Lista e librave të Klaritës
Mysafirja e podkastit tonë Klarita Demiri është librare, është e rrethekuar nga librat, punon me libra dhe natyrisht lexon libra. Por çka me lexu këtë verë?
Vera po afrohet dhe shumë prej jush do të keni ca ditë pushim nga studimet apo puna. Kjo është edhe periudha kur librat shiten më shumë. Dikush lexon në pllazhë, dikush edhe në udhëtimet e gjata me aeroplan, e dikush e ka qef leximin në banesën e vet të qetë në mes të qytetit të zhurmshëm.
Mysafirja e epizotit të tretë të podkastit Suzanne ishte Klarita Demiri. Ajo është librare dhe punon në librarinë më të madhe në Prishtine, Dukagjini tek sheshi Nëna Tereze. Si bonus material të podkastit e kemi pyetur Klaritën për listën e librave që ka lexuar së fundi e që gjenden në shitje në libraritë tek ne. Ja preferencat e Klaritës!
Seria e katër librave – nga Elena Ferrante
Kjo seri librash, që njihet edhe si “Kuarteti napolitana” përbëhet nga katër libra që në përkthimin shqip janë të titulluara: “MIKESHA GJENIALE”, “MBIEMRI I RI, “HISTORI ARRATIE E QËNDRESE” DHE “HISTORIA E VAJZES SE HUMBUR”. Autorja ka pohuar se seria prej katër librave është në të vërtetë një rrëfim që përcjell një jetë të tërë të dy personazheve Elena Greco dhe Rafaela Cerullo, nga fëmijëria e hershme, e deri te pleqëria. Çka i ka bërë këta libra tejet të popullarizuara, me shitje prej 10 milionë kopje në shumë gjuhë botërore, është stili i bukur i shkrimit i një sagës epike por edhe intime.
Shumë e veçantë është prapavija dhe konteksti i jetës në lagje të varfra të Napolit të Italisë. Pasi që podkasti ynë shumë fokusohet në jetën e grave dhe lagjet e tyre, këta libra po na flejnë edhe neve shumë, dhe mezi po presim t’I lexojmë!
“Mami & unë & mami” – nga Maya Angelou
Maya Angelou është ndër autoret dhe poetet më të famshme amerikane. Ka të botuar edhe disa libra autobiografikë, ndërsa ky është libër që poashtu i dedikohet jetës së vet dhe marrëdhënieve me nënen e vet Vivian Bakster. Nëna e Angelou ka lindur në kthesën e shekullit XX, në familje me shumë fëmije nga në baba i Trinidadit dhe nënë irlandeze. Bukuroshe e rrallë, Vivian u martua dhe u shkurorëzua nga babai i Angelou, duke lënë fëmijët të jetojnë me gjyshen. Libri është i stërmbushur me anekdota nga jeta e Angelou dhe nënës së saj, disa të rënda, disa tjera qesharake. Angelou ka shkrim tepër të veçantë me shumë dialogje dhe karakterizime të personazheve që nuk hasen kudo.
“Gruaja Leopard” – nga Alberto Moravia
Një vepër tipike moraviane, "Gruaja leopard" është rrëfim pa rrugëdalje mbi një tradhti dashurie, për vuajtjen dhe paaftësinë e dhimbshme të të kuptuarit dhe shënon një nga pikat më të larta të mendimit ekzistencial të Moravias: jeta nuk njihet dhe ne nuk e njohim.
“Pylli norvegjez” – nga Haruki Murakami
Murakami është një nga autorët e mëdhenj modern por që ka filluar të përkthehet në shqip vetëm vitet e fundit. Rrëfimi i romanit është një storje nostaligjike mbi humbjen. Toru Uatanabe, një student i urtë dhe serioz para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Libri është i vendosur në vitet e 1960-tat në Japoni. Titulli i vetë romanit vjen nga një këngë e popullarizuar e bendit Beatles me emër të njejte. Ky libër ka shënuar një epokë të letërsisë japoneze dhe e rekomandoj shumë si hyrje për një literaturë pak më ndryshe, me referenca kulturore të ndryshme nga ato që i njohim ne.
“Dite të qeta në Klishi” – nga Henri Miller
Ky roman, apo novelë, e rekomandoj poashtu pak inspiruar nga tema e podkastit Suzanne. Autori është një nga shkrimtarët më të famshëm të shekullit XX Henri Miller. Ngjarja bazihet në eksperiencën e tij të jetës në Paris në lagjen Klishi (Clichy) si një shkrimtar fukara. Vetë autori ka thënë se titulli është i kundërt me eksperiencën e tij parisiene që nuk ka qenë fort e qetë. Miller është mjeshtër ndërsa ky liberth ka plot pasione, sex, dhe përshkrime marrëdhëniesh njerëzore që më vonë u filmatizuan në shume filma dhe seri televizive. Definitivisht rekomandueshëm për lexim veror gjersa udhëtoni ndoshta edhe rrugëve të Parisit, por bën edhe në ato të Prishtinës.