Kino Kosova n'Berlin
Dymbëdhjetë filma kosovarë përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e definojnë Prishtinën dhe kontaktin kosovar, do të shfaqen këtë fundjavë në Berlin
Kino Moviemento do të jetë kinema nikoqire e filmave kosovarë në Berlin. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, dhe animacion nga Kosova dhe diaspora.
Titulluar “Të Fala nga Prishtina” dhe kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash sjell para publikut të Berlinit filma të metrazheve të ndryshme nga regjisorët më të spikatur kosovarë të gjeneratës së re, si: Lendita Zeqiraj, Dea Gjinovci, Samir Karahoda, Ilir Hasanaj, Norika Sefa, Edona Kryeziu, Redon Kika, Flaka Kokolli, Arnit Likaj dhe Jamin Rai, Zgjim Terziqi, Bekim Guri dhe Orgesa Arifi.
Përveç shfaqjes së filmave, publiku do të ketë mundësi të njihet me regjisorët kosovarë, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre përmes sesioneve të hapura të diskutimit publik mbi rrugëtimin e tyre krijues në Kosovë.
City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.
Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore.
Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V.
-
Blerta Haziraj (1994) është hulumtuese dhe regjisore. Praktika e saj artistike fokusohet në arkivat e literaturës feministe në Kosovë të cilat ajo i përdorë si mjet për të eksperimentuar përmes filmit dokumentar, ekspozitave, posterave dhe fanzinave. Ajo është autore e tre filmave të shkurtër, të cilët subjekt kanë gratë në rajonet rurale të Kosovës: ‘How I Failed Documenting Male Gaze’ (2021), ‘Sytë dhe Duert e Jueja Duhet të Shihen Kudo’ (2022) si dhe 'E Ardhmja Asht ma e Mirë, Shoqe' (2023) i realizuar si pjesë e ekspozitës së saj "ATO" në Autostrada Biennale, 2023. Ka bashkëthemeluar Pykë/Presje, hapësirën për hulumtime arkivore, ekspozita (Manifesta 14) si dhe prodhimin e botimeve artistike dhe eksperimentale të bazuara në historitë lokale. Ajo është fituese e çmimit Prince Claus Fund, Seed Award, 2023. Për momentin është duke studiuar regji në FAMU.