Hapësira artistike e Alisës
Alisa Maliqi osht arkitekte me profesion, ka qenë edhe kostumografe shfaqjesh, por tash erdhi me një libër të veçantë rrëfimesh mbi një galeri të vockël që bonte punë të mëdha në vitet e okupimit.
Alisën e njohim se Alisën e njohin “krejt”. Nëse shkoni në hapje ekspozitash, premiera festivalesh, ndeje artistash, por nëse ndaleni edhe në ndonjë drekë në restoranet e qendrës, ndodh qe keni me pa dhe me bo llaf me Alisa Maliqin, e cila rëndom osht me Xenin. Gjithmonë e veshun me stil, me hallhalle e qafore me dizajne të huazume nga ndonjë vizatim arkitektonik, me syza të diellit. Alisa osht burrim i pashterrshëm i anekdotave urbane, referencave kulturore e artistike, por osht edhe tepër fun!
Tash së fundi Alisa ishte edhe në promovimin e një libri, por kësaj radhe ishte libri i saj, dedikum një galerie që ka ekzistu jo ma gjatë se dy-tri vjet para se me nis lufta në Kosovë, por ku ekspozoheshin veprat e artit kontemporan, vepra të rezistencës artistike ndaj okupimit por edhe ndaj njëmendësisë.
Libri e ka emnin “Dodona”, ashtu qysh e ka pasë emnin edhe galeria, e na e përdorëm rastin me fol pak me Alisën për intervistën e radhes TenTen. E librin mundeni me gjetë në librarinë Dukagjini.
1. Çka t’ka frymëzu me shkru një libër për artin dhe galerinë Dodona gjatë periudhës së vështirë para luftës në Kosovë?
Fokusin e kam pasë te lexuesit e rinj në moshë, që të informoj dhe ndoshta pak edhe inspiroj rininë tonë, e ta kuptojnë që edhe në kushte shumë të vështira të një regjimi okupues, ka pasë galeri arti kontemporan. Por natyrisht besoj që libri për galerinë “Dodona” është i vlefshëm edhe për hulumtues e për kritikët e artit, si një vepër referenciale për artin e kësaj kohe, që pak ështe i dokumentuar.
2. Qysh e kishe përshkru natyrën e artit në Kosovë sot, krahasume me artin e krijum të atyre viteve?
Kemi shumë talente sot në Kosovë por edhe artistë tanë qe po jetojnë jashtë. Por është një çudi që ende egziston mungesa e hapesirave apo infrastrukturës së mirëfilltë të ekspozimit. Kanë kaluar aq shumë vite dhe ende s’kemi hapësira ku bash këta artistë aq të talentuar të kenë mundësinë ta shprehin artin e tyre pa kufizime hapësinore. Por ende kam shpresë që arti disi ka me arritë të mbizotëron e të zhvillohet tutje, edhepse po jetojmë në kohëra tepër toksike ne Kosovë.

3. Ke qenë edhe kostumografe në shfaqje teatrale. Nëse e kishe bo një party maskenball, bazume në ndonjë shfaqje specifike teatrale, si kush ju kishe thanë mysafirëve mu vesh?
Si sirena… 🧜♀️
4. Je arkitekte me profesion. Nëse kishe mujt një send me bo me shkop magjik në Prishtinë, çka kishe ndryshu?
Uff… A bën krejt me ndryshu? Besoj se pika e parë është shumë ma shumë hapësira të gjelbëruara. Por është pyetje e vështirë sepse kjo gjendja e tanishme e qytetit tonë është përtej përmirsimit? Qysh kthehet shpirti i humbur i një hapësire urbane? Mirë është me ja nisë me plan: te ne thjeshtë vërehet pikësëpari mungesa e vizionit se çka dojmë dhe si e dojmë qytetin e pastaj ai vizion të ketë projekt të gjithëmbarshëm hapësinor.
5. Ke punu me shumë artistë, regjisorë, disa përmenden edhe në librin e Dodonës, Cila osht këshilla më e çmume që ke marrë nga një mik apo kolegë në karrierën tande?
Nuk kam dëgjuar shumë këshillat - më shumë më ka punuar instikti.
6. Kanë dalë shumë kreator/e mode, disa po punojnë edhe në filma dhe shfaqje, a ki nëjnjo që t’ka lanë përshtypje vitet e fundit?
Yllka Brada më len përshtypje. Ka diçka shumë kontemporane dhe të mendume mirë te dizajni i saj.
7. Nëse kishe pasë mundësinë me organizonu një ekspozitë të kostumografisë, artit dhe arkitekturës në një hapësinë historike në Kosovë, cila do të ishte ajo dhe çka do të përfshinte?
Pak kemi hapësira adekuate dhe ato që janë janë stër-përdorur në shumë kontekste, me apo pa shije… Nganjëherë më duket se ne të gjithë në Kosovë jemi aktorë në shfaqjen “Duke pritur Godonë”. Diçka po presim tanë kohën…
8. Po të ishit një ngjyrë, cila do të ishit dhe përse?
Ngjyra hiri, sepse është në harmoni me të gjitha ngjyrat tjera.
9. Cili osht ndonjë libër a serial televiziv a vepër arti e kohnave të fundit që t’ka lanë shumë përshtypje dhe pse?
“Orange is the new black” - sepse e shohim sa dominon forca dhe rezilienca femërore - edhe pse gratë janë në burg në këtë serial.
10. Nëse kishe mujt me bo një film t’madh holivudian bazume në një roman a dramë, cila kishte me qenë edhe kush i kish lujt rolet kryesore prej yjeve botnore ose shqiptare?
Ndoshta do ta ribëja “Kështjellën” apo “Kush e Solli Doruntinën”, por të rikrijume apo riinterpretume ekskluzivisht nga këndvështrimi i grave në këto romane. Dhe do ta ftoja Meryl Strip se është fytyre artistike më komplekse dhe e aftë të luan çdo rol.