Blerta te mullini i Mirashit të blertë
Ishim dje në një ekspozitë të Blerta Hashani në fshatin e saj të lindjes Mirash të Ferizajit, në një mulli të vjetër guri. U bamë dëshmitarë të një mikpritjeje që na mbushi zemrat.
Blerta Hashanin dhe punimet e saja për herë të parë i kemi pa në një ekspozitë te galeria kontemporane Lambda Lambda Lambda, që udhëheqet nga dy austriako-kosovaret e njohuna Isabella Anna-Maria Ritter dhe Katharina Schendl. Arti i Blertës ishte minimal, ca fije brushe akuareli, kryesisht me tema natyre, ne copëza telajo të ngjitura në tekstilin e ashpër plot fibra ngjyrë kafe të thesave të kafes. Pikturthat e Blertës me tekstil jute në prapavijë kishin kuptim ashtu të kornizuara dhe të integruara, gati se rustike, si ikona moderne të katundeve të moçme. Arti i Blertës ishte intrigues dhe gjithsesi pak ndryshe nga koleksioni zakonisht hiper-urban i Lambdës, që tashmë ka ba emën botnor me paraqitje në ekspozita dhe panaire arti prej Baselit në Miami.
Prandaj mezi s’pritem t’i shohim punimet e Blertës edhe ma afër kontekstit burimor, të vendosuna tek një mulli i vjetër 100 vjet, te fshati i Blertës ku ajo ka lindë dhe ende e viziton shpesh, Mirashin në komunen e Ferizajit.
Mullini i Mirashit ka një dizajn tradicional dhe gurët rrethorë që hala blujnë drithnat thuhet se janë nga Mitrovica. Ky mulli gjendet në një kullotë nën hije të lisave të gjatë, pranë përroit që ndanë shtëpitë dhe shtallën e bagëtive së familjes Kamenica.
Kurator i kësaj ekspozite të pazakontë me titull “Një rrëfim mbi të gjelbër” ishte Alex Fisher, një njujorkez që erdh për Manifesta por mbeti në Kosovë t’u jep jo pak kontribut në bazën narrative të artit të artistëve të gjeneratës ma të re të artit kontemporan. Sipas Alexit ekspozita e Blertës “është para se gjithash ardhja në shtëpi e një artisteje që nuk iku kurrë. Ekspozita nis me pyetjen: Çfarë ndodh kur arti përjetohet në mjedisin që frymëzon krijimin e tij?”
Në ditën e ekspozitës, një ditë para Kurban Bajramit, katundi i pastër dhe i gjelbërt ishte në atmosferë feste. Të pranishëm ishin jo vetëm familjarët por edhe bashkë-fshatarët, kryetari i fshatit, drejtori i shkollës. Kishte fëmijë që ladronin poshtë e naltë si dhe mysafirë nga Prishtina, me syze të zeza dhe frizura minimale. Në mes të kullotës afër mullinit ishin shtruar tri tavolina me leqenik misri, kollpite me hitha dhe flija. Alexi, Blerta mbajtën fjalimet përkatëse por shihej që të dytë ishin mishnu me projektin. Kryetari i fshatit mbajti një fjalim nikoqiri dhe e falënderoi Amerikën që ka shëptu Kosovën dhe Alexit si përfaqësues të Amerikës ja fali një plis (të cilin kuratori amerikan nuk e hoqi ma), e drejtori i shkollës ishte mallëngjyer me kontributin e “Blertës tonë” dhe suksesit të saj.
Ceremonia ishte papritshëm prekëse, dëshmi e një bujarie dhe dashnie për suksesin e bashkëvendasve, kombinume me krenarinë që kishin fshatarët për mullinin që i ka rrezistu kohës dhe shkatërrimit, dhe vetë veprat e artit të jukstapozume në mes pyllit the mullinit.
Realisht ambienti ndihmonte me i pa punimet në kande të ndryshme dhe jepte fuqi epike punimeve, tu i provoku shqisën e të pamunit, gjë që ishte ashiqare e mendume mirë prej kuratorit dhe artistës. Sa i përket vetë punimeve, ato e plotësonin njana-tjetrën. Ngjyra e kuqe provokonte. Një zemër hiper-realiste e pikturume në një dërrasë gjellnash ishte e vendosun te zemra e mullinit. Një lule pembe ishte e bashkangjitur një akuareli që evokojke perëndimin (a lindjën?) e diellit. Ca piktura tjera ishin ma abstrakte, ndoshta paraqitnin pellgun e ujit, diellin, rrugicat apo vijat e lakume të natyrës rurale. Ishte edhe një fletore vizatimesh me kafshë, orendi, mullinin.
Çdo gjë ishte e vendosun me shije dhe në vendin e vet të duhun qysh e ndienim që edhe ekspozita ishte në vendin e vet të duhun, një kontribut i vogël decentralizimit të artit që është modeomos qëllim bujar në kohnat kur Prishtina ka marr primatin si vend i vetëm ku ka ekspozita në shkretinën kulturore të Kosovës.
Ishte ditë e bukur në një të shtunde të nxehtë para Bajramit në Mirash, te mullini i Nazif Kamenicës, me punimet e Blerta Hashanit, me zanin e dridhun të mësuesit të katundit dhe amerikanin me plis.
Një Kosovë e mirë në këtë anno domini 2024.
(Teksti: P. Selimi enkas për Substack Suzanne; fotot nga Arlinda)