adhurim Demi.
Gombrowicz krijon një atmosferë ku gjithçka duket si një lojë, një teatër ku personazhet nuk janë thjesht pjesëmarrës, por viktima të një absurdi të jashtëzakonshëm. Henrik, i cili përpiqet të vendosë rregull në këtë kaos duke u martuar, zbulon që martesa nuk është më një akt dashurie apo përkushtimi, por një andërr dhe një përpjekje e dëshpërume me vendosë kontroll mbi një botë që osht kah i rrëshqet prej duarve të tij. Në këtë botë, autoriteti është një kostum që ndërrohet lehtë, dhe rregullat e shoqërisë janë po aq të lëkundura sa dehja pas një gote të fundit në dasëm.
Me karaktere të çuditshme dhe me një strukturë që të kujton më shumë një makth surrealist sesa një ngjarje reale, "Martesa" të fton të vësh në pikëpyetje gjithçka që dimë për hierarkitë, marrëdhëniet dhe kuptimin e jetës. E gjithë kjo dramë ngjan më shumë me një festë ku të ftuarit janë shumë të dehur për të kuptuar se çfarë po ndodh.
Pra, pse të martohesh kur mund të përjetosh këtë kaos të mrekullueshëm?