Besa e dhënë e Blaze
Vaji i nanës, andrrat e azilantit, kthimi në atdhe, ballafaqimi me botna të ndryshme dhe jetë të ndryshume. Fëmijët e mahallës. Video i kangës Territory të duos franceze Blaze i ka krejt temat tona.
We've waited for this day
We shed some tears of love now
Like a desert in the rain
When some of the dead are waking up…
Kur e kam pa për herë të parë videon “Teritorry” të çiftit francez Jonathan and Guillaume Alric të muzikës elektronike Blaze (mysafirë janë sivjet në Sunny Hill), ndoshta edhe m’ka dal nëj lot. Gjithsesi jam tërqethë.
Video është në të vërtetë një film i metrazhit të shkurtë, edhe në pak minuta e përthekon një jetë të tanë të miliona njerëzve që janë në kërkim të përhershëm të një jete ma t’mirë.
Një burrë, me fytyrën e kalitun guri prej telasheve, po kthehet në vendlindje (dikah në bregdetin e Alzhirit apo Marokos). Atje e pret nana, e presin kusherinjtë. I dalin lotët, jo pak lotë, po shumë. Është vaj i dikujt që nuk kanë shpesh por kanë për nanën të cilës i ka dhanë besën që kthehet e tash e përqafon me dashninë e djalit të humbun që ndoshta s’ka mu kthy ma kurrë. Kanë shumë dhe i përqafon shumë edhe vllaznitë, familjen.
There's nobody like my mom
There's no place like my home since I was born
When I was young
The flavour is so strong
I've missed it so long
I kalon ditët me burrat e mahallës, në shisha bar ku s’ka vend për femna, tu kcy në balkona të shtëpive dikah në Alzhir, tu ngreh bari e tu ba llafe nate për avanturat e të jetumit jashtë. Në një skenë protagonisti i tregon dostave qysh rrehet boks, me lëvizje duarsh, grushtime krejtësisht të sinkronizume me ritmin e soundit të Blaze.
Vetë titulli i kangës sugjeron një dedikim vendit, gjeografisë së vendlindjes, një mall që lëndon zemrën, Është rrëfim për mungesën. (Carere Patria kish me thanë Migjen Kelmendi, mungesa e atdheut).
Video ka sekuenca të mahnitshme, të prekshme, mallëngjyese, me plot maskulinitet por edhe plot fragjilitet.
Protagonisti bon skleka, aktron gorillën me dedikim skenik kur luan me fëmijë në oborrin e shtëpisë. Krejt video ka shumë fizikalitet dhe mimikë, gjithmonë të sinkronizume krejt me muzikën me soundin e pikëllum dhe epik.
These people are my heroes
From death to the sky
They light me up your flying clouds
They ever get me high like a good blunt smoke
Në festivalin e Cannes Lions, ky video fitoi Grand Prix në Artin e Filmit, me meritë. Duheni me pa, nëse s’e keni pa tashmë se video ka dalë më 2017.
Blaze janë një bend nga Parisi i muzikës elektronike ambient, i përbamë nga dy kushëri, Guillaume dhe Jonathan Alric. Metoda e tyne artistike përfshin prodhimin e zërit dhe pamjeve në të njëjtën kohë, duke krijuar një lidhje të fortë midis muzikës dhe videove. Ata kanë publikuar dy albume, Dancehall (2018) dhe Jungle (2023), si dhe një EP, Territory (2017). Sivjet janë në Kosovë për herë të parë, në Sunny Hill.