Jorganat joshës e një jete të kalume nën to
Një ekspozitë në galerinë e Qafës e një artisteje të re nga Gjakova që jeton në Berlin, na shpërfaq krejt fuqinë e objektit nën të cilin kalojmë një jetë të tanë.
Do muaj ma parë patëm rastin me e pa për herë të parë punën seminale të artistes britanike Tracy Emin që quhet “Ekzorcizmi i pikturës së fundit që e kam ba”, në galerinë Farschou në Bruklin. Ishim në ekspozite me Arlindën, pak ditë mas hapjes së ekspozitës oh-aq-inspiruese të Petrit Halilajt në Met.
Instalacioni i Emin, është një hapësinë e bartun në mes të galerisë, një dhomë gjumi e pune, ku artistja është mshelë me javë të tana diku gjatë viteve të 1990’ta - cipridon cullak - dhe është munduar ta tejkalon traumën e pikturimit, telajos dhe gërditjen ndaj erës së ngjyrave të pikturës që e ka përjetu pas aborteve dhe depresionin të ndërlidhun. Tracy Emin e kishte pas lanë pikturën dhe ky vet-izolim ishte një tentative e dhunshme me ju mbyll mrena katër mureve dhe me ju kthy mediumit. Shishe të birrës, bërllog cigaresh, tesha e çorapa grashë të gjujtuna e të vjerruna në tel, piktura të papërfundume, ishin pjesë e dhomës.
Aty është natyrisht edhe krevati. Edhe jorgani.
Jorgani ishte element i randësishem edhe i punimit tjetër të Tracy Emin “Krevati jem”, që e pat katapultu artisten si finaliste të Çmimit prestixhioz “Turner”. Ky punim në epiqendër e ka një jorgan të pandreçtë, në gjendje qysh e lajmë kur zgjohemi nga gjumi. Koncepti për "Krevati jem" nga Emin u shpjegua që vjen si rezultat të një fazë të jetës me shumë seks por edhe depresion, kur ajo kishte nejt në krevat për katër ditë pa ngrënë ose pirë asgjë tjetër përveç alkoolit. Kur ajo pa hallakamën e që e kish ba në dhomën e saj me jorganin e tollovitun, papritshëm e kuptoi çfarë vepre arti e kishte kriju. Shumë zhurmë pat ba ky jorgan në botën e artit asokohe.
Jorgani në veprën e famshme të Tracy Emin është koxha objekt multi-vokal, me shumë kuptime, por projekton gjithsesi intimitet, prekshmëri (vulnerability), realitetin e hapësinës personale e emocionale, shpesh të ngrohtë mrenda jorganit, ballë botës së ftohtë jashtë jorganit.
Por punimi i Felix Gonzalez-Torres, “Pa titull - (billboard i një krevati të zbrazët)” e ka një kualitet tjetër. Është pra një billbord, panel reklamues, që ishte i shpërndarë nëpër Nju Jork i një skene intime: një krevati me jorgana të shpalosuna dhe me dy jastekë me dy thellime, thua se dy persona sapo kanë ngritur kokën nga to. Mund të jetë edhe skena e parë e një mengjezi dhe fare lehtë mundesh me imagjinu që çifti në fjalë ndoshta janë në kuzhinë, duke zier kafen e parë të mengjezit apo duke pregaditë vo me avokado.
Por çifti në fjalë nuk janë më. Krevati i zbrazët dhe jorgani i shpalosur e jastëkat e shtypur nga gjumi, në këtë rast nuk do të palohen kurrë.
Felix Gonzalez-Torres me jorganin që mbetet përgjithmonë tu shpresu në intimitet të përsëritun të shfrytëzuesve, e bën të qartë që ky është krevat i dikujt që ka vdekë. Mesazhi ka qenë edhe politik edhe personal: për humbjen e njerëzve nga komuniteti LGBTQ+ që po vdisnin nga SIDA asokohe. Kështu punimi u ba edhe ikonë urbane e betejës identitare në rrugët e zhyllafta të qyteteve dhe korridoreve të pastërta të fuqisë ku vendosej nëse dashnia është dashni. Nëse njerëzit kanë nevojë të mshefen prapa jorganave, dollapave, mbulesave dhe pengesave tjera për me tregu se kush janë dhe kë e dojnë.
Por s’kemi nevojë me shku në Nju Jork me i pa readymade instalacionet e Tracy Emin apo Gonzalez-Torres me kuptu potencën simbolike të krevatit dhe jorganit.
Është Erzen Shkololli që më 1999 e pat sjellë “Krevatin”, një punim vizëllues por të errtë, krevatin e dekorum me tentene dhe dekorime super precise tradicionale, me jorgan të marum enkas, e që përdorej për xhenaze, apo si shtrat i fundit i të vdekurit në Pejë, para se të udhëton në jetën e amshueme.
Punimi i Erzenit nuk është morbid, përkundrazi - është dëshmi e shumëfishtë e një tradite që e përcjell për bukuri njeriun e vdekur, dhe vetë procesit delikat të prodhimit nga gratë të këtij objekti, mu për këtë rit të fundit të pasazhit. Ky jorgani nuk është i mendum të jetë i tollovitun apo i shpalosun. Nën këtë jorgan askush më nuk do të mshefet, me e nxeh vehtën nga ftofti i jashtëm. Ky është jorgani i fundit i njerit, i ftoftë akull, si vetë vdekja. Ky krevat është edhe catafalque - pasqyrim i riteve bizantine apo Osmane apo Romano-katolike, të zhytuna në misteret e harruara e tradita të humbuna e të përzime midis feve dhe epokave historike.
Humbja te punimi i njohur i Shkolollit e ka në epiqendër ritualin dhe sado sinkretik (syncretic) të jetë ai në mes kulturave e traditave, ajo është kulturalisht e standardizume, pëcjell një zakon, një stanard. Nuk len hapësirë për ambiguitet.
Me këto referenca e eksperienca të freskëta në mendje, u intrigova me pa ekspozitën e artistes së re shqiptare Barbara Prenka, kurume nga Zef Paci në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Ma s’pari duhet me thanë që Galeria e vogël në Qafë tash e disa vjetë është transformu në hapësinë të mirëfilltë ekspozuese, me program ma mirë të mendum dhe ekspozita ma mirë të bame. Unë kam jetu në Qafë shumë vite ma parë, por ajo galeri asokohe ishte ma shumë hapësinë thuase e lëshume me qera kujdo që t’i bjen mend, se sa taman galeri me taman program.
Jorganat e vjerrun si çilima në ekspozitë befasojnë fillimisht me ngjyrat intensive dhe plasiticitetin e materialit.
Por, edhe jorganat e Barbarës e kanë, ose së paku ftojnë një dozë nostalgjie.
Nuk është nostalgji e kthyme kah pikëllimi i ekzistencës, festimit të jetës apo memorializimit të humbjes, që mund të evokojnë jorganat e Emin, Shkololli apo Gonzales-Torres, por ma shumë ndriçim dhe kontemplim i jorganit si objekt, dhe asaj çka pëfaqëson dhe historisë së dorëpunimit vendor në Kosovë.
Kosova ka pasë gjithmonë jorganxhi dhe jorganet edhe kanë pasë elemente dekorative, por Prenka tash i ka rikriju, rimaru edhe tash na vijnë te ekspozume me eksplozion ngjyrash, me ndryshim të teknologjisë së përpunimit, por me jo ma pak gravitas a peshë simbolike.
Ka një lloj dikotomie midis intencës së deklarume dhe narracionit të artistës që e ka të shfaqun edhe në punime të mahershme, ku metodologjia e punës (qendisja) dhe rolet gjinore dhe identiteti luajnë rol të theksum, si dhe jorganave konkretë që i shohim përpara e që janë lozonjarë, sy-provokues, ftues jo për m’u mbulu cep m’cep trupin gjatë netëve të gjata në botën e errtë dhe të ftohtë, por me mbulu vehtën dhe shoqninë (njejës a shumës) në ndonjë fushë të gjelbër, kur bahet pak ftohtë, në ndonjë festival muzike trance në natyrë.
Jorgani është jorgan, rolin e ka të mbulesës dhe trupit (të gjallë apo të vdekun) por jorganat shumëngjyrësh të Barbarës ma shumë na doken që potencojnë bukurinë e tanë jetës, se që mbulojnë marren e veprimeve të caktume, specifike, që i bajmë në jetë.
Ngjyrat e jorganave joshës të Barbara Prenkës projektojnë të sotshmën, punëdoren e ndikume nga hiperngjyrat e Internetit dhe abstraksionet kontemporane.
Por kjo nuk është e tëra.
Pa pritmas, në një dhomë pak të mshefun të galerisë, pas një perde të zezë, me mure të gjelbërta (si gjelbërsia e atij barit të fushave të festivalit), artistja ka shpërndarë vizatime me ngjyra të qiriut, copëza arti shumë ma intime, me imazhe krejtësisht të thjeshtëzuara të jorganit te lakuar, hallakatur, paluar, por vetëm si përvijime minimale, kontura abstrakte të vijave paralelele njëngjyrëshe në letër të bardhë. Artistja pohon se është fokusuar në “përsëritje metodike të objektit, me ndryshime të vogla në ngjyrë e strukturë.”
Gjithsesi, këtu sheh eko të do ndjenjave tjera, me një perspektivë shumë më të fokusume ndaj objektit, shumë ma intime. Pëshpëritëse gati.
Dhe në mes të jorganave të mëdhaj me ngjyra të fuqishme që projektojnë ndryshimet shoqnore e teknologjike në njerën anë, dhe vizatimeve minimaliste që shfaqin detajet e jorganit e krevatit dhe një jetë të kalume nën to, gjendet bota e artistës – shumë ma fragjile e ma dykuptimëshe, se sa na doket në shikimin e parë.
(Teksti nga Petrit Selimi enkas për Substack Suzanne; fotot nga Arlinda, Erzen Shkololli, MOMA & Galeria MKRS. Versioni anglisht del në Substackun The Balkan Bubble)