Kujtimet e rikrijume të Norika Sefës
Norika është regjisore superbe kosovare që sapo e ka shfaqë një film të bazum në videokaseta me incizime të vjetra familjare. E fitoj çmimin kryesor në Dokufest. E bonëm një llaf të shpejtë bashk.
Norika është një grua regjisore e një vale të re të krijueseve që ka bo boom në vitet e fundit. Filmi i saj artistik "Në kërkim të Venerës" e fitoj çmimin special të jurisë të Festivalit të Roterdamit e tash ka ardhë me një film të bazum në kujtimet e rujtuna dokumentare në kaseta të vjetra VHS. Besnik Krapi si producent dhe Norika si regjisore janë një tandem i hatashëm kreativ - dhe produktiv. Me Norikën folëm për filmin e saj të fundit, kujtimet e shtrembëruara të fminisë, metodin dhe rrëfimin e saj filmik. Motoja e Podkastit Suzanne është "Stories Retold" e Norika sjell një rrëfim për "A tragedy foretold."
Arlinda: Norika, e ke pas premierën e filmit "Si e verdhë e sëmurë" në Dokufest, që po përshkruhet si një "rikonstruktim i kujtimeve familjare të nxjerra nga kasetat". Koxha intrigues edhe koncepti edhe metoda. A ke pasë shumë kaseta familjare edhe są e randësishme është arkiva për storjen tande, për rrëfimin tond?
Norika: Kam pasë shumë xhirime në video kaseta. Ishte shumë e randësishme për mua me i’u kthy atyre dhe mi shiku ato tani, në këtë moshë. Duket sikur duhen vjetë me kalu me i pa filmimet familjare dhe me i njoft mënyrat se si ata përreth nesh e shtrembërojnë dhe riformësojnë realitetin para syve tanë. Dojsha me rikriju atë ndjesi të fëmijërisë, ku gjithçka ishte aq e bukur dhe me bollëk, por në të njëjtën kohë kishte një ndjesi rreziku përreth. Mendoj se me gjithçka që po ndodh në botë tani, ndoshta u provokova me rikriju atë ndjesi. Ndonjëherë është më e lehtë me folë për ndjenjat aktuale duke përdorur një imazh të vjetër, ose e kundërta, ndonjëherë imazhet e reja na sjellin te ndjenjat e vjetra. Kjo ishte ajo që më pëlqeu në këtë proces duke punuar me filmimet e gjetura.
Arli: Filmi jot i fundit ka qenë artistik por me një bazë në jetë reale, ndërsa ky filmi i ri është dokumentar por po doket si koxha me elemente simbolike dhe ndoshta edhe imagjinare. Çka të flen ma shumë, me jep dozën e realitetit rrëfimeve imagjinare, a me shpreh artistikisht dokumentaren?
Norika: Ne kurrë nuk e dimë çfarë është e vërtetë. Ne jemi krijues të realitetit tonë. Ndoshta sepse jam rritur në një familje të madhe, kam ndjerë këtë përplasje të perceptimeve dhe mënyrave të interpretimit. Shpesh, ne i marrim gjërat si të mirëqena kur ato i përkasin një kohe të caktuar, ose më mirë të themi, si në rastin e ‘Si një e verdhë e sëmurë’, një film që bazohet në filmime të gjetura, këto filmime, këto imazhe – ato kanë një justifikim natyral të historisë së cilës i përkasin, por unë jam shumë më i interesuar në emocionet, në personazhet.
Arli: A je e kënaqun me produktin final?
Norika: Ti investon shumë në një film, kohë dhe emocione, por një film ka jetën e vet në një farë mënyre. Dua gjithashtu të befasohem edhe vetë une nga vetë filmi. Ta kqyri se ku më çon. Tani filmi është atje jashtë. Jam e kënaqun me mënyrën se si është pritur. Do të kemi një tjetër premierë rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë në fund të kësaj jave.
Arli: E di që ke qenë shumë zanë, por çka je tu ngu prej muzikës apo cili është ndonjë film a seri televizive që të ka lanë përshtypje apo të ka inspiru kohët e fundit?
Norika: Eh po, nuk kisha shumë kohë sivjet ma pa filma, deri në Dokufest. Pastaj, me të vërtetë më pëlqeu mu kanë në kinema dhe ne shiku filma të ndryshëm, të gjatë dhe të shkurtër. E njëjta gjë edhe me muzikën. Ditët në Dokufest ishin një kohë shumë e ngarkuar sa i përket përvojave vizuale dhe dëgjimore.
Arli: A po na përshkrun ndjenjën me fitu çmimin kryesor në Festival Ndërkombëtar që mbahet në Kosovë, pra vendi prej ku vjen..? Sa të pasuron shpirtnisht e artistikisht kjo :)?
Norika: Dokufesti është një festival në të cilin kam shkuar prej rinisë së hershme. Kështu që për mua me shku atje, çdo vit, duke pa sa shumë po rritet, është diqysh edhe një mënyrë me mendu edhe për veten time, për atë që më ka ndodh brenda një viti. Dokufesti ka qenë gjithmonë një vend shumë frymëzues! Më kujtohen gjithmonë filmat që kam parë në Dokufest. Ky vit ishte kaq i pasur me biseda, njerëz që kam takuar, gjëra që i kam pa. Pra, të përfundosh me një çmim të tillë, në një vend për të cilin jam krenare, pernime ndihem veçantë.